Frymëzime terroriste: një dekadë pas sulmit terrorist të VV-së - NACIONALE

Frymëzime terroriste: një dekadë pas sulmit terrorist të VV-së

1 orë më parë

nga Col Mehmeti

Brenda një dekade çmendurish politike, Lëvizja Vetëvendosje i ngjyu duart në sulme terroriste, i shkatërroi proceset gjyqësore ku ishte e akuzuar, dhe absolvoi urdhërdhënësit dhe dorasit. Më 4 gusht 2016, njerëz të kësaj organizate shenjëstruan Zyrat e Presidencës së Kosovës kur Hashim Thaçi ishte kryetar i shtetit. Në emër të ‘mbrojtjes’ së vendit dhe kauzës kundër demarkacionit, muaji gusht i atij viti kaloi me shkrepje raketahedhësish, hedhje granatash e vënie mjetesh shpërthyese te kundërshtarët e Vetëvendosjes. Qysh nga fillimi i korrikut, aktivistë të Prishtinës do të fillonin përgatitjet fizike, grumbullimin e armëve dhe blerjen e rekuizitave të tjera për sulmin e planifikuar terrorist. Një rrjet i mirëstrukturuar përdorte teknologjinë dhe përmes emailave fiktivë dërgonte kërcënime, por edhe kryente komunikimet e brendshme me kode.

Col Mehmeti

4 gusht 2026 – Dhjetë vjet më parë, pak para mesnatës, aktivistë të Vetëvendosjes kishin zënë pozicione gjithandej Prishtinës.

Me zemrat që po drithmonin nga një shqetësim i prekshëm, secili e kishte marrë përsipër nga një rol.

I shestuar prej muajsh, plani ishte kopsitur deri në imtësitë e fundit.

Kur po mpakeshin lëvizjet në qendër të qytetit, një motoçikletë e kuqe Yamaha 125 CC po i avitej ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Siç do të shquhej më vonë edhe në piksellët e turbullt të kamerave të sigurisë, dy persona të maskuar ishin të hipur mbi të.

Është punë sekondash dhe njëri nga të maskuarit zbret brofshëm nga pjesa e mbramë e motoçikletës, vë në sup raketahedhësin ‘RPG’, merr në shenjë dhe e shkrep.

Vërshëllima e predhës dhe ai ndriçim i përflakur u pasua me një zhurmë të mprehtë shpërthimi.

Aq e madhe ishte prishja e papritur e qetësisë sa edhe çafkat u trazuan në pishat afër dhe alarmet nisën të fishkëllonin me fiu-fiut e tyre.

Duke ikur kah Taukbashçja

Predha e kishte blozhduar murin në mes të sallave numër 301 dhe 402 të katit të katërt të Kuvendit të Kosovës, jo larg Zyrës së ish-presidentit Hashim Thaçi, Zyrës së Protokollit dhe asaj të Arkivit.

Në atë trandje, dy të rinjtë e maskuar bënë një kthesë në të majtë dhe hynë sokakëve të Vellushës.

Nja 10 minuta më vonë, motoçikleta e sulmuesve po digjej flakë pranë trafostacionit të Taukbashçës.

Si kishin ikur nga perimetri ku mund t’i kapte Policia, ata e kishin djegur motoçikletën, e kishin hedhur tej zollën dhe ia kishin mbathur me të katra kah Taukbashçja dhe lagjet e skajme të Prishtinës.

Ca metra më tutje ishte hedhur edhe një çantë e zezë kitare, me të cilën sulmuesit kishin fshehur raketëhedhësin.

Kështu do të rindërtohej scène de crime nëse merren të dhënat faktike nga gjuha e ngrirë e tekstit të aktakuzës për sulmin terrorist të 4 gushtit 2016.

Sulm pas sulmi

Ishte vera më e çuditshme në krejt vitet e pasluftës.

Pesë ditë pas këtij sulmi, dikush e la një granatë dore në ballkonin e shtëpisë së njërit prej profesorëve më të mirë në vend, Murat Meha.

Faji i tij i vetëm në sytë e Vetëvendosjes ishte pse ai si eksperti më i mirë në vend nuk po i shtrohej kërcënimeve të organizatës.

Ndonëse puna e tij si drejtues i Komisionit për Shënjimin e Kufirit Kosovë-Mal i Zi ishte e paqortueshme – e mbështetur edhe nga ekspertë të huaj – narrativa e Vetëvendosjes dhe AAK-së po i shfiguronte realitetet.

Nuk u vërtetua kurrë që Kosova pësoi humbje nga demarkimi, dhe prapëseprapë agjenda militante e VV-së e krijoi mbresën sikur vendit iu përlanë me mijëra hektarë.

Lexo edhe: Dhe shkenca triumfon përsëri – libri që do ta shpëtonte Kosovën nga terrorizmi e anarkia

“Rugovasit”

13 ditë më vonë, persona të panjohur hodhën një mjet shpërthyes në oborrin e shtëpisë së drejtorit të atëhershëm të RTK-së, Mentor Shala.

Tani, dorasit e panjohur, fantomë, kishin filluar të çonin selame nga larg për sulmet e kryera.

Një adresë elektronike “rugovasit23@gmail.com” e merrte përgjegjësinë për sulmin, madje tërhiqte vërejtjen se në të ardhmen mund të kishte edhe viktima.

Pa nevojën e një analize tekstologjike merrej vesh se autori qëllimisht e shkruante një shqipe të dobët ashtu që të ngatërronte marrësit sikur bëhej fjalë për njerëz që vepronin spontanisht.

Nga gazlotsjellësi në ilegalitet

Dyshimi i parë i asokohshëm kishte qenë i drejtë edhe pa u vërtetuar nga organet e rendit.

Autorja e tre sulmeve terroriste ishte papërjashtimisht Lëvizja Vetëvendosje.

Ky kalim nga opozita e frustruar në Kuvend, ku hidhej gazlotsjellës, në metoda terroriste ndiqte një strategji të moçme të organizatës.

Ashtu siç e kishin racionalizuar me lexime indoktrinuese materialesh komuniste e anarkiste, ata ishin përgatitur që të zgjidhnin rrugën e ilegalitetit sapo projekti i tyre të dështonte në rrugë parlamentare.

Këtij kalimi në botën e errët të terrorizmit politik i bënte hyzmet një rrjet i mirëorganizuar ilegal me dhjetëra aktivistë, kryesisht nga Prishtina.

Armatim jugosllav sa për të përgjakur Prishtinën

Kur ishte bastisur shtëpia e njërit prej aktivistëve të VV-së, A.D, në rrugën ‘Lugmiri’ në Zllatar, një asortiment armësh që u zunë jepte pakashumë përgjigjjen më të mirë mbi atë që po bluante Vetëvendosja.

Pos sprejëve paralizues, armëve automatike AK-47 e revoleve Zastava, aktivistët duket se po merrnin mësime edhe për kryerje sulmesh mobile.

Midis gjërave të konfiskuara nga Policia më së shumti binin në sy maskat, helmetat për motoçiklistë dhe xhaketat me kapelë.

Edhe sikur të mos bëhej një hetim penal nuk ishte zor të kuptohej se bëhej fjalë për një rrjet të mirëstrukturuar që operonte me kanonin e një bande terroriste.

Emailet kërcënuese

Tekstet e dërguara me emailin “Rugovasit” edhe sot e kësaj dite iu ngjajnë relikeve sesi dukej në fëmijërinë e saj lufta hibride e VV-së që do të shndërrohej në doktrinë qeverie sapo të vinte në pushtet.

Emri “Rugovasit” ishte një sajesë për të krijuar bindjen sikur vetë banorët e viseve skajkufitare po revoltoheshin nga ‘padrejtësitë’.

Edhe shqipja qëllimisht e bastardhuar për t’u dukur sa më afër me nivelin fshataresk ishte sajesa tjetër me të cilën aktivistët e maskonin veten si ‘qytetarë’.

Emailet kërcenuese shpesh dërgoheshin nga lokacione të largëta njëra me tjetrën ashtu që të ngatërrohej çdo hetim potencial për të pikasur IP-të.

Fjalëkalimi i emailit ishte i njohur për shumë vetë njëherësh të cilët kishin qasje aty.

Kodet nuk përcilleshin në Inbox, por liheshin në Draft, dhe kaq mjaftonte që ato të përcillnin udhëzime kriptike që i dinin vetëm ‘shokët’.

Komunistët e rinj frymëzohen nga komunistët e vjetër

Modeli terrorist për sulmin e 4 gushtit mbi Zyrat e Presidencës së Kosovës erdhi me sa duket nga evokimi i një episodi historik gjatë Luftës së Dytë Botërore.

E majtë për nga ideologjia, Vetëvendosja i kishte shërbyer të vetet për vite me radhë me narrativa simpliciste për gjoja rezistencën komuniste ndaj trupave gjermane në Shqipní.

Duke simpatizuar me partizanë shqiptarë e jugosllavë, ideja që endej në organizatë ishte se ata ishin njëfarë ekuivalenti i tyre bashkëkohor.

Po ku saktësisht i gjeti frymëzimet dhe modelet sulmi terrorist i 4 gushtit 2016?

Në ligjëratat që mbaheshin brenda organizatës shpesh evokoheshin momente ‘epike’ nga historiografia e filmografia e prodhuar gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës.

Në fakt, ngjarja ishte e vërtetë, por jo edhe interpretimi për të.

Në mëngjesin e 18 tetorit 1943, qindra përfaqësues nga të gjitha viset shqiptare kishin zënë vend brenda Asamblesë Kombëtare në Tiranë.

Me këtë veprim ata donin t’i jepnin tokave shqiptare një qeveri që do t’i adresonte problemet urgjente të kohës kur po shtohej prania e bandave partizane e çetnike në Kosovë e Maqedoni.

Ndërsa atdhetarët shqiptarë po zinin vendet e tyre në sallën e Pallatit të Viktor Emanuelit, jo larg Tiranë po vihej në jetë një nga aksionet e para terroriste.

Në sytë e bandave partizane në jug, Asambleja Kombëtare në Tiranë po kryente ‘tradhti të lartë’ pse po i jepte jetë formimit të qeverisë së Rexhep Mitrovicës.

Në orën 10:00 të mëngjesit, me një top të vjedhur nga italianët, e ashtuquajtura ‘Brigada e Tretë Sulmuese’ nga kodrat e Saukut sulmoi me predhë ngrehinën e Pallatit.

Ky sulm terrorist u pasua prej një propagande të veshtullore të elementëve komunistë brenda Tiranës që përhapnin afishe sipas modelit të partizanëve jugosllavë.

Si i përgjigjet populli Shqiptar Asambles s’Gestapos? Me TOP”, shkruhej në një afish që u shpërnda tinëzisht në lagjet e Tiranës.

Asamblea trathtare e Shqipnis u mbloth sot më 18 Tetuer, m’ora 9 në Pallatin e Viktor Emanuelit në Tiranë, u mblodh për të përsërit trathtin e 12 prillit 1939. Kurdoherë anmiqt e popullit t’onë, trathtarët, reaksionarët, janë bashkue dhe bashkohen me të huejt për të mbajt popullin në robni”, kishin shkruar agjitatorët komunistë.

Asamblesë së 18 Tetorit, populli Shqiptar, n’armë kundra okupatorit, i dha përgjigjen e tij me luftë. Artileria e brigatës së tretë t’Ushtris Nac. Çl. Shqiptare qëlloi sot m’ora 10 Pallatin e V. E. Pallatin e Asamblesë”.

Pastajshmëria

Për ditë më radhë, vrima në katin e katërt dhe pjesa e nxirë nga shpërthimi ishte e vetmja dëshmi për sulmin misterioz të 4 gushtit.

Në një lëvizje thuajse të çuditshme, Lëvizja Vetëvendosje i ishte bashkuar korit të reagimeve të shumta në vend e jashtë për sulmin e ndodhur më 4 gusht.

Lëvizja Vetëvendosje dënon sulmin e mbrëmshëm ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje organeve të sigurisë që të merren seriozisht me zbardhjen e këtij rasti”, shkroi ky parti në afishin e saj.

Por, kjo hipokrizi do t’i vinte me një çmim të rëndë e ironik.

Hetues të vyer të Policisë së Kosovës pas njëzet e gjashtë ditësh punë zhbiruese mbërritën te një adresë e befasishme.

Në orët e hershme të mëngjesit, dhjetëra policë shkelën pragun e një shtëpie skaj rrugës ‘Lugmiri’ në Zllatar të Prishtinës.

I arrestuari që doli nga aty me pranga në duar ishte 25-vjeçari, Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjatë kontrollit në shtëpi, policët u shastisën kur gjetën një stivë armatimesh brenda në shtëpi që nuk ishin pak e nuk ishin çfaredo.

Aty ishte një sprej paralizues me mbishkrimin ‘NATO’, një revole e tipit ‘Crvena Zastava’ me kalibër 357, tutje ishin 25 fishekë të kalibrit 3.75 mm, një pushkë britanike me optikë, një kallashnikov i vitit 1984, si dhe tre karikatorë e 31 fishekë turlifare.

Tok me Deharin, po atë ditë, përfunduan të lidhur edhe aktivistë të tjerë nga Vetëvendosja: Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi, Petrit Ademi dhe Adea Batusha.

Lexo edhe: Terrori, armët e prodhimit jugosllav dhe heroizimi i gabuar

Përpjekja për alibi

Qysh në atë kohë, njerëz të VV-së përhapën versione të llojndryshme për të krijuar pista false.

Një prej tyre ishte se gjoja sulmi qe kryer nga “do të Deçanit”, një aluzion ky për njerëzit e Ramush Haradinajt me të cilët e ndanin të njejtën akuzë.

Sidoqoftë, zigzaget e lëvizjeve para dhe pas sulmit, ashtu siç kuptohet nga dosja hetimore dhe aktakuza e Prokurorisë, sugjerojnë për njerëz që e njihnin fare mirë Prishtinën.

Nga gjurmimi i lëvizjeve u kuptua se në natën e 4 gushtit motoçikleta bëri një varavinga nga Stacioni i Autobusave, vazhdoi te Lagjja e Spitalit dhe prej aty te Kuvendi i Kosovës.

Pas sulmit, motoçikleta me dy të maskuarit mësyu drejt sokakëve të Vellushës andej ku ekzistonte mundësi më e madhe për tërheqje.

Rrethana si këto flasin se sulmuesit ishin nga Prishtina dhe jo gjetkë.

Muaj më vonë, njerëz të Vetëvendosjes përhapen edhe një tjetër version obfuskues të ngjarjes.

Sipas këtij rrëfimi, të arrestuarit qëllimisht ishin ekspozuar në natën e sulmit ashtu që të mbulonin sulmuesit e vërtetë.

Motoçikleta famëkeqe

Sidoqoftë, prova më inkriminuese që çoi në kapjen e të dyshuarve ishte motoçikleta e kuqe Yamaha 125 CC.

Sipas aktakuzës së asaj kohe, të pandehurit, përfshirë edhe Astrit Deharin, më 17 korrik 2016 në një faqe shitblerje ranë në kontakt me shitësin e motoçikletës që do ta përdornin në sulmin e 4 gushtit.

Edhe më inkriminuese për njerëzit e Vetëvendosjes, gjithnjë sipas punës hetimore të Policisë së Kosovës, kishte qenë emaili i përdorur për komunikatat që pasonin sulmet e kryera.

Shumë nga provat e paraqitura ishin shkallmuese për të pandehurit.

E tillë ishte edhe rrethana që pas sulmit të pandehurit kishin fikur simultanisht telefonët e tyre mobilë, një përpjekje kjo për të zhdukur praninë e tyre në rast përgjimi.

Lexo edhe: Dosja D – kulti i vdekjes brenda një partie

Nga 21 vjet burgim në “nuk e kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë”

Më 27 nëntor 2017, pas një procesi njëvjeçar, Gjykata Themelore në Prishtinë e rrahu çekanin e saj duke i shpallur fajtorë të katër të akuzuarit, të cilëve iu shqiptoi një dënim prej 21 vitesh e gjashtë muajsh burgim (Frashër Krasniqi me 8 vjet, Atdhe Arifi me 6 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë dhe Adea Batusha me 2 vjet).

Mirëpo ankesat e bëra pranë Gjykatës së Apelit mundësuan që instancat e saj të gjenin shkelje ligjore në aktgjykimin e shkallës së pare – kjo qe e mjaftueshme sa lënda të hynte nga e para në gjykim.

Përballja e dytë më drejtësinë filloi në mars të vitit 2020.

Përgjatë 13 seancave me radhë dhe me 11 dëshmitarë të ftuar, Vetëvendosja tashmë dukej se e kishte fituar davanë.

Ndonjëri nga dëshmitarët, si puna e E.M, tashmë pohonte se nuk i mbante mend deklarimet e dhëna në vitin 2016.

Më 27 dhjetor 2022, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili shpalli aktgjykimin lirues për katër të akuzuarit (Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi e Adea Batusha), pasi “nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë”.

Dhjetë vjet më vonë, pas sulmit të bërë në orën 23:05 të 4 gushtit 2016, urdhërdhënësit, organizatorët dhe dorasit enden të lirë e me ndjesinë se ia hodhën paq shtetit të tyre që nuk i bëri dot zap. /Nacionale/

Lajme të ngjashme