Rruga e Beogradit – BIA serbe përhap ekstremizëm islamik - NACIONALE

Rruga e Beogradit – BIA serbe përhap ekstremizëm islamik

1 orë më parë

nga Col Mehmeti

Kush nuk mund t’i shohë xhamitë në Kosovë, le të shkojë në Beograd”, pati thënë me grimasa arrogance kryepari i BIK-ut, Naim Tërnava në një ditë funddhjetori të vitit 2022 në një fshat të Llapit. Në fakt, bash nga Beogradi zanafillon plani që Kosova të mbushet me xhami e medrese, të përhapet radikalizmi fetar e të rekrutohen për këto qëllime njerëz me ndikim nga mediat, sporti e muzika. Kjo ironi tragjike është zbardhur me rastin e dekonspirimit të disa prej agjentëve të BIA-s në Kosovë. Bojan Dimiq – Boki, që drejton Drejtorinë kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në BIA, është njëri nga ata që e kanë marrë përsipër misionin strategjik që brenda njëzet vitesh Kosovën ta kthejnë në Kandahar. Dokumenti konfidencial, që është apostrofuar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kundër Fatmir Shehollit, skicon disa nga planet kryesore të Serbisë për ta dëmtuar së brendshmi e së jashtmi Kosovën si një vend me radikalizëm islamik. Që prej vitit të kaluar, BIA serbe ka përvjelë mëngët që të kontaktojë e rekrutojë njerëz që asociohen me qëndrime fanatike fetare. Siç e dëshmuan edhe dy aferat e tjera – njëra me vahabistin Hysri Selimi-Abuseadi nga Bresalci i Gjilanit dhe tjetra me Fehim Saliun nga Kersteci i Dragashit – shërbimet e sigurisë në Beograd duan të krijojnë rrjete të gjëra bashkëpunëtorësh në Kosovë. Nga dëshmitë në dispozicion, edhe hierarkë të tjerë të BIA-s, si Želimir Matović – Željko apo Igor Babiq, synojnë që radikalizmin islamik ta kthejnë në bombë me sahat që do të sillte rrënimin e përgjithshëm të jetës në Kosovë ashtu sikurse edhe zezimin e imazhit të saj.

Col Mehmeti

25 gusht 2026 – Me fonde të vjela nga ambasadat e vendeve arabe në Beograd, peizazhet urbane e ato rurale në Kosovë do të përshkoheshin anë-e-përtej me ndërtime xhamish.

Ato nuk do të ngriheshin dokudo, por në vende të dukshme ‘strategjike’, si në afërsi të udhëve magjistrale, shkollave apo qendrave tregtare.

Ky rrjet do të pasohej edhe me medrese të reja në qytete si Mitrovica, Vushtrria, Han i Elezit, Dragashi dhe Prizreni.

Investimi nuk do të mjaftohej sall me infrastrukturë fizike, por do të angazhonte edhe njerëz me ndikim në media, muzikë dhe politikë.

Me njëzet vjet përpjekje të tilla, nëse plani do të shkonte mbarë gjer në fund, Kosova do të dukej si Kandahar dhe mbështetja e Perëndimit do të vihej në pikëpyetje për shtetin e krijuar më 2008.

Kjo është tabloja që del nga teksti me gjithsejt 412 fjalë me të cilin Agjencia për Siguri dhe Inteligjencë e Serbisë shestonte planin e saj të errët për Kosovën.

I cilësuar si ‘Top sekret 2’, kjo është vetëm njëra nga shumë dëshmitë të cilat Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka përfshirë në aktakuzën e ngritur ndaj Fatmir Shehollit që u arrestua në tetor të vitit të kaluar.

Gjithçka filloi nga Bojan Dimiq-Boki dhe majat e BIA-s

Sipas aktakuzës 80-faqëshe, i pandehuri në cilësinë e të rekrutuarit nga BIA (Shërbimi Informativ i Serbisë) përcolli të dhëna, informacione dhe dokumente mbi gjendjen e sigurisë dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Nën urdhrat e Bojan Dimiqit, i ndryshequajtur ‘Boki’, që është në krye të Drejtorisë kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në BIA, Sheholli dëmtoi seriozisht interesat shtetërore të Kosovës.

Se ai e kishte kryer veprën penale të spiunazhit, Prokuroria Speciale e ka sjellë, mes të tjerash, edhe provën e 17-të e cila qe marrë nga Raporti Informues i Policisë së Kosovës.

E përfshirë në aktakuzë si dëshmia “Z#4.1”, bëhet fjalë për një fotografi të marrë nga telefoni celular ‘Apple iPhone’ në mesin e 20,914 fotografive dhe imazheve të ruajtura në këtë pajisje.

Aty ndodhej edhe një tekst në serbisht, sipër të cilit ishte shënuar ‘Top sekret 2’, me përmbajtje fundekrye konfidenciale.

Sipas aktakuzës, kjo dëshmi tok me provat e tjera të administruara, “është relevante për të vërtetuar natyrën e kontakteve dhe veprimtarisë së të pandehurit në raport me strukturat e shërbimi informativ serb BIA.”

Ndërtimi strategjik i xhamive dhe shkollave fetare

Pjesa e parme e dokumentit të shërbimit informativ serb sipërfaq projektin për financimin e ndërtimit të xhamive gjithandej Kosovës.

Pasi që të bëjmë marrëveshje me operativët tanë në Kosmet, mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd, shumica e këtyre parave do të investohen në ndërtimin e xhamive. Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër autoudhëve, shkollave, qendrave tregtare, ndërsa xhamitë në fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen”, thuhet në dokument.

Sipas planit të skicuar – të cilin Sheholli më 5 gusht 2025 ia kishte përcjellë personit ‘Viktor Makedonija’ – xhamitë do të shoqëroheshin edhe me shkolla islamike nëpër gjithë Kosovën.

Mjaft interesant është veçmas pasazhi i dokumentit ku thotë se ky rrjet do të instalohej në “vendet ku feja është më e rëndësishme se kombi”, si në Mitrovicë, Vushtrri, Han të Elezit, Kaçanik, Dragash dhe Prizren.

Plani serb me kontribute edhe nga Maqedonia, Bosnja e Sanxhaku

Dokumenti strategjik i BIA-s vinte në dukje se, pos operativëve shqiptarë, në plan do të kontribuonin edhe “njerëzit tanë nga Maqedonia, Bosnja dhe Sanxhaku”, përfshirë edhe nga pakicat RAE.

Në vijim të dokumentit bie në sy se operativët e BIA-s e konsideronin si punë të kryer kontrollin e tyre mbi udhëheqësit e bashkësive islame në Serbi, Maqedoni, Bosnjë dhe Kosovë.

Ideja e endur në dokument është që ky rrjet të zgjerohej edhe me njerëz me ndikim nga fusha të tjera, përfshirë edhe ata nga partitë politike.

Udhëheqësit e bashkësive islamike të Serbisë, Maqedonisë, Bosnes, Kosmetit janë nën kontrollin tonë dhe po punojnë qe sa më shumë të inkuadrojnë njerëz me kombësi shqiptare me ndikim në sport, media muzikë dhe politikë”, thuhet në dokumentin e përpiluar nga BIA.

Edhe në disa parti politike kemi njerëzit tanë të cilët punojnë për ne dhe të cilët e përkrahin fuqishëm Islamin dhe të cilët janë të lidhur me udhëheqësit islamë të cilët janë duke shpërndarë Islamin edhe në vendet ku nuk ka pasur kurrë xhami.”

Caku i radhës: diaspora në Gjermani e Zvicër

Inteligjenca serbe tutje e vijonte shestimin me hapat e radhës edhe në diasporën shqiptare në Perëndim.

Atje, sipas dokumentit, njerëz të bashkësive islame nga Kosova e Sanxhaku do të ndiqnin urdhrat e ambasadave të Beogradit në Zvicër, Gjermani dhe Belgjikë.

Ideja ishte që me këtë të shkaktohej ndarja e shqiptarëve që jetojnë në vendet e fuqishme perëndimore, si Zvicra e Gjermania, “ku jetojnë shqiptarët më të pasur dhe më të fuqishëm të cilët e kanë përkrahur Rugovën”.

“Kosova të duket si Kandahar”

Dokumenti, të cilin Sheholli e kishte përcjellë te ‘Viktor Makedonija’, zbulon edhe përmasa të tjera të luftës speciale të Beogradit kundër Kosovës.

Sipas operativëve të BIA-s, plani largvajtës ishte që në Kosovë të krijohet atmosfera që shqiptarët të ndjehen sikur jetojnë në një shtet të huaj.

Kjo, në prapakthim do ta nxiste një pjesë të rinisë të largohej jashtë vendit, kurse një pjesë tjetër t’i nënshtrohej ideologjive fetare.

Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perëndimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do të vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë”, thuhet në mënyrë eksplicite në planin e BIA-s.

Dokumenti përmbyllet me skenarin ku Serbia do t’i kishte duart e lira që ta përsëriste dëbimin e shqiptarëve në Turqi, për çka udhëheqësit fetarë do të përdoreshin për të predikuar migrimin drejt Turqisë.

Për këtë Serbia ka dritën jeshile nga shteti i Turqisë”, përfundon dokumenti konfidencial.

PSRK: “Krijimi i një narrative negative përmes radikalizmit islamik”

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu, ky planprogram i fshehtë shfaq synimin për “zgjerimin e ndikimit të radikalizmit islamik në Kosovë dhe rajon dhe përfshirjes së figurave me ndikim në sport, muzikë, media dhe politikë.

Nga analizimi i dokumentit të gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli rezulton se bëhet fjalë për një plan veprimi që synon destabilizimin e Republikës së Kosovës, krijimin e perceptimit të saj si shtet i radikalizuar dhe ekstremist dhe dëmtimin e pozitës së saj ndërkombëtare. Dokumenti parasheh shfrytëzimin e rrjeteve të personave të angazhuar në Kosovë dhe rajon për financimin dhe përhapjen e aktiviteteve fetare, si dhe ndikimin te figura dhe prijës fetarë, me qëllim të krijimit të një narrative negative për Kosovën, nxitjes së migrimit dhe ndikimit në qëndrimet e vendeve perëndimore ndaj saj”, thuhet në aktakuzë.

Gjithnjë duke u mbështetur në këtë dëshmi, Prokuroria Speciale ka theksuar se synimi afatgjatë i BIA-s është krijimi i një gjendje ku Kosova do të perceptohej si shoqëri e radikalizuar dhe e destabilizuar, duke krijuar kështu kushte për ndryshimin e qëndrimit ndërkombëtar ndaj statusit të saj dhe kthimin e saj nën Serbi.

Edhe Želimir Matović-Željko me Igor Babiqin ndiqnin plane të ngjashme

Në të vërtetë, dëshmia e koduar si Z#4.1 mund të vihet si copëz në një mozaik shumë më të gjërë të luftës speciale të Serbisë kundër Kosovës.

Brenda një viti, BIA (akronim për Bezbednosno-informativna agencija) shpenzoi para, përpjekje e resurse për të kontaktuar e rekrutuar elementë vahabistë në Kosovë.

Siç e dëshmuan aferat e fundit me spiunë të arrestuar nga institucionet e sigurisë në Kosovë – të tillë si Hysri Selimi ‘Abuseadi’ nga Bresalci i Gjilanit dhe Fehim Saliu nga Kersteci i Dragashit – BIA serbe ka shenjëstruae elementë të lidhur me Islamin radikal.

Agjentë në hierarkinë e lartë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, të tillë si Želimir Matović-Željko apo Igor Babiq, kërkonin vazhdimisht informacione për ekstremistë vahabistë, qarqe radikale, njerëz me ndikim brenda tyre, mesxhide që veprojnë ilegalisht, ashtu sikurse edhe qytetarë të Kosovës të mbetur në Siri.

Lexo edhe: Afera e spiunit goran: spiunazhi serb i interesuar për ekstremistë islamikë

Pse Serbia ka interes për qarqet radikale islamike?

Dy rastet e mësipërme dëshmuan se spiunazhi serb u përpoq ta shtrinte rrjetin e bashkëpunëtorëve në rajonin e Anamoravës dhe Prizrenit.

Sipas ekspertëve të sigurisë, shërbimi serb i inteligjencës është i interesuar edhe për instrumentalizimin e rrjeteve radikale islamiste në funksion të objektivave të Serbisë.

Një tjetër aspekt i këtyre përpjekjeve është që Serbia të pozicionohet si partnere e besueshme në shkëmbimin e informacioneve me shërbime të tjera të sigurisë që përcjellin nga afër grupet selafiste e vahabiste.

Schwartz: “Infiltrimi vahabist mbështetet nga Serbia”

Njohës të huaj të religjionit në Ballkan, si miku i madh i shqiptarëve Stephen Schwartz, prej kohësh kanë tundur këmbanat e alarmit mbi rrezikun që i kanoset Kosovës nga ekstremizmi fetar.

Në një intervistë të bërë para plot 12 vitesh, ky i fundit shkoqiste aspekte domethënëse mbi rreziqet që iu kanoseshin shqiptarëve në Ballkan.

Sipas drejtorit të Qendrës për Pluralizëm Islam, vahabizmi nuk mbështetej drejtpërdrejtë nga mbretëria saudite apo ulemaja zyrtare, sa nga institucione e individë të caktuar atje.

Sidoqoftë, ne vëmë re se infiltrimi vahabist ka mbështetje prej Beogradi, që ndjek strategji të stilit rus për të përçarë shqiptarët dhe myslimanët e tjerë që i rezistojnë imperializmit ortodoks, siç kemi parë në Maqedoni, Sanxhak (të Novi Pazarit), dhe në Kaukaz”, kishte thënë Schwartz. /Nacionale/

Lajme të ngjashme