Ulemaja e Vuçiqit – rreziku i shpërfillur për Kosovën
Shteti i Kosovës, së paku publikisht, nuk duket që në defterët e tij të ketë shpallur ‘non grata’ klerikë nga Serbia që janë bashkëpunëtorë të ngushtë të Vuçiqit. Kur Policia e Kosovës tash së fundmi ndaloi dy predikues radikalë nga Bosnja, shumë episode nga historia më e re janë harruar ose janë fare të panjohur. I tillë është edhe profili i Myftiut të Madh, Mevlud Dudiq, që është në krye të Meshihatit të Bashkësisë Islame në Serbi. I njohur për lidhjet e tij me Vuçiqin dhe Daçiqin – madje i angazhuar nga Serbia për t’i trashur lidhjet me myslimanët në Federatën Ruse – 60 vjeçari nga Tutini vite më parë u kërkonte shqiptarëve në Preshevë që ta deklaronin identitetin fetar e jo atë kombëtar. Dudiqi, i cili e flet shqipen e krahinës së Tutinit, përfaqëson vetëm një nga dimensionet më pak të përmendura të përpjekjeve të Serbisë për ta instrumentalizuar fenë në luftën e shumënduartë kundër Kosovës. Tri aferat e fundit me spiunë – ajo me Hysri Selimin, Fehim Saliun dhe tani me Fatmir Shehollin – dëshmuan se shërbimet serbe të sigurisë po përpiqen aktivisht të krijojnë bashkëpunëtorë nga radhët e qarqeve ekstremiste fetare në Kosovë.
Col Mehmeti
25 gusht 2026 – Institucionet e sigurisë në Kosovë sot e gjithë ditën nuk disponojnë një dokument të tipit ‘Kush është kush’ për klerikët e dy organizimeve më të madhe myslimane në Serbi.
Në javën e dytë të gushtit, Policia ndaloi
dy predikues radikalë nga Bosnja, Evledin Peziq dhe Mithad Qeman, për një aktivitet të paralajmëruar në Dobrushë të Istogut.
Megjithëse ndalimi nuk kishte pas vete një non grata nga Ministria e Brendshme, zhvillimet e fundit ngrenë plot pikëpyetje mbi përpjekjet e shtuara të Beogradit për të destabilizuar rajonin.
Nëse gjatë procesit gjyqësor vërtetohen disa nga provat e përfshira në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj Fatmir Shehollit, aty ishte përmendur edhe ndikimi nga Sanxhaku i Pazarit të Ri.
Sipas skenarit të shestuar nga BIA serbe, plani për rritjen e radikalizmit dhe ekstremizmit islamik do të ndihmohej, veç të tjerash, edhe me operativë nga Sanxhaku.
Sa dimë për krahinën që shtrihet në veriperëndim të kufijve të Kosovës, me qendërbanimet kryesore në Pazar të Ri, Senicë e Tutin?
Cilat janë organizimet e atjeshme fetare që mund ta çikin sigurinë e Republikës së Kosovës?
Gazeta NACIONALE ka kronikuar disa prej aspekteve thelbësore të jetës politike, fetare e kulturore në shtetin fqinj.
Kush janë IZuS dhe IZU?
Në Serbi, që nga viti 2007, ekzistojnë dy struktura të ndara organizative që pretendojnë përfaqësimin e myslimanëve.
Ndonëse nuk e njohin njëra-tjetrën, ‘Bashkësia Islame në Serbi’ dhe ‘Bashkësia Islame e Serbisë’ njihen zyrtarisht nga Beogradi.
Dallimi i tyre formal është vetëm gjuhësor ku njëra e ka parafjalën ‘u’, siç kuptohet nga formulimet zyrtare ‘Islamska zajednica u Srbiji’ (shkurtesa, IZuS) dhe ‘Islamska zajednica Srbije’ (dhe IZS).
Përtej grindjeve të vazhdueshme, dy organizimet paralele hahen mes vete edhe për orientimin e tyre.
Nëse IZuS-ja me seli në Pazarin e Ri e cilëson veten si të lidhur me Bashkësinë Islame të Bosnjës, IZS-ja, në anën tjetër, me seli në Beograd, ngulmon për një organizim të pavarur.
Megjithëkëtë, të dyja organizimet shquhen përgjithësisht për lojalitet ndaj regjimit të Vuçiqit.
Nga viti 2006 kur u miratua Ligji për Pozitën e Kishave dhe Bashkësive Fetare në Serbi, ‘skizma’ e brendshme u përqëndrua mes atyre që i shkonin pas myftiut, Muamer Zukorliq, dhe të tjerëve që mbaheshin me myftiun, Muhamed Jusufspahiq.
Vuçiqi, Turqia…
Në momente të caktuara, të dy rivalët do të akomodoheshin me poste politike.
Përveçse deputet, Zukorliqi dhe partia e tij ‘Stranka pravde i pomirenja’ më 2017 përkrahu nxehtësisht Vuçiqin gjatë zgjedhjeve presidenciale.
Deri më 2021, ai në të shumtën e herave mbajti anën e SNS-së, pra partisë së Vuçiqit.
Sebep kësaj afrie, teologut në fjalë do t’i besohej asgjë më pak se posti i nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë.
Në anën tjetër, myftiu i Beogradit, Muhamed Jusufspahiq, u angazhua në diplomacinë e shtetit serb, duke shërbyer si ambasador i Serbisë në Arabinë Saudite.
Duke qenë të hasmuara, edhe Turqia qe e përfshirë në përpjekjet për t’i paqtuar dy tarafet rivale, porse ajo i thelloi përçarjet edhe më.
Siç ishte krijuar mbresa mes njerëzve në Sanxhak, plani turk më fort favorizonte tarafin e lidhur me Beogradin.
Një përfaqësues diplomatik turk kishte marrë pjesë në ceremoninë e emërimit të një myftiu për Tutinin që ishte i lidhur me IZS-në.
Instrumentalizimi i myftinive në Luginë
Por, cili vallë është qëndrimi i dy komuniteteve paralele kundrejt shqiptarëve dhe Kosovës?
Të dyja zaednicat nuk lëshojnë pé nga orvatjet për të krijuar pasues veçmas në komunat e banuara me shqiptarë në Luginë.
Thuajse e harruar nga mbamendja, një vizitë e kreut të IZuS-së, Mevlud Dudiq, në Preshevë pati dhënë mesazhe tejet kundërthënëse.
Të dielën e 5 majit 2018, në Shtëpinë e Kulturës ‘Abdullah Krashnica’, ishte mbajtur ceremonia e diplomimit të gjeneratës së parë të degës së medresesë Gazi Isa-beg në Preshevë.
“Nuk jeni shqiptarë, jeni myslimanë”
Në praninë edhe të përfaqësuesve të tjerë të IZuS-së – ku mes tyre ishte edhe kreu tashmë i ndjerë i Bashkësisë Islame të Preshevës, Fikret Limani – Dudiqi në adresimin para të pranishmëve shkrehu deklarime të rënda në kurriz të identitetit shqiptar.
Ndërsa e kujtonte kohën e studimeve të tij si medresant në Prishtinë, ai tani nuk e cilësonte veten shqiptar.
“Para tridhjetë e tri vjete kam qenë maturant i medresesë ‘Alaudin’ në Prishtinë. S’kam ditë asnjë fjalë në gjuhën shqipe. Nuk jam shqiptar, unë jam mysliman si edhe ju që jeni”, kishte thënë
Dudiq i pasuar me ovacionet e të pranishmëve në sallë.
Në vazhdim, Myftiu i Madh i Pazarit të Ri kishte pohuar se ishin të gabuara pretendimet se ai po bënte boshnjakizimin e Luginës së Preshevës.
“Jo, ata u gabuan. Ne po bëjmë islamizimin e Sanxhakut, Bosnjes, Kosovës, Preshevës dhe Ballkanit. Ai është qëllimi jonë”, theksoi Dudiq.
Dudiq: “Duam universitet boshnjakisht në Prizren”
Megjithëse i përmend vazhdimisht vitet e tij të studimeve në medresesnë ‘Alaudin’ në Prishtinë, ka edhe disa kapituj fort problematikë në veprimtarinë e tij prej kleriku.
Në fillim të viteve ’90, në kohën e represionit të madh të regjimit të Millosheviqit, ai qe anëtar i Këshillit të së ashtuquajturës Bashkësi Islame për Kosovën, Serbinë dhe Vojvodinën.
Pas zgjedhjes në krye të ‘Meshihatit’ (organ ekzekutiv i IZuS-it), Dudiq në janar të 2014-s kreu vizita në Pejë, Prizren, Dragash e Prishtinë, ku takoi edhe kreun e BIK-ut, Naim Tërnava.
Gjatë një interviste të dhënë për Radio Kosovën në edicionin në boshnjakisht, kreu i IZuS-it shkoi deri atje sa të kërkonte edhe universitet boshnjak në Prizren.
“Mendoj se boshnjakët e meritojnë atë, mendoj se Qeveria e Kosovës ua ka borxh atyre, se ka detyrime ndaj tyre”, kishte thënë mes të tjerash Dudiq.
Dudiqi ankohej se nuk po deklarohej identiteti boshnjak
Nëse kreu i Meshihatit në Preshevë e theksonte identitetin fetar të shqiptarëve, në raste të tjera ai nuk ia huqte të bënte thirrje që boshnjakët kudo të deklaroheshin boshnjakë.
Në gusht të 2022-s, me rastin e Ditës së Bashkimit Boshnjak, të organizuar nga Fondacioni Boshnjak dhe Bashkësia e Diasporës së Sanxhakut, Dudiqi e kishte përmendur një vizitë tjetër të bërë në Prizren.
Në fjalimin e mbajtur asohere, ai shfaqi brengën se torbeshët, goranët e pomakët nuk po deklaroheshin boshnjakë, por po shënoheshin edhe si bullgarë.
“Iblisi i mallkuar ia mbushi mendjen Adamit që të mos ishte ai që ishte. Allahu ia mësoi Adamit emrat e gjërave. Ne rrahim gjoks se jemi myslimanë të mëdhenj, e pastaj i dëgjojmë disa tek thonë se nuk janë të interesuar e nuk pranojnë të deklarohen në regjistrim”, kishte thënë Dudiq.
Një shqiptar i boshnjakizuar nga Tutini?
Sadoqë thotë se shqipen e ka mësuar në Prishtinë, në të vërtetë Dudiqi vjen nga treva e Tutinit ku gjer vonë flitej shqipja gjerësisht.
Sipas vëzhgimeve të etnografit frëng, Gustav Gravier, në fillim të shekullit të kaluar shumica e fshatrave të Peshterit ishin ‘arnaute’.
Në periudhën 1941-44, Tutini u bë pjesë e Mbretnisë shqiptare duke njohur juridiksionin e Tiranës dhe duke bërë pjesë në prefekturën e Pejës.
Në këto vite, sipas dokumentacionit që ruhet në Arkivin e Shtetit në Tiranë, banorët e Tutinit e pritën me entuziazëm bashkimin e krahinës së tyre me pjesët e tjera të Shqipërisë.
Megjithatë, këto realitete do të përmbyseshin kryekreje në Jugosllavinë e pas 1945-s.
Kur nga vitet ‘60 e tutje, Tito nisi të përkrahte gjithnjë e më shumë identitetin boshnjak, shqiptarët e Peshterit, pa shkolla shqipe e të shkëputur nga Kosova, zunë të asimiloheshin në masë.
Një shëtitje në jetëshkrimin e Dudiqit
I lindur më 21 korrik 1966 në Biohan të Tutinit, ai ishte fëmija i dytë nga gjashtë fëmijët e prindërve Hysen dhe Mushka.
Pas mbarimit të fillores në Tutin, adoleshenti sanxhakli do të vazhdonte shkollimin e mesëm në medresenë ‘Alaudin’ në Prishtinë gjatë viteve 1981-1985.
Pas kësaj, ai do të regjistrohej në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë.
Falë Bashkësisë Islame në Serbi, më 1991 atij iu mundësua të ndiqte një semestër në Universitetin Al-Azhar në Kajro.
Më 2005, Dudiqi mori titullin master në Universitetin Ndërkombëtar në Pazarin e Ri me temën “Historia dhe zhvillimi i medresesë Gazi Isa-beu në Pazarin e Ri”, kurse dy vjet më vonë doktoroi me temën “Roli i mejtepit të Sibjanit në ruajtjen e Islamit në Sanxhak”.
Siç thuhet në biografitë e tij zyrtare, në Tutin e jashtë tij, ai shërbeu si predikues, hoxhë e imam, ashtu sikurse edhe ligjëroi disa lëndë fetare në Medresënë e Pazarit të Ri.
Më 2006, teologu nga Tutini u zgjodh dekan i Fakultetit të Shkencave Islame, kurse më 2008 edhe rektor i Universitetit Ndërkombëtar në Pazarin e Ri.
Në janar të 2014-s, ai u zgjodh president i Meshihatit të Bashkësisë Islame në Serbi, ashtu sikurse edhe Myfti i Madh. Do të rizgjidhej në këto pozita edhe më 2018 e 2023.
Dudiqi në Moskë
Nga këto poste, Dudiqi vazhdon të jetë pjesë e përpjekjeve të diplomacisë serbe për t’i trashur lidhjet me shtete të tjera duke përdorur religjionin.
E tillë qe edhe vizita e bërë në Moskë, një muaj para se të mbante fjalimin skandaloz në Preshevë.
Në prill të 2018-s, ai ishte në krye të një delegacioni nga Serbia që u takua me kreun e myslimanëve rusë, myfti Ravil Gaynutdin.
Në këtë takim, të dyja palët u zotuan për të thelluar bashkëpunimin e ndërsjellë në fushë të arsimit, industrisë ‘hallall’, dialogut ndërfetar, ashtu sikurse edhe pjesëmarrjen e klerikëve nga Serbia në aktivitetet e Këshillit të Myftinisë në Rusi dhe Bordin Fetar të Myslimanëve të Federatës Ruse.
Plani i BIA-s për nxitjen e ekstremizmit fetar
Viteve të fundit, Serbia e ka shtuar luftën speciale kundër Kosovës duke bërë përpjekje që të krijojë rrjete spiunazhi.
Brenda një viti, BIA (Bezbednosno-informativna agencija) shpenzoi para, përpjekje e resurse për të kontaktuar e rekrutuar element vahabistë në Kosovë.
Siç e dëshmuan tri aferat e fundit me spiunë të arrestuar nga institucionet e sigurisë në Kosovë – të tillë si Hysri Selimi ‘Abuseadi’ nga Bresalci i Gjilanit, Fehim Sali nga Kersteci i Dragashit dhe Fatmir Sheholli nga Podujeva – BIA serbe ka shenjëstruar elementë të lidhur me Islamin radikal.
Agjentë në hierarkinë e lartë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, të tillë si Želimir Matović–Željko apo Igor Babić, kërkonin vazhdimisht informacione për ekstremistë vahabistë, qarqe radikale, njerëz me ndikim brenda tyre, mesxhide që veprojnë ilegalisht, ashtu sikurse edhe qytetarë të Kosovës të mbetur në Siri.
Lexo edhe: Afera e spiunit goran: spiunazhi serb i interesuar për ekstremistë islamikë
Nga rekrutimi te shfrytëzimi i qarqeve radikale
Tre rastet e mësipërm dëshmuan se spiunazhi serb u përpoq ta shtrinte rrjetin e bashkëpunëtorëve në rajonin e Anamoravës dhe Prizrenit.
Nëse vërtetohen provat, si ato të përfshira në aktakuzën ndaj të akuzuarit Sheholli, ato japin indikacione për investime strategjike në krijim të një infrastrukture të stërholluar religjioze.
Sipas ekspertëve të sigurisë, shërbimi serb i inteligjencës është i interesuar edhe për instrumentalizimin e rrjeteve radikale islamiste në funksion të objektivave të Serbisë.
Një tjetër aspekt i këtyre përpjekjeve është që Serbia të pozicionohet si partnere e besueshme në shkëmbimin e informacioneve me shërbime të tjera të sigurisë që përcjellin nga afër grupet selafiste e vahabiste.

Lexo edhe: Rruga e Beogradit – BIA serbe përhap ekstremizëm islamik
Schwartz: “Infiltrimi vahabist mbështetet nga Beogradi”
Njohës të huaj të religjionit në Ballkan, si miku i madh i shqiptarëve Stephen Schwartz, prej kohësh kanë tundur këmbanat e alarmit mbi rrezikun që i kanoset Kosovës nga ekstremizmi fetar.
Në një intervistë të bërë para plot 12 vitesh, ky i fundit shkoqiste aspekte domethënëse mbi rreziqet që iu kanoseshin shqiptarëve në Ballkan.
Sipas drejtorit të Qendrës për Pluralizëm Islam, vahabizmi nuk mbështetej drejtpërdrejtë nga mbretëria saudite apo ulemaja zyrtare, sa nga institucione e individë të caktuar atje.
“Sidoqoftë, ne vëmë re se infiltrimi vahabist ka mbështetje prej Beogradi, që ndjek strategji të stilit rus për të përçarë shqiptarët dhe myslimanët e tjerë që i rezistojnë imperializmit ortodoks, siç kemi parë në Maqedoni, Sanxhak (të Novi Pazarit), dhe në Kaukaz”, kishte thënë Schwartz. /Nacionale/