Heroi i harruar nga viti 2016
Në çdo kohë ka nevojë për heronj edhe kur ata janë ndryshe nga përfytyrimi popullor që u jep tipare mbinjerëzore. Ka disa arsye shtrënguese pse gjyqtarit, Beqir Kalludra, i rri për shtat nderi i të qenit një nga heronjtë më të mëdhenj qytetarë. Sot, sistemi i drejtësisë është i pafuqishëm për të lëshuar qoftë edhe një fletarrest për Kurtin edhe kur ky anarkizohet dhe e fyen Prokurorinë Speciale. Sot nuk gjendet as edhe një hetues i vetëm që guxon të marrë përsipër një hetim për njerëzit e partisë në pushtet. Në kohën kur Kosova nuk ishte ende e robtuar nga ekstremistët e majtë, gjyqtari Beqir Kalludra e sillte edhe me forcë Kurtin nga ‘ilegaliteti’, e përplaste në paraburgim ose e vinte në arrest shtëpiak. Është i vetmi gjyqtar që guxoi t’i dënonte me 21 vjet heqje lirie militantët e Vetëvendosjes për sulmin terrorist të kryer më 4 gusht 2016. Kur të çlirohet vendi nga kapja, shembulli i këtij gjyqtari kurajoz duhet të frymëzojë hetues, prokurorë e gjyqtarë që do të kenë punë me trashëgiminë korruptive të Vetëvendosjes. Faleminderit, zoti Beqir!
Col Mehmeti
19 gusht 2026 –Te drama ‘Galileo’ e Bertolt Brechtit, personazhi me emrin Andreu thotë: “I pafat është ai vend që s’rrit heronj!” (Unglücklich das Land, das keine Helden hat!)
Atij i përgjigjet sakaq personazhi tjetër, Galileo: “Jo. I pafat është ai vend që ka nevojë për heronj!” (Nein. Unglücklich das Land, das Helden nötig hat!).
Kjo ndërdyshje e artit dramatik mund të vlejë sot e gjithë ditën si pyetje për secilin prej nesh.
A është e pafat Kosova që nuk rrit sojin e heronjve civikë apo Kosova është e pafat pikërisht pse ka nevojë për heronj?
Për vete i mbahem asaj që një hero e bën diferencën kundrejt një shoqërie të përbërë nga tuca e qyqarë.
Pra, jam me Andreun më shumë se me Galileon.
Po bëhet viti i shtatë që kur pisllëqet e një partie me etos antishtet e kanë shndëruar vendin në distopi midis Evrope.
Rezistenca është aq e vakët për shkak se kujtesa kolektive është aq ditëshkurtër.
Nuk ka mbamendje as për vitet ku paralajmërohej sigurt gjëma që do ta përlante vendin.
Ndërsa këtyre ditëve po bëja një skicë rrëqethëse për kapitujt e turpshëm kur Albin Kurti nuk i është përgjigjur asnjë ftese të bërë nga organet e drejtësisë, vëmendjen ma ngacmoi një histori e pluhurosur në harresë.
Vitin e kaluar, asnjë gjyqtar nga Gjykata Themelore në Prishtinë nuk pati guximin të nënshkruante një urdhërarrest të thjeshtë për Kurtin.
Për muaj të tërë, ai nuk iu përgjigj thirrjeve të përsëritura të Prokurorisë për të dhënë dëshmi në rastin e aferës me keqpërdorime të rezervave shtetërore.
Kryeministri teknik përnjëherësh u kthye në banditin e vjetër urban sa prokurorëve iu ngërmua me tone kërcënuese nëse do të guxonin t’i shkonin në zyrë.

Por, dhjetë vjet më parë një gjyqtar ishte në lartësinë e duhur profesionale sa provokatorin më të madh në Kosovë ta sillte me forcë para Gjykatës, ta përplaste në paraburgim apo ta mbante në arrest shtëpiak.
Gjyqtari, Beqir Kalludra, sa kohë ishte pjesë e Gjykatës Themelore të Prishtinës, mbetet i vetmi deri më sot që e detyroi Kurtin të palohej para drejtësisë së shtetit.
Pjesa në vijim e tekstit nuk është një profil për gjyqtarin sa është një histori e rasteve kur sistemi gjyqësor procedonte pa u dorëzuar para frikës.
Kur urdhërarrestet e gjyqtarit Kalludra e sillnin me forcë Kurtin në Gjykatë
Nga viti 2010 kur u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka sfiduar rëndshëm nocionet themelore të shtetit ligjor.
Edhe kur mbi të rëndonin vepra të rënda penale – të tila si përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm – ai nuk i përgjigjej as ftesave të Prokurorisë e as atyre të Gjykatës.
Gjatë muajve tetor e nëntor të vitit 2015, deputeti i Vetëvendosjes i shtynte ditët në ‘ilegalitet’ pasi nuk bindej se nuk bindej që të paraqitej në Gjykatë.
Vetëm më 28 nëntor të atij viti, shteti ia doli mbanë ta lidhte Kurtin.
Rastin e tij e kishte marrë përsipër gjyqtari, Beqir Kalludra nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Gjyqtari që e bëri sus Kurtin
Kur erdhi momenti i sprovës, në seancën
e mbajtur më 23 shkurt 2016, insolenca e Kurtit la nam.
Ajo qe e tillë që nuk ishte regjistruar asnjëherë në transkriptet e gjykimeve.
Plot arrogancë ndaj sistemit vendor të drejtësisë që nuk pranonte ta njihte as si instancë gjykuese, ai nuk e njihte as avokaten Hedije Ademi që Gjykata ia caktoi si mbrojtëse.
Me të filluar seanca, pa trohë respekti ndaj protokoleve gjyqësore, rebeli pa kauzë kërkoi që t’i jepej fjala.
Me këtë rast, gjyqtari Kalludra i shtyrë nga një ndjesi empatie e lejoi të pandehurin të merrte fjalën.
Përplasja e mëposhtme, siç ruhet nga transkriptet dhe incizimet e asaj dite, kronikon dy botë ndryshe-ndryshe, atë të rendit dhe ligjit, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, atë të anarkisë e arrogancës ideologjike.
Gjyqtari Kalludra: “Ligjërisht nuk keni të drejtë të deklaroheni, mirëpo dëshiroj t’ua jap rastin që të mos ndiheni i privuar në njëfarë mënyre morale që Gjykata nuk ju dha mundësi për t’u shprehur”
Provokatori Kurti: “Nëse s’kam të drejtë ligjërisht, pse po e shkelni ligjin? Ç’është kjo ‘morali’ e ‘ligji’, çka janë këto sene?”
Gjyqtari Kalludra: “Atëherë nuk e keni këtë të drejtë!”
Provokatori Kurti: “A ma dhatë fjalën a s’ma dhatë?”
Gjyqtari Kalludra: “Jo, nuk po jua jap”.

Më pas dëgjohet si nëpërdhëmbët deputeti harrakat i VV-së tek thotë se avokatia Hedije Ademi nuk ishte përfaqësuese e tij, se ajo qe e caktuar nga “sistemi”, e se do t’i dilte zot vetes.
Ç’është e vërteta, vendosmëria e gjyqtarit Kalludra mjaftoi që drejtësia të ngrihej në lartësinë e vet.
Aty iu shemb dhéu nën këmbë planit të politikanit ekstremist që u orvat ta kthente gjykatoren në spektakël moralizues.
Për vite të tëra, ‘aktivistët’ ndiheshin sikur ishin moralisht të pagjykueshëm edhe kur konsumonin veprat më të rënda penale.
Kur Gjykata sillej butë e njerëzishëm ndaj mosnjohësve të tillë, sa edhe iu lejonte fjalën përkundër që nuk parashihej në shartet procedurale, njerëzit e Vetëvendosjes donin ta çnjerëzonin atë përmes fjalimeve toksike.
Kur organizata kaloi në terrorizëm
Nëse Kurtit s’i kishte mbetur tjetër veçse të përballej me gjykata, partia e tij tashmë po vinte në lojë strategjinë e menduar kaherë.
Vera e 2016-s kaloi me ngjarje që Kosova e pasluftës nuk i kishte parë kurrë.
Kur VV-së nuk po i kryente punë ‘lufta’ e saj në Kuvend me gaz lotsjellës e ballafaqime fizike, militantët e saj filluan përgatitjet që të kalonin në ‘ilegale’ e nga bota e nëndhéshme të vinin në përdorim violencën.
I planifikuar që nga blerjet e rekuizitave e deri te hollësitë më të imëta, sulmi me predhë antitank ndaj një pjese të godinave institucionale shënoi apogjeun e akteve më të dhunshme në Kosovë.
Në orën 23:05, në natën e 4 gushtit, persona të maskuar, nga një motoçikletë në lëvizje, shkrepën me rakatahedhës drejt asaj pjese të Kuvendit të Kosovës ku ndodhej Zyra e Presidentit Hashim Thaçi.

Pesë ditë pas këtij sulmi, dikush e la një granatë dore në ballkonin e shtëpisë së njërit prej profesorëve më të mirë në vend, Murat Meha.
13 ditë më vonë, persona të panjohur hodhën një mjet shpërthyes në oborrin e shtëpisë së drejtorit të atëhershëm të RTK-së, Mentor Shala.
Tani, dorasit e panjohur, fantomë, kishin filluar të çonin selame nga larg për sulmet e kryera.
Një adresë elektronike “rugovasit23@gmail.com” e merrte përgjegjësinë për sulmin, madje tërhiqte vërejtjen se në të ardhmen mund të kishte edhe viktima.
Pas një pune metikuloze të hetuesve në Policinë e Kosovës, ku ishte kërkuar edhe ndihma e FBI-së, më 30 gusht u vunë në pranga Astrit Dehari, Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi, Petrit Ademi dhe Adea Batusha.
Që të gjithë ishin papërjashtimisht aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Lexo edhe: Frymëzime terroriste: një dekadë pas sulmit terrorist të VV-së
Gjyqtari që i zbuloi manipulimet e militantëve brenda gjykatores
Mbi një vit e kusur rragatje nën kërcënimet herë të drejtpërdrejta e herë të tërthorta të ekstremistëve të majtë, gjyqtari Beqir Kalludra e çoi procesin drejt epilogut.
Më 27 nëntor 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë e rrahu çekanin e saj duke i shpallur fajtorë katër të akuzuarit, të cilëve iu shqiptoi një dënim prej 21 vitesh e gjashtë muajsh burgim (Frashër Krasniqi me 8 vjet, Atdhe Arifi me 6 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë dhe Adea Batusha me 2 vjet).
Shqiptimi i dënimit sikur e la në harresë sesa i pazakontë kishte qenë rasti përgjatë dhjetëra seancave.
Të ndërsyer edhe nga këshillat e partisë, aktivistët e akuzuar kishin prekur kufijtë e çdo manipulimi.
Seancat ktheheshin në spektakël pafytyrësie nga të pandehurit, të cilët duke e imituar Kurtin as nuk ngriheshin në këmbë për të respektuar Gjykatën.
Në rrjedhë e sipër të procesit ishte ftuar në cilësi dëshmitari Heset Ramadani, i cili ua kishte shitur motoçikletën e tipit Yamaha 125 CC dhe me të cilën ishte kryer sulmi terrorist më 4 gusht.

Foto nga arkivi: Poster në kryeqytet ku partia i mbronte “aktivistët e pafajshëm” (Burimi: koha.net)
Ndonëse dëshmitari qe në gjendje t’i pikaste me emra e mbiemra ata që ia kishin blerë motoçikletën, të akuzuarit zgjodhën të mbroheshin duke bërë sulme nën brez.
Ata shpërdoruan atë që në praktikat ligjore quhet cross-examination, pra pyetjet që i bëhen një dëshmitari që ka dhënë tashmë dëshmi.
Por, këto rrengje nuk kishin kaluar te gjyqtari Beqir Kalludra.
Në aktgjykimin e lëshuar nga ai vlerësohej se qëndrimi i katër të akuzuarve kishte qenë i pashembullt në praktikën gjyqësore të Kosovës.
Kështu, sipas tij, “të akuzuarit….gjatë shqyrtimit gjyqësor parashtronin pyetje, bile edhe aso me karakter kërcënues”.
Ndonëse me arsimim të ulët, dëshmitari Heset Ramadani kishte qenë në gjendje të tregonte me emra se cilëve persona ua kishte shitur motorin, “të akuzuarit janë munduar ta vënë në dyshim besueshmërinë e dëshmitarit, duke i bërë pyetje të natyrës se a ka pasur biznesin e regjistruar, a ka paguar taksa për veprimtarinë, por pa arritur t’i vënë në pikëpyetje deklarimet e tij”.
Po i njëjti gjyqtar iu kishte dhënë një dackë turinjve aktivistëve në sallë të cilët blerjen e motoçikletës e kishin bërë në mënyrë klandestine “anipse si qytetarë të Republikës së Kosovës pretendojnë se me zell mbrojnë interesat e saj, nuk kanë lidhur një akt shitblerje të vërtetuar te noteri, veprim i nevojshëm sipas legjislacionit në fuqi”.
Gjyqtari që kapi në nuanca “vetëdijen kriminale” të militantëve
Gjyqtari Kalludra nuk e humbi toruan as kur aktivistët e akuzuar përdorën çdo lloj mjeti për të shtrembëruar dëshmitë e paraqitura kundër tyre apo për të fshehur provat inkriminuese.
Në një rast, njëri nga të akuzuarit kishte pranuar se e kishte blerë motorin, por më pastaj nuk e përsëriti të njëjtin deklarim.
Në akgjykim, Kalludra vinte në dukje se të akuzuarin e kishte tradhtuar vetëdija kriminale duke mos qenë i kujdesshëm përballë detajeve.
“Ekzistimi i një fakti real instinktivisht u pranua, pra me këtë fitoi instinkti natyror i së vërtetës në raport me vetëdijen dhe se vetëdija kriminale – djallëzore për një moment nuk ishte e kujdesshme”.
Lexo edhe: Terrori, armët e prodhimit jugosllav dhe heroizimi i gabuar
Beqir Kalludra, emri që e frikësonte një parti të tërë
Në vitin 2017, Vetëvendosja më së shumti e kishte zët gjyqtarin, Beqir Kalludra.
Me një frikë manifeste kudo e kurdo, kjo parti e apostrofonte emrin e tij në dhjetëra afishe që i shpërndante përmes kanaleve të saj propagandistike.
Por, gjyqtari Kalludra nuk dukej se po sprapsej kurdo që i qëllonte të merrej me rastet e partisë anarkiste.
Në javën e tretë të nëntorit 2017, ai do të nënshkruante fletëarrest për Kurtin i cili sërish po i bishtnonte paraqitjes para institucioneve të drejtësisë.

Guximi i gjyqtarit bëri që Kurtit t’i ndalej atypëraty insolenca.
Ai u arrestua në mëngjesin e 24 nëntorit 2017 teksa po hynte në Kuvendin e Kosovës.
Gjykata e Apelit do ta nxirrte nga paraburgimi e do t’ia zëvendësonte masën me arrest shtëpiak.
Por, Kurti do të tallej sërish me këtë masë sepse më 27 nëntor sërish u pa midis sheshit të Prishtinës tek festonte me militantët e tij.
Atij do t’i viheshin prangat po atë natë.
Askush nuk do ta mendonte se ky do të ishte arrestimi i fundit.
Apeli do ta refuzonte kërkesën e avokatit mbrojtës, dhe Kurti do ta kalonte gjithë muajin dhjetor në burgun e Lipjanit.
Dhjetor 2017: Përballja e fundit
Mu në këtë kohë, Vetëvendosja pësoi çatrafilimin e parë të radhëve të saj.
Ajo që nga jashtë dukej si një bashkësi monolite brenda një muaji përfundoi në ndarje të partisë.
Ata që dukeshin si bashkëpunëtorë të ngushtë u gjenden midis situatash të rënda ku për pak u kalua në dhunë brenda llojit.
Edhe pse e kishin hermetizuar çdo informacion për publikun, organizata semiterroriste kishte kohë që po brehej nga përçarjet e brendshme.
Aktivistët e orëve të para që ishin të afërt me Sekretarin Organizativ, Dardan Molliçaj përnjëherësh ishin gjendur si pakicë brenda një partie që po bëhej më egërshane e më armiqësore ndaj tyre.
Krahu i Kurtit, tek i cili anonin një pjesë më e madhe e militantëve, po përpiqej ta merrte drejtimin e partisë.
E gjithë përpjekja e tyre ishte për ta zbuar kryetarin formal e anemik, Visar Ymeri, e ta vinin sërish në krye ‘babën’ që hiqej si martir i gjallë në burg.
Kur uji i përçarjes po e merrte pa kthim shtëpinë, Kurti nga burgu do ta ‘kontrabandonte’ një letër me të cilën sulmonte pamëshirshëm rivalët e tij në parti.
Gjyqtari që doli i fituar mbi ekstremistin
Edhe kur bashkëpunëtorët e tij i eliminoi një nga një nga partia, ai ende nuk po këndellej nga frika që kishte prej gjyqtarit Kalludra.
Në seancën e 29 dhjetorit 2017, Kurti sërish do ta bëhej skilja e vjetër që nga i akuzuari bëhet akuzues.
Në ‘fjalimin’ që mbajti atë ditë, pjesën më të madhe ia kushtoi Beqir Kalludrës që, sipas tij, kishte “qenë shumë më i ashpër kundër neve të pandehurve sesa edhe vetë prokurori”.
Rresht pas rreshti, teksa e keqpërdorte hapësirën në Gjykatë, Kurti shigjetonte me sulme ad hominiem ndaj gjyqtarit.
Shpesh, ato preknin edhe kufijtë e patetizmit kur anarkisti nga salla e shpallte veten antifashist.
“Unë jam antifashist”, tha ndër të tjerash ai.

Por, tiradat morale të Kurtit nuk do ta pakësonin peshën penale të veprave që i ngarkoheshin.
Disa ditë më vonë, më 3 janar 2018, Gjykata Themelore e Prishtinës e shpalli aktgjykimin ndaj Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj-Bujupit dhe Faton Topallit.
I shpallur fajtor për përdorim të armës dhe mjetit të rrezikshëm si dhe për pengim të personit zyrtar, Kurti u dënua me 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht.
Ndonëse nuk parashihej që të dënuarit të mbaheshin në burg, ky do të ishte dënimi i fundit për Kurtin.
Me këtë do të përfundonte epoka kur sistemi i drejtësisë kishte guximin t’i vinte fre e të mos sprapsej edhe kur i pari i Vetëvendosjes tregohej mohues ndaj njërës prej shtyllave kryesore të shtetësisë së Kosovës. /Nacionale/