Pse i besoj Albinit, kur paraqitet servil para Amerikës? - NACIONALE

Pse i besoj Albinit, kur paraqitet servil para Amerikës?

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

E lexova me kujdes shkrimin e Berat Buzhalës të titulluar “Pse s’i besoj Albinit, kur paraqitet servil para Amerikës?”, prandaj e gjithë ajo që do të them më poshtë bazohet në heqjen e një s-je dhe apostrofit pasues, nga ai titull.

Jetlir B U J A

Pra, pse i besoj Albinit, kur paraqitet servil para Amerikës?

Arrij ta kuptoj emocionin e frikës që ndjellin disa qëndrime të Albin Kurtit të shprehura për aleatin më të madh të Kosovës. Veshët tanë ishin të pamësuar të dëgjonin tjetërçka përpos fjalëve romantike për Amerikën. Fundja, roli i tyre në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës është i pamohueshëm për cilindo që nuk është naiv sa i përket rendit politik ndërkombëtar të asaj kohe. Po ashtu, edhe roli i tyre në sigurinë e vendit tash e njëzet e tri vjet. Por, është e zorshme të kuptohet serioziteti i asaj frike në vitin 2022.

Qëndrimet të cilat i përmend Buzhala në shkrimin e tij nuk i erdhën Kurtit pas leximeve të mendimtarëve majtistë si Badiou, Chomsky apo të tjerë. Këto qëndrime – ashtu si shumë e shumë e shumë të tjera – nuk ishin në fakt fare qëndrime sepse nuk i nënshtroheshin kurrfarë rregullsie retorike e kurrfarë serioziteti në argumentim. Ato ishin shprehje të çakërdisura të një mendjeje të lodhur – gjë që ndodh shpesh, tepër shpesh, te politikanët e Kosovës. Dhe cili ishte shtrati i të gjitha ‘qëndrimeve’ të përmendura? Nacionalizmi. Prapa secilës qëndron këmbëkryq një agjendë nacionaliste – prej Asociacionit e deri te Demarkacioni – dhe prandaj të mos lodhemi fort me të majtën.

Kryeministri i Kosovës nuk ka bindje ideologjike. Nëse dekonstruktojmë cilëndo prej narrativave të tij për cilëndo çështje gjatë kohës sa ishte opozitar, do të vërejmë që nuk ka asnjë lidhje me debatet serioze politike të së majtës. Në fakt, secila është e nyjëtuar me realitetin tonë të ngushtë e banal politik dhe “qendra” është shpëtimi në të cilën thirrej. Pra, edhe me fjalë të tij ai është i qendrës së majtë, është socialdemokrat ose një kundërshtar i madh i së majtës të cilën e kemi ndërmend. Në anën tjetër, nëse e shohim cilëndo prej narrativave të tij si kryeministër do të vërejmë që është i ngjashëm, në mos i njësojtë, me atë të qeverive të mëhershme.

Cilat janë sukseset me të cilat lavdërohet Kurti? Janë po ato me të cilat lavdëroheshin edhe të shkuarit. Cilat janë prioritetet e tij të njëmendta si kryeministër? Po ato si të të shkuarve. Cili është qëndrimi i tij për Amerikën? Po ai si i të shkuarve.

Pra, Kurti nuk po paraqitet si servil para Amerikës. Ai – si e gjithë klasa politike – është servil i Amerikës. Edhe Albin Kurti, njëjtë si shumica e kohanikëve të tij, është i shqetësuar për fatin e Kosovës pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, dhe kjo e ka shtyrë ta shtojë dozën e të ashquajturit servilitet.

Ai arrin ta kuptojë sasinë e pabesueshme të privilegjeve që mban si individ në një ekonomi të tregut të lirë. Arrin ta kuptojë edhe sasinë e pabesueshme të pushtetit që ka mbledhur si politikan. Në anën tjetër, ai nuk do të ngurrojë asnjëherë që të fusë në funksion secilin mjet të mundshëm që këto privilegje e ky pushtet të mos i ikë prej duarve. Me takatin që kanë, këtë e bëjnë edhe partitë opozitare. Dhe, tash – meqë është në pushtet – ‘paketa’ e mjeteve në dispozicion të tij është krejtësisht e ndryshme me atë të kohës në opozitë. Nëse dikur i duhej të ndërtonte një sentiment sovranist për të mobilizuar njerëzit kundër partive të mëhershme në pushtet, tash i duhet të jetë servil i Amerikës.

Për më tepër, dikur Kurti me Vetëvendosjen kishin shprehur qëndrime të qarta kundërshtuese sa i përket Izraelit duke denoncuar politikat kolonialiste... Por, sot Ambasada e Kosovës në Izrael është vendosur në Jerusalem, duke e njohur këtë qytet historik si kryeqytet të këtij shteti.

Buzhala përmend një term interesant në shkrimin e tij: “servilitet sipërfaqësor”. Nëse mbiemri i këtij serviliteti do të ndërrohej në “servilitet jokonstruktiv” atëherë edhe mund të pajtohesha për të kërkuar një qasje më dinamike, më serioze e edhe më kreative në raport me Amerikën dhe në raport me dialogun me Serbinë. Por, ‘serviliteti’ në vetvete – për aq sa besojmë se duhet të kultivojmë raporte sa më të mira me Amerikën – duhet përshëndetur.

Në anën tjetër, në vend që të kontestohet serviliteti i një politikani që ndërron qëndrimet politike më shpesh se çorapet, duhet shtruar pyetje të rëndësishme duke kërkuar llogaridhënie: Ku është dialogu i brendshëm me serbët e Kosovës? Pse nuk u vendos Reciprociteti i plotë ndaj Serbisë? Çka kemi fituar tash e gati katër vjet bllokadë të dialogut me Serbinë (që ishin imponuar kryesisht nga Kurti, edhe pse ishte opozitar)?

‘Serviliteti’ i Kurtit mund të jetë një hap i vogël për Albinin (jo atë të vërtetin, por atë në mendjet tona) por është një hap i madh për Kosovën!

Termin “servilitet” e kam përdorur për shkak të përdorimit të shpeshtë të Berat Buzhalës dhe Albin Kurtit, jo për shkak se besoj që është i duhuri!

Lajme të ngjashme