Rezultatet në PISA dhe testi i kujtesës kolektive - NACIONALE

Rezultatet në PISA dhe testi i kujtesës kolektive

1 ditë më parë

nga NACIONALE

"Ne nuk mund t’i rregullojmë problemet 20 vjeçare për 6 vjet dhe me buxhetin ma të lartë ne histori të qeverive të Kosovës."

"Por ju keni mundur t’i regulloni problemet SHEKULLORE të analfabetizmit, okupimit, apartheidit, përndjekjes, asimilimit, luftës, gjenocidit e shkatërrimit për 20 vjet. Madje e keni shkatërruar atë.”

Meqenësë në Kosovë është bërë normal diskursi se sistemi arsimor është shkatërruar (ashtu si çdo sektor tjetër), është e nevojshme që të bëjmë një piruetë në kohë dhe të shohim pak se si kanë rrjedhur gjërat.

Të nisim nga viti 1991.

Sipas Bankës Botërore në Kosovë në vitet 1991, 1992 dhe 1993 mësimdhënësit paguheshin 20 marka gjermane në muaj. Në vitet 1994-1998 ata paguheshin rreth 120-160 marka gjermane. Përveç apartheidit, gjendjen në Kosovë po e rëndonin edhe më shumë sanksionet kundër Jugosllavisë. Ja çfarë thotë një studim i inflacionit jugosllav të viteve 90:

Hiperinflacioni jugosllav i viteve 1992-1994 ishte historikisht unik dhe domethënës për shkak të pikut dhe kohëzgjatjes së tij ekstreme. Në pikun e tij, në janar të vitit 1994, norma mujore e inflacionit arriti në 313 milionë për qind, duke u bërë kështu norma e dytë më e lartë e inflacionit e regjistruar ndonjëherë, pas hiperinflacionit hungarez të viteve 1945-1946. Për më tepër, hiperinflacioni jugosllav zgjati 24 muaj, kështu që, pas hiperinflacionit rus në vitet 1920 i cili zgjati 26 muaj, ai është i dyti më i gjati i regjistruar ndonjëherë. Gjatë këtyre 24 muajve, mes shkurtit 1992 dhe janarit 1994, niveli i çmimeve u rrit me një faktor prej 3.6 x 10²², i cili renditet i dyti vetëm pas hiperinflacionit më të ashpër hungarez (3.8 x 10²⁷), por shumë më përpara çdo rasti tjetër: 10¹¹ në Kinë pas Luftës së Dytë Botërore, 10¹⁰ në Gjermani në vitet 1920, etj.

Kjo ishte periudha kur kosovarët u përjashtuan nga puna, kur mësonin në bodrume dhe kur shpërtheu tregtia e informalitetit, si rrugë e vetme për mbijetesë në rrethana apartheidi.

Ja si e përshkruan një studiuese e huaj e hapësirave shkollore situatën e viteve 90 për arsimin në Kosovë:

Po edhe sikur t'i pranonin të ashtuquajturat "kushte arsimore" të Serbisë, shtigjet e dijes për shqiptarët do të mbeteshin, sidoqoftë, të ngushtuara gjer në ngulfatje. Duke vënë në jetë atë çka e pagëzuan si politika e "racionalizimit", autoritetet arsimore serbe e sakatuan numrin e shkollave të mesme, duke e përgjysmuar atë pamëshirshëm nga 114 në vetëm 58 shkolla. Nga rreth 32,000 fëmijë shqiptarë që përfundonin shkollën fillore, në atë rrjetnajë tashmë të rrëgjuar të shkollave të mesme ishin lënë mënjanë veçse nja 9,100 vende për ta. Ndërkaq, krejt në anën tjetër të këtij absurdi, për serbët ishin ndarë 1,500 vende më shumë sesa ç'qe në të vërtetë numri i atyre nxënësve serbo-kroatishtfolës që porsa kishin bitisur filloren.”

Kjo ishte koha e helmimeve të nxënësve shqiptarë në shkolla. Ishte koha e serbizimit të sferës publike në Kosovë, nga emrat e rrugëve e të shitoreve, tek kurrikula mësimore. Ishte koha e shtëpive-shkolla si këmbëngulësi për arsimim edhe ne rrethana të jashtëzakonshme.

Normalisht, diskriminimi nuk kishte filluar atë dekadë. Raportet e Entit Statistikor të Beogradit tregojnë pabarazinë në numrin e kompjuterëve në shkollat e republikave dhe krahinave të Jugosllavisë për vitin 1986. Derisa në krejt shkollat e Kosovës ishin vetëm 2 kompjuterë, shkollat e Malit të Zi – republikë me më pak banorë se Kosova – kishin 134 kompjuterë, gjersa shkollat e Serbisë kishin 270 herë më shumë kompjuterë se Kosova.

Pastaj nisi lufta.

Derisa Kosova po festonte çlirimin, realiteti ishte i zymtë.

Sistemi arsimor u godit veçanërisht ashpër. Sipas OKB-së, dy të tretat e objekteve shkollore, një total prej 800 shkollash, u shkatërruan plotësisht ose u dëmtuan rëndë gjatë konfliktit. Për më tepër, orenditë e klasave, hapësirat arsimore dhe argëtuese, bibliotekat dhe pajisjet mësimore u plaçkitën ose u shkatërruan.

Ja si e përshkruajnë dy kronistë të huaj Kosovën e vitit 1999:

"Në mbarë Kosovën, vetë arkitektura shpaloste një dëshmi të stërmadhe e të gjallë të dhunës: fasada të çukitura nga breshëritë e plumbave, aureola të zeza tymnaje rreth zgavrave të çara aty ku dikur kishin qenë dyert apo dritaret, si dhe pirgje gërmadhash që e kishin humbur përfundimisht çdo gjasë për t'u shquar si arkitekturë. Në disa qytete, lagje të tëra dergjeshin në rrënoja. Në të tjera, shkatërrimi kish lënë pas një zbrazëti edhe më të thellë: në zemër të Vushtrrisë, bie fjala, hapej një rrafshinë dheu të zhveshur e të shkretë, ku nuk shihje veçse ca gurë e tulla të shpërndara aty-këtu, si dhe themelet tetëkëndëshe të asaj që, siç do të merrnim vesh më vonë, paskësh qenë minareja e një xhamie të rrafshuar nga buldozerët.
Ca fshatra të vegjël ishin rrokur nga një braktisje e plotë, me të gjitha shtëpitë ose shumicën e tyre të bëra shkrumb e hi, me qen të rrugës që endeshin të hutuar rrugicave, dhe me pemë frutore që fëshfërinin nën frymën e erës mes kopshtijeve të lëna në harresë. Në njërin prej këtyre fshatrave të shuar, hasëm një çift të moshuarish shqiptarë, të cilët e ngrysën jetën në një kasolle prapa ngrehinës së djegur të shtëpisë së tyre. Plaku vuri dy copa druri mbi bar që ne të uleshim, ndërsa e shoqja na bëri gati do gota të vogla çaji.
Burri zuri të na rrëfente për djegien e fshatit, por qe e pamundur, krejtësisht e pamundur për mua, të rrokja thelbin e asaj që kishte ngjarë, të asaj që ishte përjetuar vërtet e që ishte humbur përgjithmonë."


Për të kapur tmerrin që kishin parë, autorët e përdorin një term të veçantë për të përshkruar luftën kundër arkiteturës: "Warchitecture".

Ky term u ngjiz nga Shoqata e Arkitektëve të Sarajevës, asokohe kur qyteti lëngonte nën rrethim përgjatë viteve ’90. Ai zuri fill prej një orvatjeje të thellë për t'u pajtuar disi me atë rrethim, për ta rrokur atë si një luftë që vlonte jo thjesht brenda, por haptazi kundër një qyteti: një luftë krejtësisht e çuditshme, ngase ishte, në thelbin e vet, një luftë kundër vetë arkitekturës.

Serbia bënte luftë jo vetëm kundër shqiptarëve, por edhe kundër shtëpive, shkollave, çerdheve dhe habitateve tona.

“Kjo, fatkeqësisht është lufta.”

— Kolonel Slobodan Stojanoviqi, zëdhënës i Ushtrisë Jugosllave, lidhur me bërjen shkrumb e hi të fshatit Krushë e Madhe, në Kosovë.

Godinat që kishin mbetur në këmbë kërkonin rinovime thelbësore në infrastrukturën e tyre të ujësjellësit dhe higjienës (sanitare). Në të njëjtën kohë, minat e pashpërthyera përbënin rrezik për nxënësit në afërsi të objekteve shkollore. Me fluksin e njerëzve që po riktheheshin në Kosovë pas ndërprerjes së armiqësive, sistemi arsimor kishte nevojë për ndihmë të menjëhershme dhe të konsiderueshme.

Ja çfarë thotë një nga raportet e para të UNMIK-ut në vitin 1999:

“Perspektiva afatshkurtër ekonomike për Kosovën është e pasigurt. Ndonëse thellë në stinën e verës, një pjesë e madhe e tokave të pasura bujqësore të Kosovës ka mbetur djerrë, një situatë kjo tepër e rëndë për një territor që varet fuqimisht nga bujqësia për mbijetesën e tij. Sektori i industrisë dhe i prodhimit është dobësuar rëndë nga mungesa e kahershme e investimeve kapitale, si dhe nga dëmet e shkaktuara nga konflikti e, në disa raste, nga largimi i menaxherëve dhe personelit serb të Kosovës.”

Siç theksoi zyrtari i OKB-së Hansjörg Strohmeyer: "zyrtarët e OKB-së në Kosovë i referoheshin territorit të shkatërruar nga bombardimet që ata administronin si 'guaska e zbrazët'” Disa tjerë i referoheshin si “Terra Nullis”, si “Vrimë e Zezë” dhe metafora tjera që përshkruajnë një vend që është i privuar nga çdo kapacitet vetërregullues.

Jo rastësisht, qëllimi kryeor i OKB-së dhe NATO-s në Kosovë ishte garantimi i normalitetit dhe ndërtimi i institucioneve vetëqeverisëse në Kosovë. Pra çështja ishte ekzistenciale dhe themelore, jo diçka më shumë.

Në vitin 2001 buxheti total i Kosovës ishte 562 milionë marka, më pak se 300 milionë euro, rreth 13fish në pak se buxheti i Kosovës në vitin 2026. Shumica e buxhetit shkonte në paga, që edhe ashtu ishin të ulëta.

Pas dekadës së bodrumeve shtëpiake si hapësira shkolle në vitet 90, pas lufte ishte radha e tentave dhe konteinerëve për t’u bërë platformat e të mësuarit. Megjithatë, ishte edhe koha kur abetaren e shfletonim haptazi, të lirë e të lumtur.

Ishte koha kur investimi i vetëm që mund të bëhej në arsim ka qenë infrastruktura e ngrohja. Trajnimi i mësimdhënësve në standardin e kohës, laboratorët, kompjuterët ishin diçka që as nuk mund të imagjinoheshin.

Ishte koha kur shkollat funksiononin me 3 ndërrime, me orën mësimore që zgjaste 20 minuta dhe ku fletoret, lapsat e librat ishin çështje ndihmash nga organizatat e huaja.

Ishte koha kur mësimdhënësit dhe çdo kategori tjetër shoqërore në vend të pagës merrnin ndihmë sociale.

Tash llogaritni këtë: një vend e një shoqëri që kishte kaluar një shekull diskriminimi e asimilimi, dy dekada shtypje brutale, një dekadë apartheidi, një gjenocid dhe luftë mbi çdo gjë aspekt të jetës komunitare e arkitekturore, me një brez fëmijësh e të rinjësh të traumatizuar nga dhuna e pandalshme. Paramendoni tash një shoqëri të rrënuar që me një buxhet që në total sot është aq sa i Ministrisë së Infrastrukturës në vitin 2025 (260 milionë eurosh) orvatet të krijojë kushte më të mira jetese e zhvillimi pas një shekulli shkatërrimi.

Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që Kosova ka ndërtuar sistem të mirëfilltë arsimor pas lufte. Problemet janë evidente dhe është e qartë që arsimi do të duhej të ishte në gjendje më të mirë. Mirëpo, përkundër problemeve të krijuara gjatë rrugës, Qeveria Kurti e mori Kosovën jo nga rrënojat e luftës shkatërrimtare, por në një gjendje pakrahasimisht më të mirë.

Prandaj të thuash se “Kosova është shkatërruar për 20 vjet” është të shkelësh mbi gjakun, sakrificën, plagët dhe djersët e këtij popullit që ka ecur një rrugë që asnjë popull tjetër në Evropë nuk e ka ecur pas luftës së dytë botërore.

Siç e thotë një regjisor amerikan për Kosovën: “Sot Kosova nuk është diçka e përcaktuar nga e kaluara. Ajo është buzë diçkaje të re.” Ky është rezultati i progresit të Kosovës paslufte, krahas problemeve dhe defekteve. Kjo është pikënisja e Qeverisë Kurti më 2020.

E ndërkohë rezultati i PISA-s tregon që Kosova, pas 6 vjet qeverisjeje të Vetëvenosjes, ka rezultat më të dobët sesa në vitin 2018.

Prandaj, PISA po na tregon se është Qeveria e Kosovës ajo që ka treguar rezultatin më të dobët. Jo nxënësit.

Autor: Shkodran Ramadani

Lajme të ngjashme