KPK-ja nuk ia miratoi raportin dhe e sulmoi me pyetje, Isufaj u "përgjigjet" me aktakuzën për krimet në Prekaz: Prokurorinë Speciale e vlërësoi edhe Kryeprokurori i Shtetit - NACIONALE

KPK-ja nuk ia miratoi raportin dhe e sulmoi me pyetje, Isufaj u "përgjigjet" me aktakuzën për krimet në Prekaz: Prokurorinë Speciale e vlërësoi edhe Kryeprokurori i Shtetit

1 orë më parë

nga NACIONALE

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës për vitin 2025 para anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), jo vetëm që u kritikua për mospunë, por edhe u përball me pyetje tendencioze dhe, në disa raste absurde. Ai u bë madje përgjegjës për rrjedhjen e informacioneve në media nga kjo prokurori. Në fund, KPK nuk e miratoi as raportin vjetor të punës të Prokurorisë Speciale.

Anëtarët e KPK-së, përfshirë edhe kryesuesin, shkuan aq larg me sulmet “ad hominem” ndaj kryeprokurorit Isufaj, sa në një moment kryesuesi Arian Gashi pretendoi se institucioni që ai udhëheq po bën shumë “filma” e pak punë.

Gashi tha se për rastet që janë në hetim duhet të njoftohet publiku, por “pa bërë filma”.

Po m’u njoftu gjithsesi, por pa bërë filma”, u shpreh Gashi.

Ndërsa Isufaj iu përgjigj se publiku njoftohet për rastet me interes.

Kryeprokurori Isufaj tha gjithashtu se gjatë vitit 2025 janë shënuar rezultate në trajtimin e rasteve, duke përmendur aktakuza ndaj ministrave, ish-ministrave, drejtorëve dhe udhëheqësve të bordeve.

Por e gjithë kjo sulje ndaj Isufajt, që dukej qartë se ishte e orkestruar, ndërsa pyetjet dhe akuzat ngjanin më shumë me një hetuesi sesa me një raportim pune, iu ranë “në ujë”. Vetëm dy ditë më vonë, Prokuroria Speciale ua demantoi të gjitha pretendimet dhe akuzat për mospunë.

Të premten, Prokuroria Speciale, me në krye Blerim Isufajn dhe prokurorin e rastit, Valdet Gashi, ka dorëzuar aktakuzën ndaj 35 të pandehurve, në mesin e tyre edhe Milorad Ulemek, i njohur me pseudonimin “Legija”, lidhur me vrasjen e civilëve shqiptarë në lagjen Jasharaj në Prekaz të Skenderajt.

Kjo aktakuzë u konsiderua historike dhe me rëndësi të veçantë për institucionet e drejtësisë dhe opinionin publik, si dhe rezultat i një pune të kujdesshme dhe profesionale, të bazuar në prova dhe në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore.

Se po bëhet një punë e pashoqe, u konfirmua edhe nga Kryeprokurori i Shtetit, i cili e përshëndeti dhe vlerësoi lart angazhimin e kësaj prokurorie lidhur me aktakuzën ndaj 35 personave për krime lufte të kryera në lagjen e Jasharëve, në fshatin Prekaz të Komunës së Skenderajt.

Kryeprokurori i Shtetit vlerëson angazhimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të tjera zbatuese të ligjit, të cilat kanë qenë të angazhuara në të gjitha fazat e procedurës penale, që nga hetimi e deri te ngritja e aktakuzës ndaj 35 personave për krime lufte, të kryera në lagjen e Jasharëve në fshatin Prekaz të Komunës së Skenderajt”, u tha në një reagim të Kryeprokurorit të Shtetit.

Lavdata dhe vlerësime për punën e kësaj prokurorie pati edhe nga drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.

Një BRAVO e madhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës! Më në fund aktakuzë lidhur me masakrën ndaj familjes Jashari në Prekaz. Tash shteti duhet me punu natë e ditë me i arrestu dhe sjellë para drejtësisë secilin të akuzuar. Familja Jashari dhe Prekazi janë krenaria e shqiptarizë”, shkroi Miftaraj.

Duhet theksuar se pushteti i Albin Kurtit vazhdimisht e ka atakuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn.

Kurti e ka cilësuar Isufajn si “emrin e përveçëm” të shumicës së problemeve në sistemin prokurorial, duke insistuar publikisht se ai nuk guxon dhe nuk duhet të bëhet Kryeprokuror i Shtetit.

Lajme të ngjashme