Një debakël tjetër për Kosovën: Zgjedhjet në veri dhe serbët në jug
Më i rëndësishëm se statuti i Asociacionit – i cili nuk mund të dalë përtej kushteve të vëna nga BE-ja, ShBA-ja dhe Kushtetuta – tashmë është realiteti në terren. Çështja është se nën autoritetin e cilës palë do të jetë Asociacioni, Kosovës apo Serbisë? Dhe këtu, përsëri, shteti ynë po pëson debakël.
10 vjet më parë ishte arritur ajo që njihet më gjerësisht si “Marrëveshja e Zajednicës”. Nisur qysh nga emri, ajo pretendohej të ishte marrëveshje mbi parimet që rregullonin normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në të ndodhej Asociacioni – i quajtur për neovjë dramatizimi “Zajednicë” – por ndodhej edhe integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës.
10 vjet pas marrëveshjes për parimet e normalizimit, është arritur marrëveshja për rrugën drejt normalizimit. Pra, u desh një dekadë e plotë që të kalohej nga ‘parimet’ në rrugë. E nëse marrim parasysh gjendjen reale në terren, nga sokaku drejt normalizimit duket se po përfundojmë në ‘qorrsokak’.
Naiviteti i Kurtit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mënyrë ‘naive’ ka treguar se mund të mos e respektojë zotimin për Asociacionin të vitit 2013 pasi Serbia i kishte shkelur zotimet e saj të së njëjtës marrëveshje kur ishin larguar zyrtarët serbë nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.
“Këtu kemi një rast të mirë, që nuk kisha dashur të thellohem më tej por besoj po e kupton çfarë po them... A po m’kupton çfarë po them?” – i tha ai gazetarit pasi kishte cituar Nenin 10 (megjithëse jo bash saktë) të marrëveshjes. Pra, Neni 10 kërkon që të respektohen marrëveshjet e kaluara që “mbesin valide dhe të obligueshme”. Por, meqë – sipas Kurtit – Serbia e kishte shkelur Marrëveshjen e 19 prillit 2013, ajo nuk ishte më “valide dhe e obligueshme” për Kosovën.
Dhe mbani mend, Kurti fillimisht bëhej sikur as nuk donte ta shprehte një qëndrim të tillë në intervistë (e shpalosi si sekret që duhej të mbetej mes tij dhe gazetarit, përkundër që aty qëlluan edhe kamerat). S’vlen të lodhemi me seriozitetin e argumentit. Duket si të vinte nga një nxënës mesatar i ciklit fillor dhe jo nga një kryeministër. Por, ky është veç një ndër naivitetet e shumta prej tij.
Pala tjetër, Serbia, mijëra herë vetëm gjatë dy viteve të fundit ka kërkuar respektimin e po kësaj marrëveshjeje nga Kosova. Tash jemi kthyer në pikën 0, ku marrëveshja e ‘parimeve’ nuk po respektohet nga asnjëra palë.
A e bën kjo “jovalide dhe jo të obligueshme” marrëveshjen siç po pretendon kryeministri Kurti? Po, për aq sa do t’i bënte jovalide e të paobligueshme krejt marrëveshjet tjera që nuk janë zbatuar nga njëra apo pala tjetër.
Por, matanë këtij naiviteti ka probleme serioze që do t’i paguajmë shtrenjtë. Kosova ishte në avantazh të theksuar prej vitit 2013, kur megjithatë u bë një integrim domethënës i zyrtarëve serbë në institucionet e Kosovës. E para, përmes pikave që u zbatuan marrëveshja i dha Kosovës një platformë serioze prej ku të niste përpjekjen e saj që të zhbënte kërkesën serbe për një lloj ndarjeje nga pushteti qendror në Prishtinë. Dhe e dyta, përmes pikave që s’u zbatuan Kosova fitoi një kushtëzim të ri e të fortë (Asociacionin) për ta marrë njohjen nga Serbia. Përveç që e humbëm Asociacionin si kushtëzim (Marrëveshja e 27 shkurtit) e humbëm pjesërisht edhe integrimin e serbëve të Kosovës. Dhe tash, përveç që u pajtuam për formimin e Asociacionit, rrezikojmë ta humbim edhe autoritetin mbi të.
Serbët e jugut
Të ndalemi te e para. I kishim nëntë vjet e gjysmë kohë (deri në nëntor 2022) që të përdornim pushtetin e butë për ta luftuar pushtetin e vrazhdë të Serbisë mbi serbët e Kosovës. Dhe se sa kërcënuese ishte kjo gjë për Serbinë mund ta kuptojmë qoftë edhe përmes veprimeve të saj kundër politikanëve serbë me qëndrime më miqësore ndaj Kosovës të cilët u intimiduan, rrahën e u vranë pas vitit 2013. Mundësitë e Serbisë për homogjenizim të ligjërimit politik te serbët e Kosovës ishin të kufizuara kryekëput në dhunë. Dhe në një dhunë që u kufizua gjeografikisht vetëm në veri. Dhuna që erdhi nga Serbia nuk ishte shenjë e forcës së saj. Përkundrazi, ishte shenjë e dobësisë dhe panikut nga një situatë që po i jepte gjithnjë e më shumë favore Kosovës.
Kjo na dëshmohet edhe prej zgjedhjeve të kaluara lokale, por edhe prej largimit të serbëve nga institucionet. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, në të katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës kandidatët e Listës Serbe fituan me avantazh dërmues ndaj kundërkandidatëve. Ndërkohë, në komunat me shumicë serbe në jug, rezultati i tyre ishte dukshëm më i ngushtë. Bile në Kllokot, kandidati i Listës Serbe fare nuk do të fitonte pa balotazh siç pritej. E në balotazhin e muajit nëntor do të fitonte me më pak se 200 vota dallim. Në anën tjetër, e dimë se vendimi famëkeq i nëntorit për braktisje të institucioneve preku vetëm serbët në katër komunat në veri dhe jo ata në gjashtë komunat në jug.
Pse atëherë serbët në jug janë më miqësorë me Kosovën dhe kanë më shumë pluralizëm politik se sa ata në veri? Pse zyrtarët serbë në jug nuk dhanë dorëheqje si ata në veri? Pse kryetarët e komunave në jug nuk dhanë dorëheqje si ata në veri?
Sepse Serbia nuk ushtron dhe nuk ka mundur asnjëherë të ushtrojë pushtet të njëtrajtshëm e të palëkundshëm mbi serbët e Kosovës sikundër mendojnë shumica e shqiptarëve. Sa më e madhe prania e institucioneve, sa më i madh integrimi i serbëve në këto institucione, aq më e vogël prania e Serbisë.
Por, fatkeqësisht gjendja në veri është rënduar. Serbia po përfiton tepër shumë me çdo ditë që kalon me vakumin institucional, dhe natyrisht që Lista Serbe nuk merr pjesë në zgjedhjet e 23 prillit meqë kjo do t’i vinte digë humbjeve të Kosovës. Janë regjistruar dhjetëra incidente që mund ta përshkallëzojnë situatën. Këtë javë ishte kulmi. Policia e Kosovës gënjeu se policët e saj nuk ishin përfshirë në plagosjen e një qytetari serb në Leposaviq. Më pas kur u tha se kishte kamera që e dëshmonin të kundërtën, e pranoi se kishte gënjyer. Pse duhej të gjuante një polic i Kosovës drejt veturës së një qytetari kjo është krejtësisht e pakuptueshme, siç është edhe gënjeshtra e Policisë. Por, është e kuptueshme se të dyja këto veprime i shkojnë në favor Serbisë që ta homogjenizojë më tej pushtetin e saj te serbët e vendit, në jug e në veri.
Në këto rrethana do të mbahen zgjedhjet. Edhe nëse nuk do të ketë kurrfarë incidenti (shpresojmë) do të ketë mungesë të theksuar legjitimiteti për shkak të numrit të vogël të votuesve. Do të ketë arrogancë nga Qeveria e Kosovës dhe mosbesim shtesë ndaj autoriteteve të saj. Shumica dërmuese – që edhe shkaku i veprimeve të pamatura të Kosovës u shtynë kah Lista Serbe – nuk do të jenë të përfaqësuar politikisht. Dhe kjo paevitueshëm do t’ia rris hapësirën Serbisë për terror dhe do ta rris pushtetin e paligjshmërisë dhe abnormalitetit që do të reflektohen pastaj edhe në jug.
Zgjedhjet do ta ngurtësojnë status quo-në e nëntorit që i shkon në favor Serbisë. Zgjedhjet janë një dëshmi tjetër se si naiviteti e arroganca e Qeverisë, në vend se ta rrisnin praninë e Kosovës te serbët e saj në veri po e rrisin praninë e Serbisë te serbët në jug.
Pas energjisë që i jep autonomi pjesës veriore, pas pranimit të letërnjoftimeve të Rashkës, budallallëkut me targa, koncesioneve më 27 shkurt e 18 mars, kur do të ndalet Kosova së pësuari debakle të tilla?