Po hetohet nga Prokuroria Speciale: Personi i fshehur pas "Lule Gjeli" ka punuar në media dhe kishte publikuar shkrime me emër të rremë
Hetimet për profilin me emrin “Lule Gjeli” tashmë kanë nisur në Prokurorinë Speciale, pas denoncimeve nga personat që janë atakuar vazhdimisht në mënyra të ndryshme dhe speciale, një fushatë linçuese dhe propagandë që do ta kishin zili edhe Gebelsi, veçse tash me mjete të tjera, online dhe duke e përdorur inteligjencën artificiale (AI).
Krejt kjo luftë speciale e “Lule Gjeli” në dobi të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa duke mos kursyer asnjë zë kritik të pushtetit.
Siç ka marrë vesh Gazeta Nacionale, personi që qëndron pas profilit famëkeq “Lule Gjeli” është Gent Prokshi, i njohur për disa mediume në Kosovë, si “Kallxo” dhe “Telegraf”, ku në njërën ka qenë i angazhuar (Telegraf), ndërsa në tjetrën (Kallxo), ka botuar artikuj me emrin “Lule Gjeli”.

Është e habitshme se si i është dhënë hapësirë Gent Prokshit për të botuar artikuj me emrin e rremë “Lule Gjeli”, në një medium që thirret në të vërtetën dhe e lufton pikërisht “lajmin e rremë” (Fake News), ironike.
Gazeta “Nacionale” i ka dërguar pyetje Jeta Xharrës të Kallxo.com, mirëpo deri më tani nuk ka kthyer përgjigje.
“Lule Gjeli” në Facebook, në paraqitje si Taulant Bytyqi, ndërsa emri i vërtetë Gent Prokshi.

Pra, siç ka mësuar "Nacionale", nga burimet e saj, pas "Lule Gjeli", fshihet ky njëri me emrin Gent Prokshi, i cili jeton mes Kosovës dhe Amerikës.
Një nga emrat e gazetarisë që më së shumti është atakuar nga “Lule Gjeli” ka qenë edhe Berat Buzhala, si zë kritik i pushtetit.
Buzhala bëri thirrje që të gjitha viktimat e këtij profili të paraqiten në Prokurorinë Speciale.
“Jam informuar që tashmë Prokuroria Speciale i ka filluar hetimet ndaj profilit ‘Lule Gjeli’. I lus të gjitha viktimat e Lule Gjelit, të cilat janë shantazhuar, janë kërcënuar apo kanë pasur pasoja për shkak të nxitjes së urrejtjes, të lajmërohen në Prokurorinë Speciale. Zyra e Prokurorisë Speciale është afër Newborn-it. Ky është numri kontaktues/kujdestar i Prokurorisë Speciale: 044 666 492. Kur të telefononi, kërkoni të kontaktoni me prokuroren që po merret me rastin e Lule Gjelit, sepse tashmë është caktuar një prokurore”, ka shkruar ai.