Kurti në Greqi flet çuditshëm: Zbulon një parandjenjë frikësuese për sulmin e mundshëm nga Serbia - NACIONALE

Kurti në Greqi flet çuditshëm: Zbulon një parandjenjë frikësuese për sulmin e mundshëm nga Serbia

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës ka folur në simpoziumin e Symit në lidhje me ndikimin e invazionit rus në Ukrainë në rajonin tonë, Ballkanin Perëndimor. Ai në fjalën e tij ka përsëritur qëndrimet e mëparshme, por edhe e ka treguar një parandjenjë të çuditshme.

Le të merremi së pari me pjesën hyrëse të fjalimit të tij.

Në këtë fjalim, Kurti ka pretenduar se gjatë qeverisjes së tij ka hapur 25 mijë vende të reja pune dhe se ekonomia e vendit është rritur për 10.3 për qind. Ndër pretendime të tjera, Kurti ka thënë se janë rritur edhe investimet e huaja direkte për 22 për qind – e që, natyrisht se nuk qëndron meqë shumica dërmuese janë blerje patundshmërish nga diaspora jonë – dhe se janë rritur eksportet për 83.6 për qind (nuk iu bëri të fala Devollëve, për këtë çështje).

Pse?

Kryeministri i Kosovës ka provuar që të ofrojë kontributin e tij në panel duke i mëshuar Rusisë, dhe modelit të saj qeverisës, por në një mënyrë që ndoshta, vetëm ndoshta, nuk qëndron.

Ai ka ripërsëritur argumentin e bërë edhe në Tavolinën e Rrumbullakët të organizuar nga The Economist para një jave, po në Greqi, për Kosovën si storie e dyfishtë suksesi.

“Në njërën anë është storie suksesi e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, për të ndalur gjenocidin serb të regjimit të Millosheviqit. Ia ka vlejtur intervenimi në Kosovë.”

Kryeministri i vendit duket se ka dëgjuar diku, në ndonjë korridor të forumeve që po merr pjesë, të jetë shtruar argumenti se rritja ekonomike nuk përkon me demokracinë kualitative.

Në fakt, një argument i tillë nuk është shtruar nga asnjë ekonomist apo filozof politik apo politikan serioz në mënyrë publike.

Sidoqoftë, Kurti e bëri të qartë para pjesëmarrësve se Kosova përbënte shembull se si demokracia kualitative mund të ecte bashkë me rritjen ekonomike. E Amerika? Franca? Gjermania? Suedia? Norvegjia? E dhjetëra e dhjetëra vende të tjera që larg më mirë se ne e japin këtë shembull? Natyrisht, Kurti duket i struktur thellë në botën e tij.

“Dhe po ashtu ne jemi storie suksesi e kombinimit të rritjes ekonomike me demokracinë kualitative. Sepse siç e dimë janë disa superfuqi që duan të dëshmojnë se zhvillimit ekonomik nuk i duhet demokracia, në të vërtetë se autokracia është më e mirë sepse sjellë stabilitet të sigurt.” – tha Kurti.

Parandjenja

Kryeministri i Republikës së Kosovës në resortin ku po qëndron në Greqi ka shprehur edhe një parandjenjë.

Duke ju shpjeguar pjesëmarrësve lidhjet e Serbisë me Rusinë, z. Kurti u shpreh çuditshëm pa ofruar asnjë fakt apo provë për atë që po thoshte.

“Unë nuk them që ata (Serbia) do të sulmojnë këtë muaj apo muajin tjetër, nuk mendoj se ka gjasa të ndodhë. Ajo që më brengos mua është se nëse pas Ukrainës kemi edhe një konflikt, edhe një “spill over” diku tjetër, atëherë Ballkani do të jetë episodi numër tre.” – argumentoi ai.

Pra, nga e gjithë kjo nënkuptohej se nëse lufta nuk përmbahej vetëm në Ukrainë, atëherë sipas Kurtit do të kriste diku tjetër. Se ku, Kurti nuk tregoi. Ashtu siç nuk tregoi as se ku i bazonte këto fjalë. Apo, na falni, në fakt paska treguar se ku: te parandjenja.

“Nuk mendoj që jemi episodi numër dy. Deri më tani kemi pasur episodin numër një në Ukrainë, parandjenja më thotë që ne me siguri do të jemi episodi numër tre.” – u shpreh Kurti.

Kujtojmë se kryeministri i vendit ka ngulmuar në dialogun në Bruksel që të nënshkruhej një zotim në të cilin Serbia dhe Kosova nuk do të sulmonin ushtarakisht njëra-tjetrën.

Kujtojmë se Kurti po qëndron në Greqi që nga data 5 korrik.

Lajme të ngjashme