Luksi po bëhet përditshmëri: Çka bëri Albin Kurti këto dy ditë? - NACIONALE

Luksi po bëhet përditshmëri: Çka bëri Albin Kurti këto dy ditë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar të shijojë lukset e ndryshme që të sjell pushteti duke marrë pjesë në një aktivitet tjetër që nuk pritet të ketë kurrfarë ndikimi në zgjidhjen e ndonjë problemi të ngutshëm në vend. Ku është dhe çka po bën saktësisht?

Albin Kurti ndodhet në resortin luksoz “Grand Resort Lagonisi” në Athinë. Ai po merr pjesë në Tavolinën e përvitshme të The Economist.

“Antitezat, transformimet, arritjet në një botë që po ndryshon” – ishte tema e kësaj tavoline.

Por, t’i rikthehemi hotelit dhe luksit edhe një herë.

Ja se si e përshkruan The Economist atë: “Arratisuni në parajsën e relaksimit dhe madhështisë në kaltërsinë e detit.” Kurti është arratisur edhe nga realiteti ekonomik i rënduar i Kosovës që ka varfëruar e po varfëron vazhdimisht qytetarët e vendit.

Ai ishte kritikuar edhe për arratisjen drejt ishullit Symi, po në Greqi, vitin e kaluar derisa në Deçan po helmoheshin qytetarë nga uji i pijshëm.

Përveç Kurtit, në këtë tavolinë po marrin pjesë edhe 117 funksionarë e ish funksionarë të ndryshëm nga politika dhe biznesi, shumica dërmuese e të cilëve janë nënshtetas të Greqisë, vendit nikoqir.

Çka tha?

Kryeministri Kurti me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviqin dhe me ish kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaevin, ishin të parët që folën në një panel.

Titulli i saj ishte “Evropa Juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”

Pyetjet e shtruara në të ishin si vijon:

“Cilat janë implikimet për rajonin pas invazionit rus në Ukrainë?”

“Aleancat e energjisë në kohë të turbullta;”

“A mund të rindizen bisedimet për anëtarësim në BE?”

Për të trija këto pyetje, natyrisht se përgjigjet e Kurtit ashtu si ato të Abazoviqit dhe Zaevit diheshin. Ato mund të lypeshin përmes makinës kërkimore Google, po të mos ishte thelbi i kësaj tavoline luksi në vetëvete.

Sidoqoftë, që të jemi korrektë po tregojmë se çka tha saktësisht kryeministri ynë në panel:

“Republika e Kosovës është storie e dyfishtë e suksesit. Numër një, është storie suksesi për intervenimin e Perëndimit, intervenimin e NATO-s më 1999 për të ndaluar gjenocidin serb, dhe në këtë mënyrë për t’i lejuar refugjatët që të ktheheshin dhe të rindërtonin vendin. Dhe numër dy, është storje suksesi sepse ka zhvillim ekonomik dhe demokraci. Ka një luftë diskursesh. Ekziston një diskurs që thotë se autokracia shkon me zhvillimin ekonomik. Ne po tregojmë se edhe me demokratike po bëjmë edhe zhvillim ekonomik.”

Kujtojmë që Greqia nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës përkundër që për këtë çështje ishin dhënë shpresa të mëdha prej kohës kur Kurti kishte qenë në ishullin e Symit.

Ndërkohë, edhe pse ka kaluar gati një vit e gjysmë që nga ardhja e Qeverisë Kurti në pushtet, asnjë shtet i ri nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës derisa kryeministri është kritikuar për vizita të pafrytshme jashtë vendit.

Lajme të ngjashme