Përplasja ShBA – Francë për Turk-un eskalon në OKB, delegacioni amerikan e lëshon sallën - NACIONALE

Përplasja ShBA – Francë për Turk-un eskalon në OKB, delegacioni amerikan e lëshon sallën

1 orë më parë

nga NACIONALE

Delegacioni amerikan në OKB e lëshoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Ukrainën të hënën, duke e akuzuar Francën për “krekosje të pandershme” për komentet e palës franceze ku ShBA-ja krahasohet me Korenë e Veriut, Rusinë dhe shtete të tjera autoritare në lidhje me votat rreth çështjeve për të drejtat e njeriut.

Zhvillimi i ri erdhi pas një përplasjeje të tensionuar në rrjetin X në fundjavë mes dy shteteve që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, në të cilën Franca e akuzoi ShBA-në se iu bashkua Rusinë, Koresë së Veriut dhe shtatë shteteve të tjera për të votuar kundër një propozimi për zgjatjen e mandatit të Volker Turk-ut si shef për të drejtat e njeriut në OKB edhe për katër vjet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ambasadori i ShBA-së në OKB, Mike Waltz, u kundërpërgjigj duke e akuzuar Francën se po mbështet një shef për të drejtat e njeriut për të cilin tha se kritikon vende demokratike si ShBA-ja e Izraeli, ndërkohë “u afrohet shtypësve më të këqij në botë”. Ai nuk dha hollësi.

Duke folur gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, Dan Negrea, përfaqësues alternativ i ShBA-së në OKB, tha se delegacioni amerikan kishte dalë nga salla gjatë deklarimit të Francës dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë derisa ata “të heqin dorë nga retorika e tyre përçmuese dhe mosrespektuese”. Ai tha se komentet e Francës përbëjnë “kotësi politike” dhe “krekosje të pandershme”.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të premten me shumicë dërrmuese të votave votoi për t’ia zgjatur mandatin Turk-ut, kritikues i shquar i luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe sjelljeve të Izraelit në Gaza. Ai gjithashtu ka bërë thirrje për hetime rreth vdekjes së imigrantëve në ndalim të autoriteteve amerikane. Zgjatja e mandatit të tij ishte kundërshtuar nga Rusia, Izraeli dhe disa vende të tjera, ndërsa Uashingtoni kishte kërcënuar se do ta rivlerësonte financimin dhe angazhimin në organizatë.

Masa e propozuar nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u mbështet nga 144 shtete, dhjetë votuan kundër dhe 13 abstenuan.

Përplasja rreth mandatit të dytë të Turk-ut pasqyron tensione në rritje mes administratës së Trumpit dhe Kombeve të Bashkuara.

Uashingtoni i ka pakësuar fondet për agjencitë e OKB-së dhe është tërhequr nga dhjetëra organe të saj. Grupet për të drejtat e njeriut thonë se posti i shefit për të drejtat e njeriut është më jetik se kurrë më parë, kur autokracitë po fitojnë ndikim globalisht.

Zëvendëszëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, refuzoi që ta komentonte daljen e ShBA-së nga takimi, duke shtuar se OKB-ja pret që të gjitha vendet anëtare të respektojnë një vendim që merret përmes Asamblesë së Përgjithshme./Nacionale

Lajme të ngjashme