Mbi 100 të vdekur nga shembja e një miniere të arit në Republikën Qendrore Afrikane - NACIONALE

Mbi 100 të vdekur nga shembja e një miniere të arit në Republikën Qendrore Afrikane

11 orë më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 100 njerëz e humbën jetën, kur një minierë artizanale e arit u shemb të martën në Republikën Qendrore Afrikane, tha një zyrtar i lartë në një shoqatë lokale të minatorëve.

Një prokuror konfirmoi se ka ndodhur shembja e një miniere në fshatin Zamboye, afër kufirit me Kamerunin, por tha se numri i të vdekurve dhe hollësitë e tjera ende ishin duke u përcaktuar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Prokurori tha në një deklaratë se përpjekjet për shpëtim ishin duke vazhduar dhe se do të hapej një hetim për ta marrë vesh shkaktarin e shembjes dhe kush po e menaxhonte vendin e ngjarjes.

Autoritetet kamerunase thanë se janë të gatshme që të pranojnë persona të lënduar që e kanë kaluar kufirin dhe t’u ofrojnë kujdes shëndetësor.

Minierat artizanale mbështesin njerëz në mbarë Afrikën, por rregulloret e dobëta dhe standardet e ulëta të sigurisë shpesh çojnë në aksidente vdekjeprurëse.

Lajme të ngjashme