Sulmet në Veri, tre elefantë në dhomë: Grupet e kontrabandës ndërruan anë, apo çka?
Edhe mbrëmë, edhe parmbrëmë, edhe gati çdo natë të kësaj jave pati sulme ndaj policëve të Kosovës në veri të vendit duke e rritur frikën për destabilizimin e mbarë Kosovës.
Policët tanë janë sulmuar me plumba, gurë, mjete piroteknike dhe/ose gjësende të tjera. Në fakt, sulmi i mbrëmshëm ende është nën hetime dhe nuk dihet nëse ishte i drejtuar kah policët tanë apo ndaj tjetërkujt në veçanti. Sidoqoftë, dihet se ndodhi në Lagjen e Boshnjakëve, vendbanimin me shumicë shqiptare në Mitrovicën e Veriut. Dihet se ndodhi pikërisht pas sulmeve të vazhdueshme ndaj policëve tanë gjatë kësaj jave.
Por, pse veriu i vendit papritmas u bë më fragjil?
T A R G A T
Pas disa ditësh skadon afati i marrëveshjes për targat. Mos-arritja eventuale e një marrëveshjeje të re në Bruksel, do të prodhonte menjëherë një rrethanë të re mbi të cilën parashikueshëm do të rriteshin tensionet në Prishtinë dhe Beograd si dhe do të vështirësohej jeta e qytetarëve serbë e shqiptarë.

Tash e një kohë të gjatë, delegacioni kosovar me atë serb janë duke punuar intensivisht nën lehtësimin e Bashkimit Evropian për arritjen e një marrëveshjeje të re. Një kompromisi të ri. Nëse do t’ia dalin që në kohë të prodhojnë marrëveshje, mbetet të shihet.
I V A N O V I Q I
Në fund të muajit mars, pretendime të reja dolën në dritë në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Politikani i moderuar serb nga Kosova ishte vrarë më 16 janar 2018 pranë zyrës së tij.
Boban Bogdanoviq – një shok i ish-kriminelit të vrarë serb, Aleksandër Gligorijeviq, i njohur si Puki – i kishte thënë KRIK-ut se një shok tjetër i tij i kishte folur për vrasjen e Oliver Ivanoviq duke i treguar se kush e kishte vrarë dhe kush e kishte urdhëruar vrasjen e tij.
Në kallëzimet e Bogdanoviqit përmenden dy serbë shumë të njohur për të gjithë ne. Milan Radojiqi – si personi që kishte organizuar aspektin logjistik dhe Zvonko Veselinoviq – si personi që kishte porositur vrasjen.
.jpg)
Nuk dihet nëse prapa sulmeve ndaj Policisë së Kosovës qëndrojnë këta dy persona me grupet e tyre të kontrabandës por ajo që dihet është se rehatia e tyre – edhe për çështje të krimit të organizuar – ka përfunduar. Madje, edhe në Serbi!
Për gjithë atë që tha, z. Boban Bogdanoviq tashmë është kontaktuar nga Prokuroria e Serbisë dhe shpresojmë se do të kontaktohet edhe nga Prokuroria e vendit tonë.
V U Ç I Q I
Aleksandër Vuçiq mund të ketë fituar bindshëm zgjedhjet e 3 prillit në Serbi por situata politike pas zgjedhjeve e ka vënë nën një trysni të paimagjinueshme. Protestat e shumta pro-ruse në Serbi dhe rritja e popullaritetit të tyre përbëjnë një rrethanë krejtësisht të re.
Grupet e kontrabandës në veri të Kosovës – nuk do shumë mend – se mund të jenë lidhur me forcat politike pro-ruse që po denoncojnë përditë e më shumë dhe përditë e më ashpër qëndrimin (sipas tyre) pro-evropian të presidentit serb.
“Ndërsa Vuçiç ishte gati të fitonte për shkak të trysnisë së tij ndaj mediave dhe institucioneve shtetërore, fitorja u ndihmua nga lufta në Ukrainë, e cila e lejoi atë të kultivonte imazhin e tij prej një burrështetasi të kujdesshëm. Por dëshira e Vuçiqit për t'u dukur si burrështetas dhe për të mbajtur kontrollin e parlamentit mund të minohet nga pakënaqësitë e forta pro-ruse dhe antiperëndimore në shoqërinë serbe që ai vetë ka inkurajuar”, shkruante Florian Bieber për Foreign Policy në një shkrim të titulluar “Fitorja Pirrike e Aleksandër Vuçiqit”.
Një gjë e tillë mund të çojë drejt një ‘lufte’ krejtësisht tjetër në veri të Kosovës. Bëhet fjalë për luftën mes eksponentëve të krimit të lidhur tashmë me elementet pro-ruse kundër strukturave paralele (Lista Serbe) të lidhur me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.
.jpg)
Denoncimi që i bëri dhunës ndaj policëve tanë Albin Kurti u qortua nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që i bënin thirrje vendit tonë, e me këtë edhe kryeministrit, që të mos ngutej në konkludime.
Kryeministri Kurti i ka bërë thirrje Vuçiqit që të distancohet nga kjo dhunë, por një gjë të tillë ai ende nuk e ka bërë. Nëse/ose kur presidenti Vuçiq do ta bëjë një gjë të tillë, atëherë lufta mes strukturave politike e institucionale të serbëve në Kosovë kundër elementeve kriminale pro-ruse do të bëhej krejtësisht e ekspozueshme.
Ç K A tutje?
Në rast se rritet popullariteti, e me këtë edhe forca politike (dhe e grupeve informale të përfshira në kontrabandë dhe kriminalitet) për forcat pro-ruse, presidenti serb Aleksandër Vuçiq do ta ketë të humbur përditë e më shumë pushtetin e tij brenda Serbisë. Një gjë e tillë do ta detyrojë atë që të zgjedhë mes ashpërsimit të retorikës kundër forcave pro-ruse dhe efektivisht të luftojë eksponentët kriminalë të tyre ose të bëhet bashkë me ta. Kjo e fundit përbën problem të jashtëzakonshëm për Kosovën!
Në rast se Vuçiq nuk lejon daljen nga kontrolli të kësaj pjese, kjo do të çonte drejt një retorike edhe më agresive ndaj Kosovës. Dhe, nga e thëna në të bërë – për Serbinë – nuk qëndron një det i tërë! Kthimi kah Rusia i presidentit të Serbisë do të çonte menjëhershëm drejt një përshkallëzimi tensionesh dhe drejt destabilizimit të pjesës së veriut të vendit.

Sidoqoftë, versioni më i mundshëm është që Vuçiq të vazhdojë me agjendën e tij të deritashme politike. Protestat në Beograd dhe sulmet në Veri të Kosovës mund t’i ‘sheshojë’ duke rritur ‘dozën’ e autoritarizmit përmes rritjes së kontrollit të mediave dhe të institucioneve tjera të pavarura.