I shan e i linçon të gjithë, por e mbron Vetëvendosjen: Kush qëndron prapa profilit “Lule Gjeli”? - NACIONALE

I shan e i linçon të gjithë, por e mbron Vetëvendosjen: Kush qëndron prapa profilit “Lule Gjeli”?

1 orë më parë

nga NACIONALE

Profili "Lule Gjeli" në rrjetin social Facebook prej një kohe të gjatë është bërë i njohur për fushata denigruese, gjuhë fyese dhe linçime të vazhdueshme ndaj figurave publike, gazetarëve, analistëve dhe politikanëve që shprehen kritikë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

Personi që dyshohet se qëndron prapa këtij profili ka sulmuar vazhdimisht individë të ndryshëm, duke përdorur gjuhë ofenduese dhe akuza të rënda.

Së fundmi, "Lule Gjeli" publikoi një postim ku e shpalli të vdekur deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Nacionale kishte raportuar edhe më herët për postime të tjera skandaloze të këtij profili, ku ishin bërë pretendime të rënda me karakter seksual ndaj ish-presidentes Vjosa Osmani.

Po ashtu, profili kishte publikuar edhe fyerje ndaj gjeneralit amerikan Wesley Clark dhe ish-zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin. Këto postime, ndërkohë, duket se janë fshirë nga faqja.

Kush qëndron prapa profilit?

Të premten, gazetari Berat Buzhala publikoi në llogarinë e tij informacione sipas të cilave personi që qëndron prapa profilit "Lule Gjeli" është Taulant Bytyqi, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas informacioneve të publikuara, Bytyqi thuhet se ka raporte të afërta me drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe me persona të punësuar nga Dejona Mihali në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Pas publikimit të emrit dhe fotografisë së tij, qytetarë të ndryshëm i kanë dërguar mesazhe gazetarit Buzhala, duke ndarë përvoja lidhur me sjelljen e personit në fjalë.

Njëri prej tyre shkruan:

"Ky tipi në foto më ka shantazhuar me vite dhe policia ka heshtur gjatë gjithë kohës. Duke marrë parasysh që jam edhe pjesë e stafit diplomatik, kam reaguar edhe përmes OKB-së këtu prej një muaji. Është monstër. Familjen e kam në Tasligje, ngjitur me shtëpinë e kryeministrit. Mbi pesë herë e ka parë vetëm prindi duke u futur."

Sulmet ndaj grave

Profili "Lule Gjeli" ka qenë veçanërisht aktiv edhe në sulmet ndaj grave në politikë.

Nacionale kishte raportuar më parë për linçimet ndaj Vjosa Osmanit, përfshirë publikimin e fotografive të manipuluara me inteligjencë artificiale.

Po ashtu, ky profil ka sulmuar edhe gra të tjera në politikë, përfshirë Doarsa Kicën dhe Blerta Deliun. Sulmet kanë ardhur sa herë që ato janë pozicionuar kundër Lëvizjes Vetëvendosje ose kanë mbajtur qëndrime që nuk kanë qenë në përputhje me vijën politike të partisë në pushtet.

Deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje nuk është distancuar publikisht dhe nuk ka dënuar aktivitetin e këtij profili apo të profileve të ngjashme që përdorin gjuhë fyese dhe linçuese në rrjetet sociale.

Më shumë detaje:

Kanalizimi digjital kundër Vjosa Osmanit: Kush është profili pro-VV “Lule Gjeli” që ka nisur fushatë me shpifje seksuale?

Lajme të ngjashme