Trumpi ia kthen Netanyahut për shitjen e F-35-ave Turqisë: Askush s’më tregon mua çka duhet të shesim
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka dalë kundër paralajmërimit publik të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për të mos i shitur Turqisë aeroplanë luftarakë të tipit F-35.
“Askush nuk më tregon mua se çfarë duhet të shesim” – u tha Trumpi gazetarëve gjatë një fluturimi në aeroplanin presidencial, “Air Force One”, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
“Turqia nuk është tifoze e madhe e Izraelit, s’është tifozë e madhe e Bibit [Netanyahut], por ata kanë qenë të mrekullueshëm për mua” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke dhënë shenja për atë se si i merr vendimet në fushën e politikës së jashtme, thekson mediumi izraelit.
Trumpi dha shenjë më herët këtë muaj se do ta miratonte shitjen e aeroplanëve F-35, por Departamenti i Shtetit e njoftoi Kongresin javën e kaluar se Ankaraja ende nuk i përmbush kushtet për këtë blerje.
Trumpi thotë se ai ka disa mospajtime me Netanyahun, por kryesisht pajtohen sa i përket çështjes së Iranit.
“Ne kemi pak dallim por [jemi] goxha të përafërt” – tha Trumpi para gazetarëve, në kohën e spekulimeve se Netanyahu do ta shfrytëzojë takimin e nesërm me presidentin amerikan për ta paralajmëruar për kujdes në lidhje me arritjen e një marrëveshjeje diplomatike me Teheranin.
Trumpi ritheksoi se është pajtuar që të përmbahet nga sulmet ndaj Iranit gjatë fundjavës, sepse ndërmjetësit i kishin thënë se po bëhej përparim në bisedime.
“Ata duan të na takojnë dhe ne po takohemi. Ekziston një gjasë që ne mund të bëjmë një marrëveshje, por, pa atë që e bëmë ne, ata as nuk do të ishin duke folur me ne” – tha presidenti amerikan.
Javën e kaluar, Trumpi pretendoi se Irani dëshiron takim, por se ai nuk ishte i interesuar për një gjë të tillë.
Trumpi thuhet se u pajtua për t’u përmbajtur nga sulmet ndaj Iranit ditëve të fundit, sepse gjeneralët i thanë se ato nuk kishin qenë efikase dhe se ShBA-së po i harxhoheshin penguesit e raketave.
Trumpi këmbëngul se ShBA-ja ka më shumë se mjaftueshëm municion para se të pranonte që ai “do të donte të kishte më shumë”, sidomos nga “gjërat më të sofistikuara”.
Kur u pyet nëse Arabia Saudite ka shprehur shqetësim për kushtëzimin e marrëveshjes bërthamore civile me bashkimin e Riadit në Akordet e Abrahamit, Trumpi tha se madje as nuk e ka diskutuar këtë çështje me sauditët./Nacionale