Kolapsi majmunçe i një qytetërimi - NACIONALE

Kolapsi majmunçe i një qytetërimi

1 orë më parë

nga Col Mehmeti

Kemi refuzuar ta shohim përbindshmërinë e kateve përdhesë të ngrehinës shoqërore. Na pëlqente të besonim se ishim një shoqëri politike me qytetërim të vetin demokratik, ku edhe radikaliteti i njerëzve dukej si metabolizëm i shëndetshëm. Harronim që kosherja shoqërore kishte sektorë të tërë njerëzish me kriminalitet monstruoz brenda vete, aso që ëndërronin të vrisnin njerëz të UÇK-së, por që nuk i kishin këllqet e fortitudës mashkullore. Dhe kur këta sektorë përnjëherësh u ndjenë të përfaqësuar nga Kurti e Vetëvendosja, këtu filloi triumfi i madh i ligësisë.

13 gusht 2026 – Një banori rezident në Kosovë, që nga vegjëlia deri në pleqëri të thellë, kurrë nuk do t’i shkelë këmba në Kuvend.

Një vizitë aty, përveç shuarjes së një kurioziteti koti, nuk do të sillte asgjë tjetër.

Jeta zibidije nuk bëhet më e plotë pse i sheh nga afër foltoren, mikrofonët dhe 120 ulëset për deputetë.

Ç’është e vërteta, hyrja në mexhlis është një torturë në vete nga kodet burokratike të sigurisë, nga kontroll pas kontrolli, dhe vetëm pas këtij verifikimi shfaqet mjedisi i mermertë, shkallët, dyert e sallat.

Për vete kurrë s’kam qenë në Kuvend e lutem që kurrë as afër tij të mos jem, dhe këto skena se si duket enterieri më vijnë vetëm duke e përfytyruar me tahmin nga fotografitë e incizimet.

Ja që dikush e mendoi të kundërtën e kësaj, dhe deshi t’i zëvendësonte skenat dëshpëruese me deputetë skandalozë me skena të tmerrshme me njerëz psikopatë të ardhur një dreq e di se nga.

Partia në pushtet gjithmonë priret t’i nxjerrë në shesh prapësitë më të mëdha.

Kur ndërtesa e një institucioni qendror, si Kuvendi, hap dyer e dritare për mërgimtarë, është e sigurt se një hile po luhet aty.

Më 2016 u përhajrua për herë të parë ideja që Kuvendi i Kosovës për ca ditë të priste mërgimtarë.

Asobote, kryekuvendari fisnik Kadri Veseli e mendoi pa të keq këtë.

Asobote ruhej sadokudo një optimum njerëzillëku dhe askush nuk e mendonte që nga dera e hapur do t’ia behte llumi i gjithçkaje.

Veseli, në fakt, udhëhiqej nga tradita shembullore e trashëguar nga vitet ‘90 kur besohej se aveniri i shqiptarizmes është më i zdritshëm kur njerëzit tanë, brenda e jashtë, bëhen bashkë për të mirën e shtetit.

Si gjithçka tjetër, Vetëvendosja e ka pervertuar edhe këtë traditë. Për të bashkimi i njerëzve nuk ka kurrfarë kuptimi nëse nuk i shërben doktrinës revanshiste.

Për albinkurtistët njerëzit kanë kuptim vetëm nëse bëhen turmë e sillen me shpirtin vulgar.

Turma është bashkimi i njerëzve zero që ndjehen të trimëruar nga masiviteti; në turmë është vendi ku pushon ankthi për të menduar dhe është poashtu vendi ku veprimi diktohet nga cilado parullë që shqiptohet mundësisht me zë sa më të lartë e egërsi sa më të madhe.

Kjo është arsyeja pse Vetëvendosja vë njerëz rruge përballë institucionesh të dobësuara e gati në vdekje klinike.

Si ai vozitësi psikopat që nuk pyet për të kuqen e semaforëve apo për shenjat skaj rruge, edhe Vetëvendosja e kalon No Pasaran-in e opozitës dhe sharteve procedurale me njerëz që gromësijnë urrejtje, kërkojnë gjak njeriu e duan totalititet.

Skena kur Kuvendi mbushet me mërgimtarë të pasjellshëm e insolentë është fare e ngjashme me atë që e praktikonte partia e mikut të Kurtit, Hristijan Mickoski.

Teksa VMRO-DPMNE-së po i shembej dhéu nën këmbë, ajo u bëri zë njerëzve të saj nga bodrumet e parapolitikës që të zaptonin Kuvendin e të shtronin dru kundërshtarët politikë.

Kur deputetin Ziadin Sela e përgjakën sa gati nuk njihej, zaptuesit në Kuvend të gjithë sokëllinin me zemër “Makedonija, Makedonija…”

Njeriu i rrugës ndërsa shfrenohet në dhunë është duke u gërryer së brendshmi nga një frikë e madhe.

Ndaj, parulla e mësuar përmendësh nga partia i jep sigurinë e nevojshme.

Para gjykimit të vetes në tribunalin e ndërgjegjës, robi i rrugës e ka më të lehtë të besojë se ajo çka bëri ishte akt i lartë patriotik.

Afërmendsh që secila rrethanshmëri dallon me përvojat ekskluzivisht të papërsëritshme që i ka secila shoqëri.

VV-ja i ngjan VMRO-së vetëm së jashtmi.

Përtej kësaj, shembulli kosovar është i përveçëm me fatalitetin e shkallën morbide.

Me gjashtë vjet e gjysmë në pushtet e me fuqi të paprecedentë deri në 51%, sektore të tëra shoqërore nuk janë ndjerë se e shpaguan urrejtjen irreale që iu vrullonte.

Ata u bënë edhe më radikalë, edhe më të egër, edhe më të uritur për gjak.

Nëse Vetëvendosja me deputetë e ministra të saj tuhafë e analfabetë disi e kuptoi se beteja në Parlament nuk bëhej me mjete bolshevike, ishin mbështetësit e saj që nuk u bindën nga kjo.

Intoleranca e njerëzve të thjeshtë ndaj çdo pranie opozitare e bën të duket dafinë paqeje edhe terrorizmin e VV-së kur me raketahedhës i sulmonte godinat e institucioneve shtetërore.

Përballë këtij paradoksi, çdo përpjekje për shpjegim do t’i ngre duart lart në shenjë dorëzimi.

Cila mbushje propagande po i çnjerëzon mbështetësit e partisë në pushtet sa ndëshkimin e opozitarizmit ta kërkojnë me pushkatim a varje?

Problemi ka rrënjë kaq të thella limfatike sa edhe po të ndodhte që qysh tani Vetëvendosja të binte nga fiku i pushtetit, të zvogëlohej a të jashtëligjësohej, kaosi i madh emocional e mendor i njerëzve nuk do të qetësohej.

Nuk bëhet fjalë më as për psikoza që u shkaktuan nga lojëra të pista për pushtet, por për neuroza kolektive.

Sepse e vërteta ka të ngjarë të jetë shumë më pranë atij që thotë se këto gjendje neurotike e prodhuan një VV pesëdhjetë e një përqindëshe e jo anasjelltas.

Thjesht kemi refuzuar ta shohim përbindshmërinë e kateve përdhesë të ngrehinës shoqërore.

Na pëlqente të besonim se ishim një shoqëri politike me qytetërim të vetin demokratik, ku edhe radikaliteti i njerëzve duket si metabolizëm i shëndetshëm.

Harruam që kosherja shoqërore kishte pasur sektorë të tërë njerëzish me kriminalitet monstruoz brenda vete, aso që ëndërronin të vrisnin njerëz të UÇK-së, por që nuk e kishin guximin.

Dhe kur këta sektorë përnjëherësh u ndjenë të përfaqësuar nga Kurti e Vetëvendosja, këtu filloi triumfi i madh i ligësisë.

Nuk është kijameti pse VV-ja po e bën vendin të pajetueshëm me kriza të inxhinieruara, anarkizëm e frymë vëllavrasje.

Tragjedia e madhe është që njerëzit e mirë nuk do të mund të mbijetojnë nëse kjo popullatë fanatike do të mënjanohej nga politika.

Lajme të ngjashme