Dhe shkenca triumfon përsëri – libri që do ta shpëtonte Kosovën nga terrorizmi e anarkia
Gati një dekadë jetë të saj, Kosova e harxhoi kot së koti pas fantazmagorive me kufij e kauza toksike. Herë Lëvizja Vetëvendosje, e herë një partizë lokale nga Dukagjini, e helmatisën opinionin për ‘tradhtarë’ e ‘falës tokash.’ Kjo shpirtngushtësi në kurriz të shkencës dhe ekspertizës përftoi rrethanat kur vendi u gjend rrezikshmërisht në zgrip të luftës civile e kaosit. Kështu, disa të çmendur, anëtarë të partisë që tash e pesë vite e qeveris Kosovën, blenë motoçikletë ‘Yamaha 125’ dhe me të, në natën e 4 gushtit 2016, me një raketahedhës ‘RPG’ sulmuan Kuvendin e Kosovës. Predha goditi murin e sallave 301 dhe 402 të katit të katërt, duke u bërë kështu sulmi i parë dhe i vetëm terrorist në historinë e pasluftës. Ndërkohë, ekspertët kishin qenë dalazotësit e vërtetë të Kosovës në procesin e shënjimit të kufijve edhe kur një shoqëri e tërë i fyu dhe i çnjerëzoi. Profesori drenicak, Murat Meha e vë gurin në vendin e vet tash edhe me një libër që e kronikon një pjesë të rëndësishme të shtetndërtimit ndër ne. Shkenca e shkollarizmi ngadhnjejnë përballë pasioneve e shpritngushtësisë. Profesorit Meha duhet t’i kërkojmë falje, por edhe t’i themi faliminderit për mbrojtjen e Kosovës.
Col Mehmeti
Kufiri si nocion është përgjegjësi kryesor pse si kulturë e si psikologji kolektive jemi kaq të përtharë, kaq refraktarë e kaq të prapambetur.
Nuk konkurojmë dot me askë sepse gjithçka e jona është e pakuptueshme, gjithçka e jona ka kuptim vetëm në kontekste skajshmërisht të ngushta lokale.
Universi ynë nuk transmetohet askund tek të huajt përveçse me fusnota shpjeguese.
Kufirin si fjalë e bëmë pjesë të leksikut vetëm falë shqipes standarde. Para kësaj shërbeheshim me ‘hudut’, حدود, fjalë e turqishtes osmane e marrë veresije, si shumë të tjera, nga arabishtja.
Rrjedhimthi, ‘huduti’ shenjëzonte njëfarë kulture të prapambetur e rurale, duke qenë se Arnavutluku, veçmas Vilajeti i Kosovës, u katandis si pjesa më e largme e territorit perandorak osman me botën joosmane.
Kundër mistifikimeve
Libri i Murat Mehës, të vetmit ekspert që i bën qilizmë fushës së vet, është ajo që na ka munguar kronikisht.
Për problemet që kërkojnë ekspertizë dhe dije, ne kemi një prirje të pabesueshme barbare që t’iu qasemi përmes magjive, marrëzive dhe besimeve personale që i ndjesojmë si të vërteta absolute.
Por, ja që Murat Meha nuk është as rapsod, as magjistar dhe as mistigog që kufirin ta shkoqisë me këngë sharkie, me magji e me misticizma.
I sapobotuar nga Botime Artini, libri ‘Kufiri i shtetit të Kosovës: Studim dhe dokumente’ vjen më mëtimin e fismë të autorit “për më shumë informacion dhe njohuri për lexuesit publikë dhe lexuesit profesionistë.”
Duke pasur si yll polar kureshtjen profesionale për sipërmarrjen e këtij studimi, si të parin e llojit të vet, Meha është i pakompromis në ngulmimin e tij shkollaresk se “kufijtë shtetërorë janë çështje politike, ligjore, profesioniste, hulumtuese e shkencore, dhe në fund, edhe praktike.”
Akribi shkencore që nuk dorëzohet para pasioneve
Brenda 302 faqesh brenda të cilave është endur një lëndë tejet e vëllimshme, autori vë pikën mbi “i” për kufirin e shtetit tonë duke sintetizuar fakte të dokumentuara vendore e ndërkombëtare.
Ashtu siç e kishte ruajtur qetësinë e vet olimpike kur banda e turma e shanin, edhe në libër Meha i qëndron principialisht stancës së tij prej profesionisti.
Sipas tij, “kufiri i Republikës së Kosovës nuk është çështje opinionesh, dëshirash, konspiracionesh, hamendësimesh, e kauzash të gënjeshtërta, siç u tentua në vitin 2015.”
Meha e mbarështron problematikën e rrahur me kapitullin e parë “Metodat e përfitimit të territoreve dhe ndarja e tyre” që ofron një historik të proceseve të shënjimit e ravijëzimit të sinorëve; kapitullin e dytë “Pavarësia e Shqipërisë dhe kufijtë e saj” që kronikon vendosjen e kufijve dhe punën e komisioneve në terren në vitet ’20; me kapitullin e tretë “Kufijtë sipas Kushtetutës së Jugosllavisë deri në shpërbërjen e saj” dhe të katërt “Kufijtë e shteteve nga shpërbërja e RSFJ-së” ofrohet një sfond i kënaqshëm njohurish për kufijtë e brendshëm republikanë në ish-Jugosllavi dhe vlerësimet e Komisionit Badinter; me kapitullin e pestë “Kufijtë e Kosovës me fqinjët” përshfaqet një histori e pasluftës për sa i përket kufizimit të Kosovës me rrethepërqarkun e saj; dhe me kapitullin e gjashtë “Analizë e dokumentacionit zyrtar të kufijve të Kosovës” flitet për matjet me saktësi centimetrike nga terreni dhe paraqitjet hartografike në sistemin GIS.
Libri shkon drejt përfundimit me kapitullin e shtatë “Baza ligjore dhe standardet për matjen e kufijve dhe llogaritjen e sipërfaqes së Kosovës”.
Një bashkëbisedim më 2012…
Në janar të 2012-s, gjatë një bashkëbisedimi që pata me profesor Mehën, ai tërhoqi vërejtjen se sipërfaqja e Kosovës nuk është ajo që del shpesh në atlasët e vjetër gjeografikë nga koha e Jugosllavisë.
“Territori i Kosovës është 10.908 km katrorë. A ka më fatkeqësi që në librat shkollorë të shkruhet edhe më tej se ka 10.887 km katrorë? Ndaj, gjeografët duhet ta përmirësojnë sepse kjo është matje e saktë. Dhe ky territor prej 10.908 km katrorë është i digjitalizuar në harta, tabela, skica, orto foto etj,” pati thënë asohere profesori.
Së këndejmi, libri mes të tjerash i kundërvihet keqparaqitjes së gjithësisë territoriale të Kosovës sikur paska 10.887 kilometra katrorë – matjet e stërmatjet e përditësuara deri më 2016 e paraqesin atë se ka 10.908 kilometra katrorë.
Kosova pati zë
Më 1920, shteti shqiptar kërkoi një Komision neutral Ndërkombëtar për delimitimin dhe demarkimin e kufirit me mbretërinë e rishformuar jugosllave, më saktë sinorët në sektorin me Maqedoninë veriperëndimore.
Ashtu siç e ndërmendte koloneli britanik Frank L. Giles, Jugosllavia asokohe ngarkoi për këtë punë kolonelin Stojanoviq që ishte një nga më të mirët në botë për shërbime topografike. Por, Shqipëria duke mos pasur ekspertë të tillë, “ngarkoi një palë prej Italisë, që edhe ata bënë një punë fort të mirë.” ( “Boundary Work in the Balkans” në The Geographical Journal , Apr., 1930, Vol. 75, No. 4 (Apr., 1930), fq. 304).
Ajo çfarë harrohet në kulturën tonë paranoide është fakti se Kosova e lirë nuk është në të njëjtin zavall siç ishte shteti i parë shqiptar në vitet ’20.
Kufijtë e Kosovës nuk janë më subjekt ku shqiptarët nuk kanë zë; në të vërtetë, pozicionet e Kosovës janë mbrojtur pedantërisht me një punë metikuloze nga Meha dhe të gjithë të tjerët.
Cuba, terroristë dhe ideologji
Më 2016, Murat Meha u shpall armik publik.
Për arsye që s’kuptohen as sot, turmat e ndërkyera krijuan bindjen se ai po bënte pazare me tokën e Kosovës dhe se po i kalonte me mijëra hektarë Malit të Zi.
Si një cub frelëshuar nga historitë e errëta të shekullit të 19-të, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk la gjë pa i thënë profesorit, madje duke e përplasur edhe hartën me kufijtë e demarkuar. Ai, madje, organizoi edhe çetat e tij me njerëz me sfonde kriminale e të përfshirë në haraç për ta zhytur vendin në trazime.
Ndërkohë, terroristët lleftistë nga Lëvizja Vetëvendosje kaluan në nivele të tjera çmendurie.
Ata e kërcënuan profesorin e mbetur vetë, i lanë edhe mjete shpërthyese te apartamenti i tij, dhe, si të mos mjaftoheshin me kaq, në natën e 4 gushtit 2016 e kryen të parin dhe të vetmin sulm terrorist ndaj ngrehinës së Kuvendit të Kosovës.
Megjithëse, terroristët, ose së paku partia e tyre, erdhën në pushtet, sot e kësaj dite kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi është ai që e ravijëzoi profesor Meha.
Askush nuk e kontestoi më megjithëse kishin mjete, resurse e gjithçka tjetër për ta rehabilituar ‘padrejtësinë.’
Prandaj, ky libër duhet të lexohet e rilexohet nga bandat në Dukagjin, por edhe nga ish-terroristët e VV-së…
Së këndejmi, ky libër është rehabilitimi më i mirë psiqik, socializimi më i hajrit e terapia mendore më efikase për ata që, duke e anashnxjerë shkencën, e destabilizuan vendin deri në kufijtë e anarkisë.