"Ishin dy zonja": Çka rrëfeu Kurti për atë që ndodhi më 2 maj me draft-statutin e Asociacionit?
A tha diçka të re sot Albin Kurti, në rrëfimin e tij për ekipin menaxhues dhe Asociacionin?
Kryeministri për çudi gjeti kohë të fliste goxha gjerë e goxha gjatë në lidhje me punën e ekipit menaxhues që këtë javë prezantoi draftin e statutit të Asociacionit. Përkundër që ishte në një konferencë për lansimin e Fondit Sovran, një ndër premtimet e tij elektorale.
Kurti rrëfeu fillimisht në mënyrë të qartë se çka kishte ndodhur në takimin në Bruksel.
“Ishin dy zonja”
“...me vëmendje e dëgjuam ekipin menaxhues. Ka qenë kërkesë e partnerëve tanë e miqve tanë evropianë dhe amerikanë që ne ta dëgjojmë prezantimin që do ta bëjë ekipi menaxhues. Nuk kemi qenë të kënaqur me faktin që ky ekip menaxhues nuk e takoi së pari ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi, i cili edhe vetë vjen nga një komuntet jo-shumicë, nga komunteti egjiptian.” – u shpreh kryeministi fillimisht.
Ai vazhdoi tutje duke treguar se çka kishte ndodhur me prezantimin në fjalë.
“Sidoqoftë, shkuam në Bruksel, e dëgjuam prezantimin e draft-statutit nga ekipi menaxhues. Ishin dy zonja nga katër anëtarë, me ç’rast ato prezantuan vetëm thelbin e draft-statutit, dhe më pas na e përcollën atë në 67 nene. Ne pas një pauze 10 minutëshe apo 15 minutëshe, e kishim shumë të qartë se nga leximi i këtyre neneve bëhet fjalë nga një “dëshirë e madhe për Republika Srpska në Kosovë,” - rrëfeu kryeministri.
Ai më pas u ankua se draft-vizioni i tij as nuk ishte lexuar nga pala serbe, ndërkohë që nuk kishte pasur përgjigje as nga ndërmjetësit ndërkombëtarë.
“Andaj, me të filluar bisedat në vijim, e thamë shumë qartë se shprehim mospajtimin tonë fondamental me këtë draft-propozim. Dhe menjëherë më pas, unë ua dhashë një propozim timin, një vizion për atë se si do duhej të rregullohej Neni 7 i marrëveshjes që kemi bërë...” – tha fillimisht Kurti për këtë çështje.
“Ndërmjetësit nuk dhanë vlerësim për atë. Mirëpo pala serbe nuk pranoi ta marrë as për lexim. Pra, ne e kemi dëgjuar ekipin menaxhues. Ne e kemi lexuar propozimin e tyre. Ne kemi dhënë vlerësimin tonë mos-pajtues. Ndërkaq për propozimin tonë nuk kemi përgjigje nga ndërmjetësit, ndërsa nga pala serbe nuk mund të kemi përgjigje sepse ata nuk dëshironin as ta lexonin atë.” - vazhdoi ai.
Qortimi i BE-së
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, e kishte qortuar rëndë Kurtin se kishte shkelur “germë e frymë” të marrëveshjeve të Brukselit pas shkarkimit të ekipit menaxhues.
Kryeministri megjithatë nuk ofroi ndonjë provë materiale se shkarkimi në fjalë mund të ndodhte bazuar në marrëveshjen e Brukselit, dhe se Stano po gabohej.
Ai tha këto fjalë:
“Ekipi menaxhues e ka përfunduar edhe misionin edhe funksionin e vet, prandaj ne nuk kemi më arsye që ta dëgjojmë... andaj unë besoj që të gjithë e kanë të qartë se ekipit menaxhues i ka përfunduar puna, andaj edhe lirimi nga detyra është gjëja më e natyrshme dhe e logjikshme.”
Çka tash?
Kurti u shpreh se ende po shpresonte të merrte një koment në lidhje me draft-vizionin e tij.
Ai tutje tha se gjatë këtij muaji priste të kishte një takim me ndërmjetësit ndërkombëtarë.
