Kryeprokurori i Ukrainës do ta shqyrtojë hetimin penal kundër Lukashenkos - NACIONALE

Kryeprokurori i Ukrainës do ta shqyrtojë hetimin penal kundër Lukashenkos

1 orë më parë

nga NACIONALE

Zyra e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar nga kryeprokurori i Ukrainës për të shqyrtuar procedura penale kundër presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, sipas një letre që u bë publike të martën.

Lukashenko, aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, e lejoi Moskën që ta përdorte Bjellorusinë si pikënisje për pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Zyra e presidentit ukrainas tha në një letër se po i përgjigjej një apeli nga një grup opozitar në ekzil, Forumi Demokratik Bjellorus, i cili i shkroi Zelenskyt në maj, duke kërkuar që Kievi ta ndjekë penalisht Lukashenkon për krime lufte, gjenocid dhe “terror shtetëror”.

Forumi Demokratik Bjellorus e akuzoi Lukashenkon për bashkëfajësi në luftën e Rusisë në Ukrainë dhe në dërgimin me forcë të të paktën 2.442 fëmijëve ukrainas në Bjellorusi përmes një programi të dokumentuar nga Laboratori Hulumtues Humanitar i Yale-t.

Administrata e Lukashenkos nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Më 2023, ai tha se Bjellorusia kishte strehuar përkohësisht disa fëmijë ukrainas nga Ukraina për t’u ndihmuar që ta merrnin veten nga trauma e shkaktuar nga lufta.

Të martën, Oleh Tatarov, zyrtar i lartë në zyrën e Zelenskyt, i shkroi letër Forumit, duke e njoftuar se apeli i ishte përcjellë zyrës së prokurorit me kërkesën që “të ndërmerren masa të duhura reaguese”, nëse ka bazë për një gjë të tillë. Letra e tij u publikua nga Forumi.

Zyra e Zelenskyt dhe zyra e prokurorit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për komente të mëtejme.

Përderisa tani për tani nuk shihet ndonjë mundësi që Lukashenko të paraqitet para një gjykate ukrainase, aktakuza e mundshme ndaj tij do të mund të përdorej nga Kievi dhe opozita bjelloruse si argument që Perëndimi ta vazhdojë presionin ndaj tij, edhe pse Lukashenko po negocion me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, për heqjen e një pjese të sanksioneve amerikane në këmbim të lirimit të të burgosurve politikë./Nacionale

Lajme të ngjashme