‘Casablanca’ e femrave, spiunazhit dhe shantazhit
Strategjia digjitale e Lëvizjes Vetëvendosje që me identitete të rreme femrash t’i shtyjë përpara agjendat e saj del se nuk është as ide e as kreativitet i saj. Lufta hibride nuk është dukuri e re, por akterë të mëdhenj shtetërorë, si Rusia, Kina, Korea Veriore dhe Irani, gjithnjë e më shumë po i japin fytyrë ‘femre’ fushatave të tyre dezinformuese. Dhe mjeti më efikas në botën digjitale del të jetë ai më i thjeshti: krijimi i profileve dhe botsave ‘femra’. Simbas një studimi, identitetet me femra të rreme përkapin vëmendje tri herë më shumë sesa ato me meshkuj të rremë. Edhe në rast se Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale arrijnë t’i vënë në pranga disa nga inxhinierët e mashtrimeve digjitale, lufta nuk duket të jetë e fituar, madje as beteja jo. Në mungesë të ‘edukimit digjital’, të cilin po e kërkon edhe Brukseli, dezinformimi që vjen nga partia në pushtet do të jetë i pasfiduar edhe për do vjet. Shembull i kësaj është vetë profili ‘Lule Gjeli’ që, pavarësisht se tanimë autori është pothuajse i identifikuar, vazhdon të ketë lexueshmëri e shpërndarje të frikshme.
Col Mehmeti
27 korrik 2026 – Muajt e mjaltit për Vetëvendosjen vazhduan gjatë gjithë vitit 2021.
Pas fitores marramendëse më 14 shkurt, ku doli tej çdo parashikimi, prestigji moral i partisë dukej i pathyeshëm.
Dukshmëria mediatike e kryeministrit të ri ishte aq e madhe sa çdo afishim i tij në mediat sociale merrte me dhjetëra e mijëra pëlqime.
Kudo mes komenteve në faqen e kryeministrit nxirrte krye si më i spikaturi edhe një profil i quajtur ‘Nëna Shqipëri’.
Komentet e tij përbëheshin nga pak fjalë, por ato ishin të mjaftueshme sa për të fuqizuar e validuar secilën fjalë a lëvizje të Kurtit.
Edhe pse nuk kishte ndonjë fjalë të mençur a ndonjë mendim të thellë përveç nivelit të çarshisë, ‘Nëna Shqipëri’ ishte e dyta me pëlqime pas Kurtit.
Meqë në ekosistemin digjital komentet gati barabiten me vetë përmbajtjen, ekonomia e vëmendjes kërkonte që të kishte sa më shumë komentues të tillë.
Ajo që njihet si kulturë e komenteve
– domethënë shprehia e përdoruesve të rrjeteve sociale që të zhyten në komentet poshtë secilit titull – ishte bërë për partinë në pushtet karremi më i mirë për të peshkuar në pellgun e populizmit online.
Çuditërisht, ‘Nëna Shqipëri’ si profil e faqe sot nuk ka as gjurmën më të vogël digjitale.
Ajo u fshi fill pasi disa ish-aktivistë të Vetëvendosjes (më pas në PSD) zbuluan se pas autorit anonim ishte dora vetë A.B, i cili për nja dy vjet e ca ishte asistent personal i Kurtit.
Ekonomia e manipulimit
Profilet e tilla komentuese nuk ishin punë e kollajtë në një xhungël të madhe digjitale.
Ajo kërkonte njerëz me tepër sesa që partia kishte në dispozicion për t’i dalë në krye albanosferës digjitale që përbëhej nga mijëra faqe e mediumthe.
Zaten, ekonomia influencere e Vetëvendosjes zgjodhi të përqëndrohej në krijimin e një rrjeti profilesh me identitete të rreme femrash.
Në raste të tjera do të krijoheshin edhe faqe me përmbajtje ndikuese që menaxhoheshin nga disa njerëz në të njejtën kohë.
Kjo formë, sipas arkitektëve të manipulimit digjital, paraqitej si më perfide kur bëhej fjalë për humbje gjurmësh në rast të ndonjë hetimi të mundshëm.
Po ashtu, me këso faqe paraqitej edhe mundësia për të komentuar e përhapur qëndrimet e perspektivat partiake në platforma të tjera mediatike.
Një e tillë, fjala vjen, është edhe ‘Kriminologjia’ që hem si faqe, hem si profil, ka si cak qitje gazetarët e zërat kritikë ndaj pushtetit të Vetëvendosjes.
Siç indikohet nga disa burime të gazetës NACIONALE, në këtë pezhishkë lufte kibernetike u përfshinë edhe ‘njerëz të shtetit’ që shfaqin simpati për partinë në pushtet edhe brenda institucioneve ku punojnë.
Kapja e manipulatorëve midis mundësisë dhe pamundësisë
Së këndejmi, ‘dekonspirimi’ i profileve dhe faqeve të tilla është praktikisht i pamundur vetëm me zhbirime të thjeshta gazetareske.
Këto të fundit, në rastin më të mirë, mund të qëmtojnë dëshmi rrethanore.
Pjesa tjetër do të mund të zbardhej vetëm nga njësitë kibernetike të Policisë së Kosovës që kanë leva teknologjike ashtu sikurse edhe marrëveshje me kompanitë e rrjeteve dhe platformave sociale.
Sipas informacioneve të gazetës, inxhinieria e manipulimeve digjitale brenda partisë në pushtet nuk ka shkuar gjithmonë vaj.
Aktivistë e militantë të Vetëvendosjes kanë vuajtur jo pak politikat e reja kufizuese nga platformat sociale si Facebook apo edhe ato të adresave elektronike si Gmail.
Hapja e llogarive të reja tashmë kërkon verifikim më të madh, përfshirë edhe dhënien e numrave telefonikë.
Kjo bëri që lufta e madhe kundër gazetarëve dhe zërave opozitarë të varej kryesisht nga sistemet me inteligjencë artificiale.
Për shkak të këtij ndryshimi të papritur në mjedisin online, kiberlufta e Vetëvendosjes nuk e kishte më autenticitetin e dikurshëm kur prapa secilit profil ishte një njeri prej së vërteti.
‘Lule Gjeli’ mund të vihet në pranga, po analfabetizmi digjital?
Do të duhej të kalonin vite të tëra dezinformacioni e shpifjesh nga ky rrjet profilesh e faqesh derisa shteti të këndellej.
Tani kur Prokuroria Speciale po e heton autorin pas profilit ‘Lule Gjeli’ – dhe nga informacionet preliminare bëhet fjalë për Gent Prokshin – lufta kundër përbindshave digjitalë të Vetëvendosjes nuk duket se do të fitohet.
Paçka se bëhet fjalë për një profil të rremë që përhap e amplifikon qëndrimet e partisë në pushtet, kjo nuk e ka penguar ‘popullin’ e rrjeteve sociale që te ‘Lule Gjeli’ të ketë një dritare ditore të informimit e opinionimit

Nga ora 19:11 të mbrëmjes së 24 korrikut kur iu zbulua autori e deri më sot, profili pati një lexueshmëri marramendshëm të lartë.
32 postimet sa janë bërë brenda këtij harku kohor kanë përftuar plot 7,757 pëlqime, 2,425 komente dhe 417
bashkëndarje.
Me 14 mijë ndjekës, ky profil vazhdon të gëzojë një ndërveprueshmëri tejet të lartë.
Pjesa më e madhe e përmbajtjeve të shpërndara janë falsitete, sajime e dezinformime.
Gjatë këtyre viteve të përmbajtjeve predatore, ‘Lule Gjeli’ duhet të ketë shijuar edhe një satisfaksion kur pëlqyes të tij janë bërë edhe njerëz me emër nga politika e gazetaria.
Shumë pikëpyetje, pak përgjigjje
Por historia me këtë profil dezinformativ nuk mbaron me kaq.
Nga ajo që dihet hëpërhë, disa muaj pas nisjes së hetimeve, personi me emrin Gent Prokshi lë pas vete plot pikëpyetje.
Në rast se bëhet fjalë për të njejtin person, atëherë gjurmët e para digjitale për të vihen re në vitet 2008 e 2009 kur me emrin e tij nënshkruheshin tekste e lajme në portalin ‘Telegrafi’.
Po i njëjti, gjithmonë nëse bëhet fjalë për atë mbi të cilin Prokuroria Speciale ka ngritur dyshime, ishte bashkëhisedar i një faqeje ku afishoheshin dendur materiale në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje.
Nga ajo kohë pason një hiatus kohor dhe ai bëhet i gjallë vetëm më 27 gusht 2020 me një artikull të nënshkruar me ‘Lule Gjeli’ te mediumi i Jeta Xharrës.
Përmbajtja e opinionit duket paradoksale edhe nga pikëpamja e sotme.
Midis rreshtave është endur kundërshtimi i autorit me pseudonim ndaj Marrëveshjes së Washingtonit nëpërmjet një keqleximi frapant.
Botimi i artikullit, me një prapavijë plot paqartësi, i ngjan praktikës infamoze ku shërbime sekrete e organizime parapolitike shfrytëzojnë hapësira mediale për të shkrehur qëndrime e narrativa të caktuara.
Kur institucionet e sigurisë valëvisin flamurin e dorëzimit
Derisa dëshmi të shumta kanë mbërritur në Prokurori e jashtë saj, institucionet e sigurisë rrezikojnë të lënë pas vete një precedent joprofesionalizmi e shkeljesh.
Nëse kanë sadopak vërtetësi të thënmet se personi i dyshuar mban lidhje me njerëz të VV-së brenda AKI-së, beteja për ta vënë ‘Lule Gjelin’ para drejtësisë mund të jetë e humbur qysh tani.
Ky mund të jetë vetëm një nga rastet kur vijat e demarkacionit mes institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake mjegullohen gjer në mosnjohje.
Nga gjysma e mandatit të Qeverisë Kurti 2, Vetëvendosje e hapi derën e AKI-së për njerëzit e saj.
Kërdia digjitale që VV bëri gjatë vitit të kaluar
Në kushtet kur pushteti është vënë në luftë ballore me shumicën e mediave në vend, profilet e rreme, si Lule Gjeli, gëzojnë autoritet te një pjesë jo e vogël e përdoruesve të rrjeteve sociale.
Thirrjet e vjetme që të fillohej me një edukim digjital – ku përfshihet krijimi i një vetëdije mediatike sa për të filtruar përmbajtjet e vërteta nga ato të rreme – nuk janë honepsur.
Kosova, sotpërsot, ka hijet më të rënda në rajon për nga shkalla e manipulimeve algoritmike në kohë zgjedhjesh.
Këtë e nxori në pah edhe raporti i Balkan Free Media Initiative (BFMI) që doli në nëntor të vitit të kaluar.
Në pjesën kushtuar Kosovës dhe zgjedhjeve të shkurtit, ekspertët britanikë vunë në dukje se ishin vënë në përdorim fushata të organizuara manipulimi e teknika amplifikimi në platformën sociale TikTok.

Ky studim kishte nënvizuar përdorimin e metodës manipuluese ‘Fire Hose’me anë të së cilës u afishuan vëllime marramendëse postimesh e komentimesh të sinkronizuara e me uzurpime hashtagësh.
Sipas të njejtit raport, Vetëvendosja doli se ia kishte parë hajrin më së shumti influencerëve e llogarive të ndryshme në TikTok, që brenda datave 8 dhe 10 shkurt afishuan 18,640 video.
Teknikat e përdorura ngërthenin vëllime të mëdha postimesh, reciklim të shpejtë të përmbajtjeve me format të shkurtër, kohëzim të bashkërenduar dhe përdorim të influencerëve.
Edukimi digjital që nuk filloi kurrë
Kosova mbetet e pambrojtur kundrejt një dukurie të tillë hibride edhe pse ka prani të misioneve ndërkombëtare.
“Mjediset e vogla gjuhësore e politike shpesh marrin vëmendje minimale, që i bën ato më të brishta ndaj valëve të papritura të përmbajtjeve tejet të optimizuara”, kishte thënë Petër Horrocks në një intervistë për NACIONALE-n.
Sipas ekspertit londinez të mediave, shtetet e vogla, sidomos ato në mjedise komplekse gjeopolitike, shpesh përjetojnë më fort pasojat e turbullirave algoritmike.
Duke folur për gjetjet e raportit të BFMI-së, Horrocks kishte theksuar se në shkurt të 2025-s, pak para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, pati një “përqëndrim të rrjedhjes së pazakontë të vëmendjes përreth grupeve të caktuara të llogarive, që në praktikë dukeshin se ishin për hesap të një akteri politik më shumë se të tjerëve”.
Se manipulimet algoritmike po bënin kërdi kishte alamuar edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Aiovo Orav.
Sipas tij, dezinformacioni, polarizimi dhe sulmet ndaj normave demokratike po kërcënojnë themelet e besimit qytetar në Kosovë.
Edhe nga misioni i OSBE-së në Kosovë, gjatë një prononcimi për NACIONALE-n, patën thënë se për këto sfida që e tejkalojnë Kosovën kërkohet “përpjekje mbarëshoqërore.”
Zotat e manipulimit digjitalë: rusë, iranianë e koreanë
Në një tablo më të zgjeruar, lufta e madhe hibride nëpër rrjete sociale i brendashkruhet operacioneve të mëdha masive nga akterë shtetërorë, si Rusia e Kina.
Për punë fushatash dezinformuese, mediat sociale ofrojnë hapësirë të shumënduartë për akterë të vegjël për ta injektuar dezinformacionin në ‘biseda civile’.
Pjesa tjetër është në dorën e algoritmave që përzgjedhin, kurojnë dhe kontrollojnë atë lloj informacioni që ka potencial për viralitet e jo për vërtetësi.
Prapa velit të anonimitetit, profile të tilla ngacmojnë, bullizojnë dhe u bien në qafë individëve apo komuniteteve, duke dekurajuar kësisoj cilindo zë aktivistësh e gazetarësh.
Fushatat dezinformuese në mediat sociale deri më sot zanafillojnë nga shtete si Rusia, Kina, Korea Veriore, dhe Irani.
Pse profile ‘femrash’?
Kur Vetëvendosja i vë në radhë të parë profilet me identiete të rreme femrash, kjo fare pak ka të bëjë me kreativitet të kësaj partie.
Propaganda ruse e kineze gjithnjë e më shumë vë në përdorim mashtrues (scammers) e chatbotë nga AI që janë kryesisht femra.
Marifetete psikologjike të ndikimit hibrid më së miri optimizohen përmes botsave apo profileve ‘femra’.
Sipas një studimi, njerëzit vetëdijshëm ose pavetëdijshëm janë më të prirur për të krijuar ndërveprim me ato llogari të rreme që pozojnë si femra.
Gjatë një përmbledhje të bërë nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës në Korenë e Jugut, Korea e Veriut kishte krijuar një llogari të rreme Facebook-u, duke e pajisur me fotografinë e një bukurosheje, me të cilën u kishte dërguar kërkesa miqësie dhjetëra zyrtarëve të qeverisë në Seul.
E gjithë kjo përpjekje qe bërë për të vënë dorë mbi informacione të ndjeshme shtetërore.
Sipas një qëmtimi të bërë nga ‘Cyabra’ mbi fushatat dezinformuese në mediat dhe platformat e njohura sociale, profilet e rreme të femrave, që përdorin fotografi grash e vajzash, marrin thuajse 200 për qind shikime më shumë krahasuar me profilet e meshkujve.
Si Bosnja
Gjëma digjitale e Kosovës, ku fushatat e dezinformimit janë praktikisht të papenguara, është e ngjashme vetëm me atë të Bosnjës.
Sipas platformës ‘Raskrinkavanje’, dezinformimin më së shumti po e shtyejnë përpara mediat sociale.
Veçmas, llogaritë në Facebook, sipas studimit në fjalë, rezultonin si prijatare në prodhim dezinformimi.
Llogaritë dhe faqet në Facebook përbënin plot 583 raste dezinformimi, duke e bërë platformën kryesore në Bosnje për dezinformim. /Nacionale/