“Drenica 1”: Sami Lushtaku dhe shtatë të tjerët shpallen të pafajshëm - NACIONALE

“Drenica 1”: Sami Lushtaku dhe shtatë të tjerët shpallen të pafajshëm

41 minuta më parë

nga NACIONALE

Këtë të martë, Gjykata ka shpallur aktgjykimin në rastin e njohur “Drenica 1”. Sami Lushtaku dhe shtatë të tjerët janë liruar si të pafajshëm. Aktgjykimi u shpall nga Kryetari i trupit Gjykues Leon Perlaska.

Gjatë seancës së fundit, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre paraqitën fjalët përfundimtare, duke kërkuar lirimin nga akuzat.

Mbrojtja e Sami Lushtakut kërkoi që deklaratat e dëshmitarëve të mos merren si të besueshme për shkak të kundërthënieve, ndërsa kundërshtoi pranimin e disa provave të siguruara nga Serbia.

Mbrojtësi i Rrustem Rrukollit, avokati Arianit Koci, tha se nuk ka prova konkrete që e lidhin klientin e tij me veprat penale të pretenduara dhe kërkoi aktgjykim lirues.

Avokati i Rexhep Xhotës, Nebih Troshupa, deklaroi se dëshmitari “C” nuk ka dhënë deklarata që e fajësojnë klientin e tij dhe kërkoi lirimin e tij nga akuza.

Mbrojtja e Fatmir Mjakut, përmes avokatit Vigan Rugova, tha se nga provat materiale nuk është vërtetuar asnjë nga pretendimet e Prokurorisë dhe kërkoi lirimin e tij.

Avokati i Ismet Haxhajt, Mahmut Halimi, deklaroi se aktakuza është ndërtuar mbi rrëfime të tërthorta dhe se nuk është provuar ndonjë rol i klientit të tij në grupin kriminal të pretenduar nga Prokuroria.

Mbrojtësi i Skender Tahirit, avokati Nasuf Hasani, tha se nuk ka prova konkrete për ndarjen e roleve, veprimet apo pozitën e klientit të tij brenda grupit dhe kërkoi aktgjykim lirues.

Avokati i Sheremet Jasharit, Osman Mehmeti, deklaroi se nuk ekziston asnjë veprim inkriminues ndaj klientit të tij dhe se ai nuk ka qenë pjesë e grupit “Drenica 1” dhe “Drenica 2”.

Mbrojtja e Bajram Dibranit, përmes avokatit Petrit Dushi, tha se klienti i tij nuk është përmendur nga palët gjatë procedurës dhe se akuza është mbështetur në prova të paqena, duke kërkuar lirimin e tij.

Në këtë rast, Sami Lushtaku, Rrustem Rrukolli, Ismet Haxhaj, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendimet për ndikim te dëshmitarët, pengim të procedurës penale dhe pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal. Të gjithë të akuzuarit i kanë mohuar akuzat.

Në fjalën përfundimtare, Lushtaku tha se qe 13 vjet po persekutohet nga drejtësia e EULEX-it

Lushtaku deklaroi se gjykimi i tij kishte nisur për krime lufte, ku fillimisht ishte dënuar me 12 vjet burgim, por sipas tij kishte mbajtur katër vjet e gjysmë dënim dhe më pas ishte liruar si i pafajshëm.

Ai tha se nuk ka bazë juridike për akuzat ndaj tij dhe kërkoi drejtësi nga gjykata.

Fjalën përfundimtare e dha edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sami Lushtaku, avokati Artan Qerkini.

Qerkini kërkoi nga gjykata që deklaratave të dëshmitarëve të mos u falet besimi, për shkak të, siç tha ai, kontradiktave në deklarimet e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se aktakuza nuk i ka plotësuar as elementet formale, pasi sipas tij nuk është përcaktuar koha e kryerjes së veprës.

Lajme të ngjashme