“Shteti zbarkoi" në Zubin Potok pas dyshimeve për mbetje mortore, Isufaj kërkon kujdes me deklarimet publike që të ruhen hetimet - NACIONALE

“Shteti zbarkoi" në Zubin Potok pas dyshimeve për mbetje mortore, Isufaj kërkon kujdes me deklarimet publike që të ruhen hetimet

2 orë më parë

nga NACIONALE

Në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës, kanë nisur gërmimet pas dyshimeve se në këtë lokacion mund të ketë mbetje mortore të civilëve të vrarë gjatë luftës së fundit. Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se bëhet fjalë për anëtarë të grupit të njohur si “Intelektualët nga Mitrovica”, të cilët rezultojnë të zhdukur më 19 prill 1999, ndonëse Kryeprokurori i Prokurisë Speciale, Blerim Isufaj, po kërkon te kihet kujdes me deklarimet publike.

Lokacioni është siguruar nga forca të shumta policore, ndërsa institucionet e Kosovës kanë nisur punën për verifikimin dhe identifikimin e mbetjeve.

Deklarimet e para erdhën nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili akuzoi Serbinë për ikje nga përgjegjësia dhe refuzimin e hapjes së arkivave të ushtrisë, duke shkelur Deklaratën e Brukselit për të zhdukurit. Kurti deklaroi se në terren janë angazhuar ekipet e Policisë së Kosovës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, me mbështetjen e EULEX-it.

“Dyshimi ynë i menjëhershëm, kur kemi marrë vesh se janë gjetur mbetje mortore, natyrisht ka qenë se bëhet fjalë për grupin e intelektualëve, 23-sosh, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën dhunshëm më 19 prill të vitit 1999, pra grupi i intelektualëve në Mitrovicë”, tha ndër të tjera Kurti.

“Derisa këto gërmime janë rezultat i punës së institucioneve tona, moszbatimi nga Serbia i Deklaratës së Brukselit për të zhdukurit me dhunë, e dakorduar më 2 maj 2023, përkatësisht refuzimi për të hapur arkivat e ushtrisë, është dëshmi se shteti fqinj vazhdon t’i ikë përgjegjësisë për krimet e kryera në vendin tonë gjatë Luftës së Fundit”, tha Kurti.

Gjithashtu, vendin e dyshuar e vizitoi edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Ka edhe dyshime të bazuara se për cilin grup shqiptarësh të ekzekutuar bëhet fjalë. Tashmë një grup ka filluar punën intensive”, ishin fjalët e para të Sveçlës.

Ai tutje tha se aksioni dhe gërmimet në veri janë rezultat i një hetimi intensiv dyvjeçar të kryer nga autoritetet e Kosovës, i cili çoi edhe në arrestimin e dy personave të dyshuar për krime lufte.

Vendin e ka vizituar sot edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila tha se në terren po angazhohen institucionet përgjegjëse për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Sot, bashkë me nënkryetaren, ministren Bogujevci, jemi këtu në fshatin Kalludër, për të parë nga afër punën e ekipeve tona në kërkim të së vërtetës për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Më lejoni që së pari të falënderoj institucionet e Republikës së Kosovës për përfshirjen në këtë proces, secilin institucion në veçanti: nga Policia, nga Prokuroria, nga Komisioni për Personat e Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, po ashtu nga IML-ja, por edhe secilin institucion tjetër që po e bëjnë angazhimin më të madh për të ardhur deri te e vërteta. Tash, ajo çfarë është konfirmuar është që mbetjet janë me prejardhje njerëzore. Tani duhet të presim punën e institucioneve kompetente për ekzaminime dhe për identifikim”, ka thënë ajo.

Ndërsa Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ndonëse mbajti qëndrim më teknik, konfirmoi se ky lokacion ka qenë në fokus të institucioneve për një kohë të gjatë. Ai theksoi se çdo informacion i saktë do t’u ndahet fillimisht familjarëve të viktimave, për të respektuar ndjeshmërinë e rastit.

Gjithashtu, sot në këtë lokacion të gërmimeve ka qëndruar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, së bashku me prokuroren e rastit, Florije Shamolli.

Ndryshe nga deklarimet e politikanëve, Isufaj ishte më i kujdesshëm; gjithashtu kërkoi që të ruhet hetimi dhe deklaratat publike mund ta dëmtojnë procesin.

“Po, gërmimet kanë filluar. Së pari, dua ta shfrytëzoj rastin për ta falënderuar Policinë e Kosovës për punën e madhe që kanë bërë, njëkohësisht duke i falënderuar edhe kolegët e mi, prokurorët specialë dhe stafin. Sigurisht që falënderimi shkon edhe për ekipin e Mjekësisë Ligjore, i cili është duke bërë një punë profesionale për identifikimin e atyre mbetjeve mortore, të cilat deri tash është vërtetuar se janë me origjinë njerëzore. Ky proces mund të zgjasë dhe nuk mund të themi se kur do të përfundojë. Ajo që ka shumë rëndësi është se identifikimi merr kohë dhe kërkon standarde për marrjen dhe identifikimin e secilit trup përmes ADN-së”, tha Isufaj para mediave nga vendi ku po bëhen gërmimet.

Ai tutje tregoi edhe procesin e vështirë që e pret ekipin e Mjekësisë Ligjore, pasi, siç tha ai, duhet të bëhet së pari rekonstruktimi i trupit.

Ndërsa ka shtuar se duhet të ketë kujdes me deklarimet publike, pasi që mund ta dëmtojnë procesin e hetimit dhe të devijojnë rezultatin përfundimtar.

Ai theksoi se Prokuroria Speciale do të zbatojë procedura shumë profesionale, të paanshme dhe të pavarura, me qëllim të respektit ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre.

Për këtë rast ka folur edhe mjeku i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, pas vlerësimit fillestar të ekipit në terren.

Haliti tha se ekipet kanë dalë në lokacion me urdhër të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për të vlerësuar origjinën e mbetjeve mortore dhe interesin e tyre forenzik.

“Po, sot jemi këtu me urdhër të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për të bërë një vlerësim në lokacion këtu në komunën e Zubin Potokut, ku janë gjetur disa pjesë kockore, për të cilat jemi thirrur ne si ekip i Institutit të Mjekësisë Ligjore që të bëjmë vlerësimin e origjinës, së pari, të këtyre mbetjeve mortore dhe interesit forenzik. Kështu që qëllimi i daljes së sotme ka qenë vlerësimi në këtë aspekt, që të vlerësojmë së pari se a kemi të bëjmë me mbetje mortore që janë me origjinë njerëzore dhe, së dyti, se a janë me interes mjeko-ligjor. Kështu që sot, siç na keni parë, ne kemi dalë këtu së bashku me të gjitha ekipet, edhe me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, Sektorin për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Departamentit për Krime të Luftës, komponentën e EULEX-it, e cila është në kuadër të IML-së, ku kemi filluar punën për ta bërë këtë vlerësim. Sipas vlerësimeve preliminare mund të konfirmojmë se mbetjet janë me origjinë njerëzore dhe se janë me interes mjeko-ligjor. Për momentin e kemi siguruar vendin e ngjarjes dhe, për shkak të kompleksitetit të vendit të ngjarjes, siç po e shihni, është terren malor, qasja është pak më komplekse. Kemi vendosur që tash të fokusohemi në përgatitje sa më të mirë për qasje në terren, në mënyrë që ta realizojmë gërmimin sa më profesionalisht. Kështu që krejt çka mund të konfirmojmë është se janë me interes mjeko-ligjor, janë me origjinë njerëzore dhe ditëve në vijim punimet do të vazhdojnë”, tha Haliti.

Duhet theksuar se dy persona të dyshuar në lidhje me këtë rast janë arrestuar të hënën nga Policia e Kosovës. Dy të dyshuarit janë Momir Jakšić dhe Miljko Biševac.

Lajme të ngjashme