Trumpi thotë se ShBA-ja do të kërkojë pagesa nga Evropa për ndihmat e Ukrainës - NACIONALE

Trumpi thotë se ShBA-ja do të kërkojë pagesa nga Evropa për ndihmat e Ukrainës

1 orë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se do të kërkojë nga shtetet evropiane që ta paguajnë vendin e tij për ndihmat ushtarake dhe municionet që i janë dërguar më parë Ukrainës dhe u duk sikur e sinjalizoi ndërprerjen e shitjeve për vendet aleate.

Në një postim në rrjete sociale, Trumpi gjithashtu i kritikoi raportimet për rezerva të varfëruara rëndë të municionit amerikan në kohën e luftës me Iranin, ndërkohë shtoi se Shtetet e Bashkuara janë duke e rritur prodhimin dhe duke rezervuar municione, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne do t’i marrim për vete, për ShBA-në, e nuk do t’i shesim te të tjerët, por shitjet për aleatët do të fillojnë përsëri së shpejti” – shkroi presidenti amerikan.

“Qindra miliarda dollarë u janë dhënë Ukrainës dhe NATO-s, falas, për të cilat Evropa do të kishte paguar, vetëm po t’i kërkohej, por ne do t’i kërkojmë ato para, edhe pse disi me vonesë” – shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke e fajësuar administratën e paraardhësit të tij, Joe Biden.

Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja e zhvilluan nismën “Lista e Kërkesave me Prioritet për Ukrainën”, sipas së cilës shtetet evropiane paguajnë për ta furnizuar Ukrainën me armë amerikane.

Agjencia “Reuters” raportoi muajin e kaluar se ushtria amerikane ka shfrytëzuar një pjesë të madhe të rezervave të raketave precize me rreze të gjatë gjatë luftës me Iranin, duke e ngritur shqetësimin për gatishmërinë e ushtrisë për konflikte në të ardhmen.

Luftërat në Ukrainë dhe Iran dhe pasojat ekonomike që i kanë sjellë ato mund të ndikojnë në atë nëse republikanët e Trumpit do ta ruajnë kontrollin e shumicës së ulëseve në dy dhomat e Kongresit vitin e ardhshëm.

Të enjten, çmimet e naftës e arritën nivelin më të lartë në gjashtë javët e fundit, pasi sulmet e reja amerikane kundër Iranit dhe kërcënimet e përtërira të Izraelit kundër Teheranit e ringjallën shqetësimin për pengesa në dërgesat e energjisë nga Lindja e Mesme./Nacionale

Lajme të ngjashme