Tragjedi në Prishtinë: Vdes 20-vjeçari pas shembjes së vinçit në një vendpunishte - NACIONALE

Tragjedi në Prishtinë: Vdes 20-vjeçari pas shembjes së vinçit në një vendpunishte

49 minuta më parë

nga NACIONALE

Një 20-vjeçar ka humbur jetën pas shembjes së një vinçi në një vendpunishte në rrugën A, në Prishtinë. Vdekjen e të riut është konfirmuar nga Policia për Nacionalen.

Nga incidenti kanë mbetur të lënduar dy persona, të cilët fillimisht ishin bllokuar nën rrënoja. Pas nxjerrjes, ata janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Megjithatë, si pasojë e plagëve të marra, 20-vjeçari nuk ka arritur të mbijetojë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK, ndërsa personi tjetër po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, konfirmoi se dy persona pësuan lëndime trupore dhe u dërguan për trajtim mjekësor. Sipas tij, njëri prej tyre nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe vdekja iu konstatua nga ekipi mjekësor në QKUK.

Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, ndërsa njësitet relevante, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Si pasojë e lëndimeve, njëri nga ta nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Vdekja e tij është konstatuar nga ekipa mjekësore në QKUK. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Aktualisht, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit," tha ai.

Ende nuk janë bërë të ditura shkaqet që çuan në shembjen e kranit.

Lajme të ngjashme