Qeveria Kurti drejt kapjes së Thesarit: Dy njerëzit e VV-së marrin më së shumti pikë nga komisioni vlerësues
Qeveria Kurti ka bërë hapin përfundimtar drejt hapjes së pozitës së Drejtorit Ekzekutiv të Thesarit.
Dyshimet e ngritura për kurdisjen e këtij konkursi nga gazeta Nacionale janë konfirmuar.
Në procesin e testimit, dy njerëzit që janë përkrahur nga VV-ja janë poentuar më së shumti nga Komisioni Vlerësues i Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike.
Në njoftimin për renditjen përfundimtare të kandidatëve për këtë pozitë, të cilin e ka siguruar gazeta, shihet se Kadrije Berisha është renditur e para me 76.6 pikë, kurse në vendin e dytë është renditur Petrit Pantina me 76 pikë.
Ndërsa, Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Thesarit, Nystret Koca, është renditur i treti me 74.6 pikë.

Javën e kaluar, gazeta Nacionale kishte raportuar për dyshime të forta për kurdisjen e këtij konkursi.
Burimet e gazetës brenda Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës kanë treguar se në këtë konkurs vazhdimisht janë përkrahur Kadrije Berisha dhe Petrit Pantina.
Kjo për shkak të afërsive të tyre me njerëz të fuqishëm të pushtetit të Albin Kurtit.
Gazeta ka shkruar se Kadrije Berisha, udhëheqësja e Financave me Ministrin e Shëndetësisë, njihet si bashkëpunëtore e ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe deputetit të VV-së, Naim Bardiqi, i cili për vite të tëra ka qenë Sekretar i Përgjithshëm në ministrin e Shëndetësisë.
Kurse, Petrit Pantina, Drejtori i Departamentit të Partneritetit Publiko, njihet si njeri i afërt i kryetarit të Komunës së Obliqit, Halil Thaqi; kryetarit të Komunës së Fushë Kosovës, Valon Brebeza; dhe Sekretarit të Ministrisë së Financave, Arton Ahmeti, i cili në këtë pozitë ishte zgjedhur me disa parregullsi.
Përveç Kadrije Berishës, Petrit Pantinës dhe Nystret Kocës, në këtë konkurs kishin aplikuar edhe ish-drejtoresha e parë e Thesarit, Hanife Statovci; ish-drejtori i Thesarit, Lulzim Ismajli; Drejtori i Financave në SHSKUK, Enver Gashi; Besnik Aliu dhe Arvita Zyberi- Hashani.
Kjo është hera e tretë që Qeveria Kurti po provon zgjedhjen e Drejtorit Ekzekutiv të Thesarit.
Gazeta Nacionale vazhdimisht ka raportuar për parregullsitë që i kanë përcjell dy konkurset e kaluara për këtë pozitë.
Shkaku i parregullsive dhe ankesave të bazuara të kandidatëve që iu kishin nënshtruar procedurave të rekrutimit, konkurset paraprake kanë dështuar.