Terrori, armët e prodhimit jugosllav dhe heroizimi i gabuar - NACIONALE

Terrori, armët e prodhimit jugosllav dhe heroizimi i gabuar

11 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Njëra nga rrugët më të shkelura në kryeqytet mban emrin “Arbnor dhe Astrit Dehari”, dy aktivistët fatprerë të partisë që e sundoi Kosovën ç’prej 2020-s. Rasti i tejpolitizuar i vetëvrasjes së këtij të fundit ka bërë që ai të piedestalizohet si hero e model qytetar. Por a është vallë ky rasti kur duhet të rivizitohet e rimendohet nga e para ajo që e quajmë si ‘heroike’. A bie te kategoria ‘heroike’ kundërvënia e armatosur ndaj uniformave blu, grumbullimi i armëve vdekjeprurëse, plot syresh prodhime jugosllave, dhe përfshirja tejet e dyshimtë në sulmin terrorist të 4 gushtit 2016? Pyetja tjetër e lidhur me të parën është nëse te virtyti heroik qytetar bën pjesë ajo për të cilën Dehari dhe një aktivist tjetër u urryen keqazi nga të vetët: bashkëpunimi me hetuesinë. Në një botë për së mbari, virtyt qytetar është vetëm bashkëpunimi me organet e rendit për zbardhjen e akteve terroriste, por ja që në peizazhin tonë vlerëpërmbysur heroikja vazhdon të asociohet me subversiven dhe kundërvënien e armatosur, madje edhe me koston e sulmeve terroriste. Më 4 gusht 2016 nuk ishte cak Kuvendi i Kosovës sa një copë vend brenda tij. Ishte Zyra Presidenciale e Hashim Thaçit…

Col MEHMETI

4 gusht 2025 – Një predhë e shkrepur në orën 23:05 nga një raketahedhës ‘RPG’ e prishi qetësinë e natës në Prishtinë ku avash-avash po mpakej zhurmëria e zakonshme e njerëzve dhe makinave.

Predha e vrimoi murin në mes të sallave numër 301 dhe 402 të katit të katërt të Kuvendit të Kosovës, jo larg Zyrës së ish-presidentit Hashim Thaçi, Zyrës së Protokollit dhe asaj të Arkivit.

Ushtima e saj u pasua me alarme fiu-fiu nga ndërtesa dhe uturima veshgërricëse e një motoçiklete të markës ‘Yamaha’ e cila u largua me të shpejtë në njërën nga sokaqet e Vellushës.

Kjo skenë hap siparin e ngjarjes më të pashembullt në historinë e pasluftës në Kosovë, atë natë kur ngrehina e Kuvendit të Kosovës u bë cak i një sulmi të organizuar terrorist.

Triumfi i dhunës

Për ditë me radhë, vrima në katin e katërt dhe pjesa e nxirë nga shpërthimi ishte dëshmia e vetme memece për sulmin misterioz që nuk kuptohej as kush e bëri e as pse e bëri.

E nesërmja e sulmit kaloi me reagimet e pritshme nga titullarët e institucioneve.

Në një afishim në profilin e tij në Facebook, presidenti i asohershëm Hashim Thaçi tha se sulmuesit nuk e donin të ardhmen evropiane të vendit dhe as nuk donin që fëmijët e Kosovës të rrriteshin në paqe.

“Dhuna sjell frikë, frika sjell urrejtje dhe urrejtja sjell pastaj edhe më shumë dhunë. Mund të mos pajtohemi për shumë gjëra, por ajo për të cilën të gjithë duhet të pajtohemi është se dhuna nuk duhet të ketë vend në Kosovën tonë”, shkroi Thaçi zyra e të cilit kishte qenë jo larg prej vendit ku vërshëlleu e para predhë që u hodh në drejtim të Kuvendit të Kosovës.

Edhe kryeministri në atë kohë, Isa Mustafa, e dënoi aktin duke thënë se askush nuk e kishte të drejtën të terrorizonte institucionet e Kuvendit të Kosovës.

“Sulmi mbi ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është atak ndaj pavarësisë sonë”, tha ai.

Dhe kështu reagim pas reagimi derisa në klubin e reaguesve hyri papritur edhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Lëvizja Vetëvendosje dënon sulmin e mbrëmshëm ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje organeve të sigurisë që të merren seriozisht me zbardhjen e këtij rasti”, shkroi ky subjekt në afishin e vet.

Nga VV-ja në një shtëpi të VV-së

Thirrja e saj u përfill nga hetuesit e vyer të Policisë së Kosovës, të cilët, pas njëzet e gjashtë ditësh punë zhbiruese, mbërritën në një adresë të befasishme.

Në agimin e 30 gushtit, kur ende nuk kishte zdritur dita mirë, një shtëpi skaj rrugës ‘Lugmiri’ në Zllatar të Prishtinës po gëlonte nga plot e përplot policë që hynin e dilnin.

Prangosja e një të riu 25-vjeçar nuk do të zgjaste kaq shumë sikur në shtëpi të mos gjendej një alamet stive me armë vdekjeprurëse.

Dhe, për dreq, ato nuk ishin pak e as nuk ishin çfarëdo: aty ishte një sprej paralizues me mbishkrimin ‘NATO’, një revole e tipit ‘Crvena Zastava’ me kalibër 357, 25 fishekë të kalibrit 3.75 mm, një pushkë britanike me optikë, një kallashnikov i vitit 1984, si dhe tre karikatorë e 31 fishekë turlifare.

I arrestuari që u fut duarlidhur në njërën nga makinat e Policisë së Kosovës ishte Astrit Dehari që vinte i shkurtër nga shtati.

Tok me të, po atë ditë, përfunduan të lidhur edhe aktivistë të tjerë nga Vetëvendosja: Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi, Petrit Ademi dhe Adea Batusha.

‘Beteja’ e Zllatarit mes VV-së dhe Policisë

Dosjet e gjykimit dhe rigjykimit, një odiseadë disavjeçare mes akuzuesish e të akuzuarish, kanë një dyzinë faqesh me materiale përshkruese, fotografi e prova materiale.

Por jashtë tyre ka edhe plot të pathëna që nuk janë regjistruar asfare gjatë procesit e të cilat nëpërdhëmbën vetëm në muhabete private mes aktivistësh të Vetëvendosjes.

Një e tillë duket të jetë edhe kjo dromcë: nuk kishte qenë sall kjo stivë me armë jugosllave që i djersiti gjithë ata policë. Në të vërtetë, aktivisti 25-vjeçar kishte shtënë me armë drejt tyre…

Motoçikleta terroriste

Ajo që në kriminologji quhet si smoking gun, pra prova inkriminuese që fuqishëm e ndërlidh një ose shumë të pandehur me veprën penale, u bë motoçikleta e kuqe Yamaha 125 CC.

Ashtu siç thoshte aktakuza, të pandehurit, përfshirë edhe Astrit Deharin, më 17 korrik 2016 përmes një faqeje shitblerjesh ranë në kontakt me shitësin e motoçikletës.

Pasi ishte kryer sulmi mbi Kuvend, motoçikleta ishte gjetur e djegur fare pranë parkut të Taukbashçes, ndanë stacionit elektrik. Edhe në atë gjendje, ajo ishte identifikuar fije e për pe nga pronari i dikurshëm.

Kur në gjykatë e sollën në cilësi të dëshmitarit shitësin e mjetit në fjalë, Heset Ramadanin, seanca u shndërrua në një spektakël pafytyrësie nga ana e aktivistëve të Vetëvendosjes.

Ndonëse Ramadani qe në gjendje t’i pikaste me emra e mbiemra ata që ia kishin blerë motoçikletën, të akuzuarit zgjodhën të mbroheshin duke bërë sulme nën brez.

Ata shpërdoruan atë që në praktikat ligjore quhet cross-examination, pra pyetjet që i bëhen një dëshmitari që ka dhënë tashmë dëshmi.

Sipas aktagjykimit të gjyqtarit Beqir Kalludra, “të akuzuarit janë munduar ta vënë në dyshim besueshmërinë e dëshmitarit, duke i bërë pyetje të natyrës se a ka pasur biznesin e regjistruar, a ka paguar taksa për veprimtarinë, por pa arritur t’i vënë në pikëpyetje deklarimet e tij”.

Po i njëjti gjyqtar iu kishte dhënë një dackë turinjve aktivistëve në sallë të cilët blerjen e motoçikletës e kishin bërë në mënyrë klandestine “anipse si qytetarë të Republikës së Kosovës pretendojnë se me zell mbrojnë interesat e saj, nuk kanë lidhur një akt shitblerje të vërtetuar te noteri, veprim i nevojshëm sipas legjislacionit në fuqi”.

Bashkëpunimi që kushtoi

Në të vërtetë, sipas disa burimeve të Nacionales, njëri nga aktivistët që mbahej në paraburgim vetëm sa kishte nisur të bashkëpunonte me hetuesit – bëhet fjalë për vetë aktivistin, Astrit Dehari.

Bile, ka fort të ngjarë që kjo rrethanë të ketë shkaktuar jo pak alarm brenda Vetëvendosjes dhe përpjekjeve të saj për të sajuar alibi e për ta shkatërruar procesin.

Megjithë malin e dëshmive kundër të akuzuarve ose disave prej tyre, në seancat e njëpasnjëshme plot nga dëshmitarët hoqën dorë nga dëshmitë e tyre paraprake, shenjë kjo e trysnisë së ushtruar nga Vetëvendosja.

Më 27 nëntor 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë e rrahu çekanin e saj duke i shpallur fajtorë të katër të akuzuarit, të cilëve iu shqiptoi një dënim prej 21 vitesh e gjashtë muajsh burgim (Frashër Krasniqi me 8 vjet, Atdhe Arifi me 6 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë dhe Adea Batusha me 2 vjet).

Gjithsesi, ankesat e bëra pranë Gjykatës së Apelit mundësuan që instancat e saj të gjenin shkelje ligjore në aktgjykimin e shkallës së pare – kjo qe e mjaftueshme sa lënda të hynte nga e para në gjykim.

“Nuk u vërtetua se e kryen veprën penale”

Përballja e dytë më drejtësinë filloi në mars të vitit 2020.

Përgjatë 13 seancave me radhë dhe me 11 dëshmitarë të ftuar, Vetëvendosja tashmë dukej se e kishte fituar davanë.

Ndonjëri nga dëshmitarët, si puna e E.M, tashmë pohonin se nuk i mbanin mend deklarimet e dhëna në vitin 2016.

Më 27 dhjetor 2022, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili shpalli aktgjykimin lirues për katër të akuzuarit (Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi e Adea Batusha), pasi “nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë”.

9 vjet më vonë, dorasit e sulmit të 4 gushtit enden të lirë e me ndjesinë se ia hodhën paq shtetit të tyre që nuk i bëri dot zap. /Nacionale/

Lajme të ngjashme