“Një kandidat s`arriti të aplikonte”, anulohet konkursi për drejtor të Thesarit: A po ia përgatit pushteti dikujt këtë pozitë të lartë?
Ministria e Financave, Punës dhe Transferave, ka marrë vendimin për anulimin e konkursit për pozitën Drejtor ekzekutiv i Thesarit.
Vendim është ndërmarr në kohen kur është dashur të përpilohet lista e ngushtë e kandidatëve që kanë aplikuar gjatë kohës sa konkursi ka qenë i hapur.
Gazeta Nacionale ka mësuar se kandidatët që kanë aplikuar për këtë pozitë as nuk janë njoftuar përmes sistemit. Të njëjtit, lajmin për anulimin e konkursit e kanë marrë vetëm kur është nxjerr vendimi për anulimin e konkursit, më 15 nëntor.
Arsyetimi për anulimin e konkursit në fjalë duket qesharak. Në vendimin, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, thuhet se gjatë procesit është paraqitur një problem teknik në sistem.
Sipas vendimit, për shkak të këtij problemi nuk ka mundur të aplikonte një kandidat, i cili është ankuar.
Arsyetimi duket qesharak sepse në të njëjtin konkurs kanë aplikuar pesë zyrtarë dhe nuk kanë hasur në ndonjë problem.
Konkursi ka qenë i hapur për 30 ditë dhe ka mundur të aplikonte kushdo që i ka përmbushur kriteret e kërkuara.
Nga burimet brenda ministrisë, gazeta ka mësuar se një arsye e tillë asnjëherë më parë nuk është marrë si bazë për anulimin e konkursit.
“Gjatë fazës së aplikimit për pozitën Drejtor ekzekutiv i Thesarit, është identifikuar një problem teknik i paraqitur në sistem, që është raportuar nga kandidati i interesuar për aplikim, i cili ka kërkuar që t`i mundësohet aplikimi në çfarëdo mënyrë tjetër, duke specifikuar edhe komunikimin me zyrtarët që administrojnë sistemin për aplikim”, thuhet në vendim, i cili është nënshkruar më 15 nëntor.

Sipas vendimit, kandidati që është ankuar ka pasur të drejtë.
“Po ashtu gjatë fazës së verifikimit paraprak dhe pas kërkesës që është adresuar nga një kandidat i interesuar për aplikim, pas një analize të hollësishme, është vërejtur se në dokumentin e shpalljes së konkursit, konkretisht tek pika 3. Kërkesat e përgjithshme formale. Arsyetimi i kërkuar, diplomë e arsimit të lartë e nivelit të parë(bachelor), në fushën e ekonomisë, financave, juridike ose fusha të ngjashme(pa specifikim), është paraqitu mungesë e qartësisë në kriteret e përzgjedhjes, të cilat kanë qenë të paqarta për aplikontët dhe kjo ka sjell konfuzitet tek individët e interesuar si dhe aplikime të papërshtatshme dhe të pakualifikuar”, është thënë në vendim.
Në pjesën e fundit të vendimit pretendohet se Ministria e Financave këtë veprim e ka ndërmarr për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent.
“Pas një rishikimi të plotë dhe problemeve të raportuara nga kandidatë e interesuar, në fazën e verifikimit paraprak të procedurës Drejtor ekzekutiv i Thesarit, kemi vendosur të anulojmë këtë konkurs. Ky vendim është marrë për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent që përmbush standardet e larta për rekrutim. Ministria është e angazhuar për të ofruar mundësi të barabarta për të gjithë dhe për të garantuar një proces të drejtë dhe të bazuar në meritë”, është thënë në vendim.

Gjatë kohës sa konkursi ka qenë i hapur, për këtë pozitë të lartë kanë aplikuar pesë persona.
Gazeta Nacionale ka siguruar edhe emrat e zyrtarëve që kishin aplikuar në këtë konkurs.
Për pozitën Drejtor ekzekutiv i Thesarit kishin aplikuar: Nysret Koca, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Thesarit; Hanife Statovci, zyrtare në Konsullatën e Kosovës në Shtutgard; Kadrije Berisha, udhëheqëse e financave në Ministrinë e Shëndetësisë; Fahrije Sadiku, udhëheqëse e financave në Ministrinë e Mbrojtjes si dhe Musa Islami, udhëheqës divizioni në Ministri të Financave.
Gazeta Nacionale do të përcjell me vëmendje rishpalljen e këtij konkursi për të parë nëse personi që është ankuar do të kandidojë për këtë pozitë të lartë shtetërore.
Ky nuk është konkursi i vetëm që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e anulon.
Dikasteri i drejtuar nga ministri Hekuran Murati kohëve të fundit ka anuluar edhe konkursin për pozitën e drejtorit të Agjencisë së Punësimit të Kosovës.