BE e bën të qartë edhe një herë: Kosova ka shkelur marrëveshjen kur shkarkoi Ekipin Menaxhues
Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë edhe një herë qëndrimin e tyre se Kosova ka shkelur marrëveshjet e dialogut me shkarkimin e Ekipit Menaxhues që kishte për detyrë hartimin dhe prezantimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Gjatë ditës së sotme, në lidhje me këtë çështje është deklaruar sërish zëdhënësi Peter Stano – çka tha ai?
Një ditë pas bisedimeve në Bruksel, Kosova shkarkoi Ekipin Menaxhues për hartimin e draft-statutit, i cili përbëhej nga katër pjesëtarë serbë, duke përfshirë këtu edhe Danijella Vijiçiq, deputetë në Kuvendin e Serbisë.
Kosova prezantoi draft-vizionin e saj, i cili u përmend më pas edhe nga përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell, si dhe emisari amerikan, Gabriel Escobar.
Kosova shkeli marrëveshjen?
Kështu po thotë Bashkimi Evropian. Në një konferencë me gazetarët, zëdhënësi Stano fillimisht deklaroi se ekipi menaxhues nuk ishte pjesë e asnjë prej delegacioneve – pra as atij serb, as atij kosovar.
“Ata nuk ishin pjesë as e delegacionit serb, as atij kosovar. Kjo është në linjë me marrëveshjet e dialogut, anëtarët e ekipit janë propozuar nga Serbia dhe janë emëruar nga Kosova.” – tha ai.
Stano ka deklaruar edhe një herë se vendimi për të shkarkuar ekipin menaxhues “shkel letrën e marrëveshjeve të dialogut”.
"Prandaj, vendimi për ta shpërbërë ekipin menaxhues i shkel letrën dhe frymën e marrëveshjes së dialogut dhe për çdo vendim për Ekipin Menaxhues duhet të ketë pajtim në kornizën e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.” – u shpreh ai.
Çka thanë BE e ShBA për draft statutet?
Derisa ekipi menaxhues prezantoi draft statutin, Kosova në takim prezantoi një draft vizion dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, po e konsiderojnë këtë si një hap pozitiv.
Pas përfundimit të takimit, kryediplomati evropian, Josep Borell u shpreh se tashmë kanë nisur diskutimet në lidhje me Asociacionin.
“Edhe nëse s’pajtohen, janë pajtuar për të filluar negocimin sa i përket të ardhmes të Asociacionit në të ardhmen e afërt, duke pasur këtë draft të parë si pikë fillestare për diskutim.” – u shpreh mes tjerash ai.
Emisari Escobar vlerësoi se gjatë takimit u shënua një progres i vogël dhe se kryeministri Kurti “për herë të parë” tregoi vizionin për Asociacionin, marrëveshje që kishte thënë se nuk do ta respektonte.
“Ka kaluar vetëm një muaj, tash po e diskutojmë implementimin. Kemi një progres të vogël në propozimet e shkruara nga të dyja palët për Asociacionin. Mendoj që kjo është ndër herët e para, që kemi dëgjuar nga Kosova për vizionin e tyre për Asociacionin, ata e kanë një.” – ka thënë ai në një konferencë të mbajtur online.
Escobar kur u pyet në lidhje me “vizionin” e Qeverisë së Kosovës për Asociacionin deklaroi se “mendon që është serioz, por edhe ai i Ekipit Menaxhues ishte serioz”.
“Mendoj se është serioz, por gjithashtu mendoj se ai i paraqitur nga ekipi menaxhues është serioz. Tani, nuk më takon mua të vendos se çfarë është serioze. Nuk është një proces i lehtësuar nga Amerika; është një proces i lehtësuar nga evropianët. Dhe ajo që është e rëndësishme këtu është që të dyja palët normalizojnë marrëdhëniet e tyre, të harmonizojnë gjithashtu strukturat e tyre me Bashkimin Evropian në përgatitje për anëtarësimin eventual në Bashkimin Evropian." - u shpreh ai.
Vlen të theksohet, se diskutimet për Asociacionin pritet që të vazhdojnë, madje shumë shpejt.
Madje siç u shpreh të mërkurën emisari Escobar, kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq pritet që të takohen pas dy javëve në lidhje me këtë çështje.


