Zgjedhjet e 28 dhjetorit: të vetmuar e të pambrojtur përballë Rusisë
Ndonëse kanë mbetur 34 ditë deri në zgjedhjet e sivjetme parlamentare, Kosova është fikall vetë përballë rrezikut të manipulimeve algoritmike dhe dezinformacionit. Siç e dritësoi raporti i fundit në autorësi të Balkan Free Media Initiative (BFMI), në zgjedhjet e sivjetme të 9 shkurtit janë vënë re fushata të orkestruara dezinformuese në TikTok – pesë profile të ndryshme afishuan 18,640 video të cilat ishin papërjashtimisht në favor të Lëvizjes Vetëvendosje dhe narrativave të saj. Në një përgjigje për NACIONALE-n, Misioni i OSBE-së në Kosovë u ka kërkuar të gjitha palëve që të hetojnë gjetjet e raportit të BFMI-së e të shqyrtojnë masat kundër kësaj dukurie që po rrezikon me rrënimin e besimit në institucione dhe shkatërrimin e demokracisë. “Integriteti i zgjedhjeve nuk varet vetëm nga ajo çfarë ngjan në ditën e zgjedhjeve”, kanë thënë nga ky mision. Megjithatë, Kosova, e cila ende vuan sanksionet e Brukselit sebep veprimeve të qeverisë së kaluar të Albin Kurtit, nuk është as për së afërmi nën mbrojtjen e BE-së. Ndryshe nga Moldavia, vendi ynë nuk ka qasje në Rezervën e Sigurisë Kibernetike të BE-së, nuk ka Ekip për Përgjigje të Shpejtë Hibride dhe as Observator Evropian për Media Digjitale që do ta mbronin mjedisin digjital në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Col MEHMETI
24 nëntor 2025 – Rezistenca ndaj dezinformacionit është e vetmja mënyrë që Kosova të sigurojë integritet të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Me zgjerimin marramendës të platformave mediatike jotradicionale – si TikToku – janë krijuar vektorë të rinj për fushata të orkestruara për ndikim dhe teknika të amplifikimit që e shpërfytyrojnë debatin publik.
Tashpërtash, Kosova nxjerr krye në mesin e atyre vendeve evropiane që i gjeti taksirati me manipulimet algoritmike në mediat sociale.
Në rastin tonë, fushatat e orkestruara dezinformuese kanë favorizuar qartazi narrativat politike në favor të Lëvizjes Vetëvendosje.
Një raport 52-faqësh, në autorësi të Balkan Free Media Initiative (BFMI), ka sipërfaqësuar dëshmi të rënda në rastet e Rumanisë, Bullgarisë dhe Kosovës.
I titulluar “Të trajtosh TikTokracinë: një model për të luftuar manipulimin algoritmik në Evropë”, ky raport ka zëruar shqetësimin për manipulimet algoritmike, operacionet për ndikim dhe përdorimin e platformave me video të shkurtëra për të formësuar narrativat politike.

Në Kosovë, metoda kryesore e manipulimit ishte taktika e quajtur ‘Fire Hose’ që përfshin postime e komentime masive, të sinkronizuara e me uzurpime të hashtagëve.
Nëpërmjet influencerëve e llogarive të ndryshme në TikTok, vetëm gjatë datave 8 dhe 10 shkurt, që përkon me kohën para, gjatë dhe pas zgjedhjeve parlamentare, janë afishuar 18,640 video që morën mbi 14 milionë ndërveprime në formë pëlqimesh, komentesh e shpërndarjesh.
Lexo edhe: Po vjen era Kremlin? Manipulimi i frikshëm algoritmik i VV-së në zgjedhjet e sivjetme
Misioni i OSBE-së në Kosovë: Gjetjet e raportit, sfida për demokracitë
Megjithëse nuk janë unike vetëm për Kosovën, këto zhvillime të reja paraqesin sprova për demokracitë gjithandej.
Në një prononcim për NACIONALE-n, misioni i OSBE-së në Kosovë ka bërë me dije se i ka parasysh gjetjet e fundit të Balkans Free Media Initiative.
Me mandatin e vet për të mbështetur institucionet, akterët mediatikë dhe shoqërinë civile kundër kërcënimeve që e rrënojnë besimin publik, ky mision ka thënë se nuk i ka vëzhguar zgjedhjet e sivjetme në shkurt, por vetëm ka mbikëqyrur mjedisin mediatik dhe atë të informimit.
Duke komentuar gjetjet e raportit të fundit, misioni i OSBE-së ka thënë se “të gjitha ato përfaqësojnë sfida të reja për demokracitë gjithandej rajonit të OSBE-së”.
“Misioni ka theksuar në vijimësi se integriteti i zgjedhjeve nuk varet vetëm në atë çfarë ngjan në ditën e zgjedhjeve. Një hapësirë e shëndetshme e informimit – transparent, plural dhe rezistent ndaj manipulimit – është përbërës thelbësor i qëndrueshmërisë demokratike”, kanë thënë nga misioni i OSBE-së.
“Zgjerimi i shpejtë i platformave jotradicionale të mediave ka krijuar padyshim shtigje të reja për komunikim legjitim politik. Kjo ka çuar drejt vektorëve të rinj për fushata të orkestruara ndikimi dhe teknika amplifikimi që mund ta shtrembërojnë debatin publik”.
“Përpjekje mbarëshoqërore kundër dezinformacionit”
Sfida si këto nuk janë unike vetëm për Kosovën.
Tash së fundmi, Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Mediave ka nxjerrë një publikim që i bie kambanave për rreziqet e një mjedisi digjital të mbetur në dorën e disa kompanive Big Tech (nga chatbotët AI e deri te makinat e kërkimit dhe mediat sociale) që vendosin për lajmet që duhet të shihen e dëgjohen përmes algoritmeve.
Sipas misionit të OSBE-së, fuqizimi i alfabetizmit mediatik, transparenca e reklamimit politik online, mekanizmat llogaridhënës për platformat digjitale, dhe mbështetja kryeneçe për gazetarinë e pavarur janë pjesë thelbësore e kundërpërgjigjjes ndaj këtyre sfidave.
“Nga perspektiva e mandatit, Misioni i OSBE-së në Kosovë vazhdon të mbështesë institucionet lokale dhe shoqërinë civile në promovimin e profesionalizmit mediatik, verifikimin e fakteve, dhe qëndrueshmërinë ndaj dezinformacionit, përfshirë atij online. Ne inkurajojmë të gjitha palët – institucionet, akterët politikë, platformat dhe shoqërinë civile – për të hulumtuar me kujdes gjetjet e raportit dhe për të shqyrtuar kundërpërgjigjjet e përshtatshme”.

Duke komentuar mbi masat që mund të merren në dritën e prospektit të manipulimeve algoritmike, OSBE-ja ka thënë se mbetet e përkushtuar për t’i ndihmuar institucionet dhe shoqërinë e Kosovës në fuqizimin e proceseve demokratike.
“Gjatë viteve të fundit, misioni i OSBE-së në Kosovë ka shtuar mbështetjen e vet në fusha të lidhura me lirinë e medias, sigurinë e gazetarëve, alfabetizmin digjital dhe kundërvënien ndaj dezinformacionit, ku të gjitha janë relevante për qëndrueshmërinë e zgjedhjeve. Sigurimi i integritetit zgjedhor në epokën digjitale kërkon një përpjekje mbarëshoqërore”, thuhet në përgjigjjen e misionit të OSBE-së.
Kosova e vetmuar, Moldavia e mbrojtur nga BE-ja
Sidoqoftë, Kosova mbetet e vetmuar në vigjilje të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Hëpërhë, vendi nuk është në ‘radarin’ e Bashkimit Evropian i cili ka shtrënguar vidhat e sigurisë kibernetike.
Me këtë rast, Brukseli ka shtuar ndihmat për vende të prekura nga rrengjet kibernetike me prejardhje nga Rusia – të tilla si Rumania e Moldavia.
Për shkak se republika me 2.3 milionë banorë përballet me sulme të përditshme hibride nga Kremlini, Brukseli e ka përfshirë Moldavinë në paketën e masave që synim kanë rritjen e kapaciteteve mbrojtëse për sprapsjen e kërcënimeve kibernetike.
Kështu, Misioni për Partneritet i BE-së
në Moldavi ka paraparë mbështetje të strukturuar inteligjente kundër kërcënimeve hibride dhe integrim të vendit brenda mbrojtjes së BE-së.
Me këtë rast, BE-ja ka nisur me të madhe financimin për projekte të shoqërisë civile për t’iu kundërvënë dezinformacionit, për të fuqizuar gazetarinë e pavarur, e për të ndërtuar kapacitete të sigurisë kibernetike.
Kjo mbështetje zanafillon që nga 2023-a kur Moldavia u bë shteti i parë fqinj me Ukrainën e përfshirë në flakët e luftës nga invazioni rus.
Në atë kohë, në kryeqytetin moldav, Chișinău, zbarkuan ekspertë kibernetike e këshilltarë të sigurisë.
Në qershor të 2023-s, Samiti i Komunitetit Politik Evropian e përdalloi Moldavinë si rast me prioritet në kuadër të rezistencës ndaj kërcënimeve hibride.
Se gjendja në Moldavi ishte fort serioze, kjo u dëshmua edhe nga një deklaratë e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, në tetor të vitit të kaluar, ku u dënua “ndërhyrja dashakeqe e paparë” nga Rusia në zgjedhjet presidenciale në Moldavi.
Për këtë arsye, më 9 tetor, Parlamenti Evropian miratoi një Rezolutë për të fuqizuar qëndrueshmërinë e Moldavisë karshi ndërhyrjeve ruse në prag të zgjedhjeve presidenciale.
Në të bëhej thirrje që ky shtet të përfshihej në ‘European Peace Facility’ me qëllim të forcimit të aftësive mbrojtëse.
Në rezolutë mbështeteshin fushatat për rritjen e alfabetizmit mediatik dhe verifikuesve të fakteve për të përmirësuar qëndrueshmërinë kundër dezinformacionit.
Në tekst, njashtu, nënvizohej rëndësia e vëzhguesve ndërkombëtarë, jo vetëm për të mbikëqyrur votimet, por edhe për të dokumentuar ndërhyrjen e jashtme (dezinformacionin, operacionet kibernetike dhe financimet e dyshimta).
Në vjeshtën e vitit të kaluar, Këshilli Evropian nismoi një kuadër të ri sanksionesh ndaj veprimtarisë destabilizuese ruse, me theks të veçantë te përpjekjet e Kremlinit për të rrënuar proceset zgjedhore, për të përhapur dezinformacion, manipulim informativ e veprime të tjera keqdashëse.
Masat mbrojtëse nuk u mjaftuan me kaq.
Për të institucionalizuar bashkëpunimin e ndërsjellë kundër rreziqeve kibernetike nga Rusia u krijua edhe Observatori Evropian për Media Digjitale, që në mesin e synimeve ka kundërpërgjigjjen ndaj dezinformacionit dhe aktivizimin në periudha zgjedhore.
Nëpërmjet disa plotësimeve në Programin për Evropën Digjitale, Moldavisë do t’i bëhet e mundur qasja në Rezervën e Sigurisë Kibernetike të BE-së.
Ledhi i mbrojtjes është forcuar edhe falë krijimit të një Ekipi për Përgjigje të Shpejtë Hibride, në përbërje të të cilit janë ekspertë për kërcënime hibride.
Rusia kudo, Rusia gjithandej
Përmasat e frikshme të manipulimeve kibernetike e hibride ruse mund të kuptohen më së miri nga ky shembull.
Në fund të vitit 2023, video të shfaqura në aplikacionin rus ‘Telegram’ e paraqisnin presidenten pro-perëndimore të Moldavisë, Maia Sandu, se gjoja kishte vendosur t’i ndalonte njerëzit të pinin çajin popullor të manaferrave.
Duke qenë se shoqëria moldave vuan nga ndasitë dhe sentimentet pro-ruse, qëllimi i videos ishte të manipulonte njerëzit që e akuzonin Sandunë si ‘vegël të Perëndimit’ sikur ajo po përpiqej që për hir të agjendave proevropiane të asgjësonte traditat komnëtare.
Porse, kjo video ishte sajesë e bërë me mjete të inteligjencës artificiale – një deepfake – e shpërndarë prej kundërshtarëve të saj politikë që kanë afri me Rusinë.
Përzierja ruse në zgjedhjet e vendeve të caktuara evropiane, madje edhe atyre në BE, është dëshmuar tashmë në plot raste.
Vjet, Rumania u bë shteti i parë anëtar që anuloi zgjedhjet presidenciale pasi raporte të deklasifikuara të inteligjencës flisnin sesi kandidati për president, Călin Georgescu, u favorizua ashiqare nga sulmet masive kibernetike dhe fushatat dezinformative në mediat sociale.
Shërbimi i jashtëm evropian tashmë ka pikasur dhjetëra raste të dezinformimit dhe manipulimit informativ rus, sidomos me fushatën Doppelganger, ku versione copycat të mediave të njohura shpërndanin narrativa antiperëndimore.
Kjo fushatë e djallëzuar e bartte dezinformacionin me webfaqe false që imitonin emra si Die Welt, Le Point, La Stampa e Polskie Radio.
Në këto faqe surrogate, artikuj mashtrues, që më pas përhapeshin me media sociale, synonin të diskreditonin politikanë të caktuar e sidomos të dobësonin mbështetjen e qeverive evropiane për Ukrainën. /Nacionale/