Borrell pozitiv: Mirë që drafti i parë i Asociacionit u vu në tavolinë negociatash - NACIONALE

Borrell pozitiv: Mirë që drafti i parë i Asociacionit u vu në tavolinë negociatash

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka përfunduar deklarata e kryediplomatit evropian, Josep Borell pas përfundimit të takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq. Ai e konfirmoi se drafti që u prezantua sot për statutin e Asociacionit, do të jetë një pikë fillestare për diskutim.

Borell para mediave ka deklaruar se ky nuk është drafti final, derisa kryeministri Kurti ndau “këndvështrimet e tij në lidhje me komunitetin serbe dhe mbrojtjen të drejtave të tyre”.

“E dyta – Sot ekipi menaxhues prezantoi draftin e parë para palëve. S’është drafti final. Është një pikë fillimi. Këtu është. Ky draft për Asociacionin përbën një pjesë të rëndësishme të marrëveshjes. Ky draft tashmë është vënë në tryezë. Kryeministri Kurti ndau me ne këndvështrimet e tij për mborjtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, dhe siç pritet, këndvështrimet e palëve janë shumë të largëta mes vete sa i përket këtij Asociacioni. S’kam pritur ndonjë gjë tjetër. Isha i bindur se palet do të kenë vështrime të ndryshme për natyrën e Asociacionit të komunave.” – tha ai.

Tutje, Borell ka kërkuar nga të dyja palët që të jenë konstruktive, dhe “të jenë të gatshëm për t’i bërë kompromiset e duhura”.

“Dua të inkurajoj të dyja palët që të angazhohen ne mënyrë konstruktive dhe në mirëbesim, dhe të jenë të gatshëm të bëjnë kompromiset e duhura, progres duhet të udhëzohet nga marrëveshjet e kaluara dhe në përputhje me praktikat e modelet evropiane, kemi shumë të tilla, kemi shumë raste të Asociacioneve, apo komunave me të tilla natyra.” – u shpreh ai.

Mes tjerash, sa i përket kësaj çështje, Borell u shpreh si vijon: “Këto do të duhej të merreshin parasysh gjatë negocimit, ne do të lehtësojmë procesin që të arrihet një marrëveshje përfundimtare, duke filluar nga drafti i prezantuar sot”.

Miratohet deklarata për të Zhdukurit – Bëhet publike

Dy liderët në takimin që po mbahet në Bruksel kanë miratuar deklaratën për të Zhdukurit, e cila ishte edhe pika e parë e agjendës së takimit të sotëm.

Deklarata i ka gjithsej nëntë pika, dhe fillimisht, është preambula.

“Duke pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK. Inkurajimi i bashkëpunimit me aktorë të tjerë relevantë në fushën e Personave të Zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). Duke e njohur çështjen e Personave të Zhdukur si çështje humanitare.” – thuhet mes tjerash në preambulë.

Këto janë pikat e deklaratës:

-Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,

-për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve,

-për të siguruar akses të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur të mbetur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 - 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst,

-të vëmë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur,

-për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive,

- mundësimin dhe inkurajimin e angazhimit aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,

-për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe nevojat adresuar familjeve të personave të zhdukur,

-krijimi dhe bashkëpunimi përmes një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur,

-të monitorojë dhe mbështesë punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Termat e Referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës.

Prezantohet draft statuti për Asociacion

Pas prezantimit të draft statutit, që ishte pika e dytë e takimit, është deklaruar edhe Danijella Vujiçiq, deputete në Kuvendin e Serbisë, njëherit koordinatore e Ekipit Menaxhues.

“Pas pesë vitesh patëm mundësinë të prezantojmë draftin e Statutit të Asociacionit. Përveç fjalës hyrëse që mbajta, kishim vetëm 30 minuta siç e kishte parashikuar BE-ja. Ishte e pamundur të prezantoheshin 67 nene dhe nëntë kapituj në 30 minuta, por përmes prezantimit arrita ta them këtë, tani është punë e madhe që delegacioni ta lexojë artikull për nen dhe palët të bëjnë vërejtje të caktuara." -tha ajo para gazetarëve.

Vujiçiq nga Mitrovica e Veriut, është deputete nga radhët e Partisë Progresive Serbe që drejtohet nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

Ndërkohë, Vuçiq para gazetarëve u shpreh si vijon: "Reagimet e tyre ishin se nuk është e pranueshme sepse nuk është në përputhje me Kushtetutën e tyre.. edhe pse gjithçka është bërë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2015 dhe 2013.".

Lajme të ngjashme