Dialogu në rrezik: Denoncimi i Kosovës nga BE-ja dhe fjalët brengosëse të Bislimit për ekipin menaxhues - NACIONALE

Dialogu në rrezik: Denoncimi i Kosovës nga BE-ja dhe fjalët brengosëse të Bislimit për ekipin menaxhues

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Një përplasje e re, e fortë dhe e rrezikshme duket se po ndodh. Bashkimi Evropian përmes zëdhënësit Peter Stano ka denoncuar Kosovën që “ka shkelur frymën e marrëveshjeve të dialogut” duke e vënë vendin tonë në pozitë të rrezikshme. Por, a mund ta ketë e gjithë kjo rrënjën te padituria e zv. kryeministrit Besnik Bislimi për këtë çështje?

Se Besnik Bislimi nuk është i përgatitur për të qenë kryenegociator i Kosovës është dëshmuar edhe në të kaluarën përmes intervistash ku nuk arrinte të shpjegonte si duhet veprimet e tij dhe të Kosovës.

Por, kësaj here çështja është e rrezikshme për vendin tonë që ka marrë përsipër zotime të rëndësishme më 18 mars në Ohër dhe 27 shkurt në Bruksel.

Çka ndodhi?

Bashkimi Evropian (BE) gjatë ditës së sotme përmes zëdhënësit Peter Stano e përsëriti që vendimi i Kosovës për të shpërbërë grupin menaxhues që kishte hartuar draft-statutin ishte “shkelje e letrës dhe frymës së marrëveshjeve të dialogut”.

“Për çdo vendim për ekipin menaxhues duhet të ketë marrëveshje në kornizën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja,” – u shpreh z. Stano në një konferencë për media.

Ai dha edhe detaje tjera për këtë ekip, duke thënë mes tjerash se ata nuk ishin as pjesë e delegacionit serb por as pjesë e delegacionit kosovar.

Sipas z. Stano, drafti i parë që u la në tavolinë nënkuptonte thjesht “nisjen e procesit”.

Pra, sipas BE-së prezantimi i draftit të parë nuk ishte edhe fundi i grupit menaxhues.

Kurti s’di gjë, Bislimi ‘dinte’ shumë

Kryeministri Kurti e ka pranuar në disa raste se nuk dinte gati asgjë për ekipin menaxhues. Ai kishte treguar se nuk ia njihte as punën por më e rëndësishmja as statusin ekipit menaxhues.

“...ka një vendim të fundit të ish zv. kryeministrit Rakiq nga 25 shtatori 2020 për një ndërrim të përbërjes (të ekipit menaxhues). Mirëpo, kaq di nga ana ime. I përket ekipit menaxhues të shfaqet.” – kishte thënë Kurti pak ditë para takimit të nivelit të lartë të 2 majit.

Por, Besnik Bislimi kishte një qasje krejt tjetër. Megjithëse e pranonte që nuk e dinte as kush ishin të gjithë katër anëtarët, z. Bislimi ishte i bindur në të kundërtën e asaj që e tha BE-ja sot.

“Mandati i tyre pushon në minutën kur ata e bëjnë prezantimin e draftit. Dmth mandati i tyre është përpilimi i draftit – në bazë të konsultave që kanë zhvillu me palë të interesit.” – ishte shprehur ai para gazetares Jeta Xharra.

Mirëpo, në të njëjtën intervistë, z. Bislimi e pranonte që prezantimi i draftit ishte thjesht hapi i parë që niste procesin – ashtu siç tha sot edhe Peter Stano nga BE-ja.

“Tash, rrjedhimisht, hapi i parë që të nis procesin është prezantimi i draftit.” – shprehej ai. Qysh edhe hapi i parë që nis procesin edhe hapi i fundit që shuan ekipin e këtij procesi?

Lexojeni me vëmendje atë që do të thoshte pastaj Bislimi dhe e cila ilustron rreziqet që përmban situata aktuale.

“Prezantimi i draftit ka fitu një peshë jashtëzakonisht të madhe edhe te partnerët ndërkombëtarë të cilët me këtë element edhe e kanë blloku në një farë mënyrë ecurinë e Kosovës në disa progrese evropiane që mendojmë se është shumë e gabueshme, shumë e padrejtë por kështu funksionon politika ndërkombëtare.” - ka thënë z. Bislimi.

Ai kishte thënë gjatë intervistës edhe se Vetëvendosje nuk ishte votuar që ta ndërronte ekipin menaxhues, por për punë dhe drejtësi.

Kujtojmë se Elbert Krasniqi gjatë ditës së djeshme njoftoi që kishte liruar nga detyra anëtarët e ekipit menaxhues, pasi sipas tij “ata kishim mbetur pa status”.

Lajme të ngjashme