Nga skandali me doracakët seksual te regresi spektakolar në PISA: Çfarë bëri shteti për arsimin gjatë qeverisë KURTI - NACIONALE

Nga skandali me doracakët seksual te regresi spektakolar në PISA: Çfarë bëri shteti për arsimin gjatë qeverisë KURTI

1 orë më parë

nga NACIONALE

Rezultatet e PISA 2025 e kanë vendosur sërish arsimin e Kosovës në fund të Europës. Madje, gati të fundit në botë. Më dobët se sa Palestina e cila përballet me betejë ekzistenciale.

Nxënësit kosovarë kanë shënuar rezultate më të dobëta në matematikë, lexim dhe shkencë sesa gjeneratat që iu nënshtruan testimit para një dekade.

Pra, pas viteve të qeverisjes së Vetëvendosjes, Kosova jo vetëm që nuk është ngritur, por ka bërë hapa prapa.

Në këtë panoramë, është interesante të kujtohet një prej rasteve kur Ministria e Arsimit u shfaq veçanërisht aktive në debatin publik për arsimin.

Doracakët e edukimit seksual

Doracakët e përpiluar gjatë kohës sa ministre ishte Arbërije Nagavci, përmbanin gjuhë të papërshtatshme, tekst të pa koordinuar si dhe pas hulumtimeve gazetareske doli se shumica e “librave” ishin përkthyer nga disa botime të shkollave private në Gjermani.

Çka thuhej aty?

Në këta doracak, njëri ndër kapitujt quhej “Lojërat seksuale në role”.

Aty thuhet kështu:

“Lojërat në role, me përmbajtje seksuale janë një fushë e rëndësishme e ushtrimit për nxënës në kontakt më të barabartët. Lojërat me mjekë, lojërat Baba-Nënë-Fëmijë apo lojërat seksuale të tjera në role mundësojnë në njërën anë, së bashku të bëjnë “udhëtime zbuluese” të trupit, dhe në anën tjetër duke luajtur t’i përpunojnë dhe t’i zbatojnë ndikimet mediale, kështu që, -Të guxosh. Ta provosh-Vet, inkurajon role të ndryshme të të bërit i pavarur.”

Tutje një kapitull tjetër flitet për “Fjalorin sekusal”

Fëmijët e kopshteve, nxënësit, adoleshentët, veç kanë “shprehje”(në fjalorin e tyre), ku shpesh dhe me shumë kënaqësi përdorin ndonjë shprehje “të ndyrë”. Shpesh nuk ua dinë kuptimin e tyre, por bëjnë prova, se si reagojnë të tjerët në këtë. Ndonjëherë dëshirojnë vetëm të provokojnë.” – thuhet aty.

Pra përdoren fjalë si shprehje “e ndryë”, çka tregon se kemi të bëjmë me përkthim –bukfal- pa përshtatje.

Një aspekt tjetër është ai i aktivitetit në klasë.

Aktivitet në klasë

“Praktikimi i vendosjes së kondomit në model ose në banane, gara në mes të nxënësve kush po e përfillë secilin hap. Të provojnë të blejnë kondom dhe ta shpjegojnë reagimin e shitësit.” – thuhet në kurrikulë.

Pas një debati të madh publik, MASHTI kishte njoftuar se do t'i rishikonte materialet për edukimin seksual, të cilat më pas u tërhoqën nga përdorimi.

Ministria atëbotë madje kishte pranuar se në materiale arsimore kishte probleme serioze.

“Tre vitet e fundit kemi rishikuar shumë tekste dhe dokumente që kanë përmbajtje dhe gjuhë të papërshtatshme dhe denigruese sikurse edhe pasaktësi shkencore”, thuhej në reagimin e MASHTI-t.

Ky episod i ministers Nagavci, duket se tregon mënyrën se si është menaxhuar arsimi. Sistemi arsimor kërkonte reformë, punë, projektligje të reja, ndërkohë ministria, përpjekjen “kryesore” dhe kryetemë gjatë krejt qeverisjes “KURTI II”, në kontekstin e arsimit në vend e pati për doracakët seksual.

Pra, PISA tregoi se nxënësit kishin nevojë për përmirësim të matematikës, leximit dhe shkencës, ndërkohë, Qeveria Kurti, debatin institucional e përqendronte diku tjetër.

PISA po tregon se problemi shumë më i madh ndodhet në tekstet bazë dhe në mënyrën se si zhvillohen politikat arsimore në vend. Një rast tjetër që tregon se si qeveria menaxhoi me arsimin ka të bëjë me një përgjigje që Kryeministri Kurti e pati dhënë gjatë një interviste. Ai pretendonte se reformat në arsim po i pengon Gjykata Kushtetuese, sepse sipas tij, ky institucion mbante peng një rregullore për Universitetin e Prishtinës.

Gjerësisht besohet se reformat e thella në digastere shtetërore implementohen me ndryshime kushtetueshe, pako ligjesh, projekligje të veçanta, ndërkohë i pari i qeverisë pretendonte se një gjë e tillë arrihej me një rregullore.

PISA 2025

Rezultatet e PISA 2025 paraqesin një pamje alarmante të arsimit në Kosovë, me rezultate ndër më të dobëtat mes 91 vendeve dhe ekonomive pjesëmarrëse.

Nxënësit kosovarë morën mesatarisht 357 pikë në shkencë, 350 në matematikë dhe vetëm 340 pikë në lexim. Në zgjidhjen kompjuterike të problemeve, mesatarja ishte 359 pikë.

Të gjitha këto rezultate janë dukshëm nën mesataren e vendeve të OECD-së, sipas raportit zyrtar për Kosovën.

Regresi më i fundit është evidentuar në matematikë. Krahasuar me PISA 2022, rezultati i Kosovës ra për pesë pikë. Leximi ra për dy pikë, ndërsa shkenca mbeti statistikisht e pandryshua.

Megjithatë, krahasimi me vitin 2018 është edhe më shqetësues. OECD-ja konstaton se Kosova ka rezultate më të ulëta në të tria fushat: matematikë, lexim dhe shkencë.

Gjendja më e rëndë paraqitet në matematikë. Vetëm 15 për qind e nxënësve kosovarë arritën së paku nivelin bazë të aftësisë. Mesatarja e OECD-së ishte 65 për qind.

Kjo nënkupton se 85 për qind e 15-vjeçarëve në Kosovë nuk mund ta përmbushnin as standardin minimal të matematikës të përcaktuar nga PISA.

Në këtë nivel minimal, nxënësi duhet të jetë në gjendje ta paraqesë matematikisht një situatë të thjeshtë, si krahasimi i distancave ose konvertimi i çmimeve.

Pamja është pothuajse po aq e rëndë në lexim. Vetëm 16 për qind e nxënësve arritën nivelin bazë, kundrejt mesatares prej 69 për qind në OECD.

Pra, 84 për qind mbetën nën nivelin që kërkon identifikimin e idesë kryesore në një tekst mesatar dhe gjetjen e informacionit sipas kritereve të përcaktuara.

Në shkencë, vetëm 21 për qind arritën nivelin minimal, ndërsa mesatarja e OECD-së ishte 74 për qind. Pothuajse asnjë nxënës kosovar nuk arriti nivelet më të larta.

Në përgjithësi, 73.8 për qind e nxënësve kosovarë rezultuan nën nivelin bazë në të tri fushat njëkohësisht. Përqindja e nxënësve me performancë të lartë ishte praktikisht zero.

Tendenca afatgjatë është qartësisht negative. Krahasuar me vitin 2015, përqindja e nxënësve me rezultate të dobëta është rritur për shtatë pikë përqindjeje në matematikë dhe lexim.

Në shkencë, rritja e nxënësve nën nivelin bazë arrin në 11 pikë përqindjeje. Ky është regresi më i madh ndër tri fushat kryesore.

Ndërmjet viteve 2022 dhe 2025 është zgjeruar edhe hendeku mes 10 për qind të nxënësve më të mirë dhe 10 për qind të më të dobëtve në matematikë.

Problemet shfaqen edhe në vijueshmërinë e mësimit. Rreth 54 për qind e nxënësve deklaruan se kishin munguar së paku një ditë gjatë dy javëve para testimit.

Në vitin 2022 kjo përqindje ishte 51 për qind, ndërsa më 2018 ishte 46 për qind. Edhe mungesat në orë u rritën nga 48 në 56 për qind.

Raporti regjistron rënie edhe të mbështetjes familjare. Vetëm 50 për qind diskutonin çdo javë me prindërit për problemet në shkollë, nga 65 për qind më 2022.

Mbështetja e mësimdhënësve në shkencë gjithashtu është dobësuar krahasuar me vitin 2015. Raporti evidenton rënie të ndihmës shtesë dhe të përpjekjeve për t’u siguruar se nxënësit e kuptojnë mësimin.

Në testim morën pjesë 6 mijë e 632 nxënës nga 213 shkolla, që përfaqësojnë rreth 19 mijë e 900 kosovarë të moshës 15-vjeçare.

Rezultatet evidentuan edhe një here se Kosova po përballet me rënie të vazhdueshme të njohurive bazë, mungesave dhe mbështetjes për nxënësit.

Lajme të ngjashme