“Lule Gjeli” në llupën e Prokurorisë Speciale: Nisin hetimet ndaj profilit që ‘terrorizon’ kritikët e VV-së
Prokuroria Speciale ka filluar tashmë hetimet ndaj profilit “Lule Gjeli”. Ky profil anonim në rrjetet sociale, për një kohë të gjatë, ka “terrorizuar” figura të ndryshme publike, kryesisht ata që janë shprehur kritikë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
Mëngjesin e së shtunës, gazetari Berat Buzhala publikoi numrin në të cilin mund të kontaktohet prokurorja që po merret me rastin, duke u bërë thirrje të gjitha viktimave të këtij profili të paraqiten në Prokurorinë Speciale.
“Jam informuar që tashmë Prokuroria Speciale i ka filluar hetimet ndaj profilit ‘Lule Gjeli’.
I lus të gjithë viktimat e Lule Gjelit, të cilët janë shantazhuar, janë kërcënuar apo kanë pasur pasoja për shkak të nxitjes së urrejtjes, të lajmërohen në Prokurorinë Speciale. Zyra e Prokurorisë Speciale është afër Newborn-it.
Ky është numri kontaktues/kujdestar i Prokurorisë Speciale: 044 666 492. Kur të telefononi, kërkoni të kontaktoni me prokuroren që po merret me rastin e Lule Gjelit, sepse tashmë është caktuar një prokurore”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka thënë se të hënën do ta denoncojë këtë profil në Prokurori.
“Pas informatës se Prokuroria Speciale ka filluar hetimet lidhur me këtë rast, kam kontaktuar menjëherë këtë institucion për të marrë informata shtesë. Sipas informatave që kam marrë, tashmë është caktuar prokurorja që po e trajton çështjen.
I ftoj të gjithë qytetarët që janë shantazhuar, kërcënuar, fyer apo kanë pësuar pasoja nga veprimtaria e këtij profili të mos heshtin. Çdo dëshmi dhe çdo denoncim ka rëndësi për zbardhjen e plotë të rastit”, ka shkruar ajo.
Një reagim e ka bërë edhe sekretarja e Përgjithshme e kësaj partie, Vlora Çitaku. Ajo, në rrjetin social Facebook, ka shkruar se ky fenomen nuk duket të jetë thjesht veprim i individëve të izoluar, por se është përdorur edhe për përfitime politike.
“Pjesa më e dhimbshme është se, sipas asaj që po del në publik, ky fenomen nuk duket të ketë qenë thjesht veprim i individëve të izoluar. Dyshimet se rrjete të tilla janë toleruar, inkurajuar apo përdorur për përfitime politike janë jashtëzakonisht serioze dhe kërkojnë zbardhje të plotë.
Prandaj, Prokuroria duhet të veprojë pa asnjë hezitim. Jo vetëm për rastin e ‘Lule Gjelit’, por për çdo profil të rremë dhe çdo rrjet të organizuar që ka prodhuar shpifje, kërcënime, gjuhë urrejtjeje dhe manipulim të opinionit publik.
Hetimi nuk duhet të ndalet te administratorët e profileve. Ai duhet të shkojë deri në fund, për të zbuluar se kush i ka organizuar, koordinuar, financuar apo urdhëruar”, ka shkruar ajo.
Personi që dyshohet se qëndron prapa këtij profili ka sulmuar vazhdimisht individë të ndryshëm, duke përdorur gjuhë fyese dhe duke hedhur akuza të rënda.
Së fundmi, “Lule Gjeli” publikoi një postim ku e shpalli të vdekur deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.
Nacionale kishte raportuar edhe më herët për postime të tjera skandaloze të këtij profili, ku ishin bërë pretendime të rënda me karakter seksual ndaj ish-presidentes Vjosa Osmani.
Po ashtu, profili kishte publikuar edhe fyerje ndaj gjeneralit amerikan Wesley Clark dhe ish-zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin. Këto postime, ndërkohë, duket se janë fshirë nga faqja.
Më shumë detaje:
I shan e i linçon të gjithë, por e mbron Vetëvendosjen: Kush qëndron prapa profilit “Lule Gjeli”?