Asociacioni, një rrëfim budallallëku - NACIONALE

Asociacioni, një rrëfim budallallëku

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Amerikanët janë bërë edhe më të sertë kohët e fundit në kërkesën që të formohet Asociacioni. Njësoj edhe evropianët. Alternativat për Kosovën paraqiten vetëm dy: ose të prishen raportet me miqtë më të mëdhenj me refuzim ose të plotësohet kërkesa e tyre. Pra, gjuha e tyre po tejthjeshtohet vazhdimisht në mënyrë që ta mbërrijë veshin tonë që s’i merrte vesh.

Jetlir Buja

Por, alternativat për Kosovën në fakt nuk ishin asnjëherë vetëm dy. Nuk janë as sot. Udhëkryqi në dukje bëhet real për aq sa budallallëku i politikës kosovare mbetet kaq i pushtetshëm. Pra, gjuha ndërkombëtare është tejthjeshtuar jo shkaku që kërkohet domosdo Asociacioni, por sepse liderët tanë nuk po arrijnë të kuptojnë.

Qysh na u ravijëzua ky udhëkryq? Nëse dëgjojmë me kujdes analizat politike të liderëve e ish-liderëve tanë politikë për temën në fjalë do ta vërejmë prirjen e tyre të pakontrolluar që të mbërrijnë në një pikë diskutimi ku ishte legjitime të thuheshin sa më pak fjalë, dhe të gjitha të ishin sa më arbitrare që ishte e mundshme. Pra, që të shprehej një farë qëndrimi gjysmak por pa u detyruar që të mbushnin vrimat e shumta në të.

Pak para se të shkonte në Hagë, Hashim Thaçi po e përsëriste vazhdimisht se Asociacioni do ta “bosnjëzonte” Kosovën. Se dinte as qysh e as pse, por e dinte që kështu do të ndodhte. Ani pse, vet i kishte hyrë asaj pune. Thaçi ishte krejtësisht i paaftë që të artikulonte qëndrime mbi pozitën e komunitetit serb në vend dhe rëndësisë vitale për shtetësinë e Kosovës që kishte integrimi i tyre. Ishte lexues i shpalljes së Pavarësisë së një shteti të cilin s’e kuptonte. Ishte një etnonacionalist i pandreqshëm, dhe çdo fjalë në frymën e harmonisë ndëretnike i dilte e pasinqertë. Fatkeqësisht, jemi në të njëjtën situatë. Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, po ashtu duket si një grua e ardhur nga odat ku frymëzohej për të luftuar UÇK-së. Një presidente e shqiptarëve të Kosovës, që s’i bën as aq sa për të ndarë dy llafe me ndonjë qytetar të pakicës serbe aq sa nxiti edhe qortim publik nga ambasadori gjerman.

Qysh s’u bindën pra, as pas kaq shumë kohe ndërkombëtarët që Asociacioni ishte i dëmshëm për Kosovën? Në fakt, ata thjesht u bindën që ndasinë etnike s’po mund ta tejkalojmë kurrqysh.

Prandaj, Kurti s’do të jetë përgjegjës thjesht për zgjedhjen e njërës kundrejt tjetrës. Kurti është përgjegjës sot, para së gjithash, që nuk ia doli tash e dy vjet të ofronte kurrfarë platforme alternative kundër Asociacionit; që nuk ia doli as ta delegjitimonte diskursivisht atë kërkesë; që nuk ia doli të krijonte realitet tjetër në terren pasi erdhi në pushtet. Që nuk ia doli as për vrasjen në baza gjinore të mos thoshte “dy shqiptarë më pak do të mendojnë armiqtë tanë...”

Rrethana aktuale e ka shpalosur veten krejt haptas qe pesëmbëdhjetë vjet. Dialogu dihej ku do të çonte. Serbia dihej që do të na luftonte, dhe më së pari përmes serbëve të Kosovës. Avantazhet e saj ishin drastike, por jo të papërmbysshme. Kryeministri e pranon vet se ka shumë e shumë serbë që e duan Kosovën dhe për aq sa iu është lejuar (e ne kemi edhe procedura burokratike që i pengojnë) janë integruar. Por, të menduarit mbi baza etnike s’u tejkalua që s’u tejkalua.

Ajo punë e bërë në vitet e para të paspavarësisë për integrimin e serbëve (ekziston mendimi i gjithëpërhapur se serbët e Kosovës janë pakica më e privilegjuar në krejt Evropën, merreni me mend) u bë shkel-e-shko dhe nën imponimin e vazhdueshëm ndërkombëtar. S’u kuptua asgjë prej saj, as që ishte çështje vlerash dhe çështje strategjie, por as s’u nxor ndonjë domethënie politike. Pse donin kaq shumë ndërkombëtarët që t’i “privilegjonim” serbët? Mos ndoshta, s’ishin proserbë por thjesht donin t’i forconin shtyllat e shtetit tonë?

Pra, s’ishte gjithmonë çështja: Asociacioni apo partneriteti ndërkombëtar! Ishte, integrimi i plotë i serbëve (a do ta kërkonte dikush Asociacionin nëse zyrtarët serbë të Kosovës do të ishin tamam të integruar dhe për rrjedhë kundër regjimit të Vuçiqit?) apo partneriteti ndërkombëtar! Por, fatkeqësisht, tash duket që s’ka më kohë dhe udhëkryqi iluzor po bëhet gjithnjë e më real.

Serbia vetëm sa e ka forcuar pushtetin e saj brenda komunitetit serb. E ka forcuar dhe legjitimuar në sytë e ndërkombëtarëve e në sytë e vet serbëve të këtushëm edhe ‘nevojën’ për Asociacion. E ndërkohë, ne ishim e mbetëm tragjikisht budallenj që as s’i luftuan veprimet e saj destruktive brenda Kosovës. E drejta ishte në anën tonë. Kaq. U krye. Fund. Askujt s’i shkoi mendja, qoftë as rastësisht, që ta bënte ndonjë veprim në përputhje me interesin kombëtar.

Qe një ilustrim për këtë budallallëk masiv. Serbia më 2021 e dëshmoi se e njihte më mirë se liderët tanë edhe Kushtetutën tonë, ani pse nuk ia njeh ekzistencën. Në zgjedhjet e fundit, ajo e futi në panik politikën tonë duke iu thënë disa qytetarëve serbë që t’i votonin do kandidatë të komuniteteve tjera pakicë. Dhe, çka bënë institucionet tona? E etnicizuan votimin. Thanë që votuesi përfaqësim parësor e ka etninë. E morën vendimin absurd që ai të mos kishte të drejtë të votonte jashta vijës etnike. Serbia potencialisht mund të fitonte një a dy deputetë më shumë në Kuvend, por kjo s’i vyente gjë. Ajo thjesht donte ta etnicizonte edhe më shumë Kosovën, dhe ia doli. Debakël!

Ndërkohë, e kemi edhe Manastirin e Deçanit që është futur mes shtatë vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore në Evropë sipas organizatës prestigjioze Europa Nostra. Shihni qysh flet Albin Kurti për Manastirin me një gazetare austriake kur pyetet pse nuk po respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

Kurti: “...do të doja të takoja ata që janë përgjegjës te Manastiri i Deçanit – por deri tash ata kanë refuzuar që të flasin me mua.”

Gazetarja: “Kjo ka të bëjë me vendim të Gjykatës Kushtetuese, me sundim të ligjit – jo se a flisni ju me njëri tjetrin.”

Kurti: ““Ekzistojnë edhe shumë vendime të tjera gjyqësore të cilat nuk janë zbatuar. Kam pritur që unë me përfaqësuesit e grupeve fetare do të bisedoj për çështje teologjike dhe që ata të jenë më shumë të përqëndruar te Zoti dhe jo te çështje materiale.”

Çka do të ndodh më tej me këtë çështje, askush nuk e di. Të gjitha partitë politike shqiptare kanë qëndrim kundërshtues. E ndërkohë, Serbia e përdor përditë për interes të saj e në dëm të Kosovës.

Ilustrime tjera ka sa të doni, por le të koncentrohemi për shkak të kohës te zhvillimet e fundit dhe te Asociacioni.

Asnjëra parti opozitare nuk ka alternativë. Të gjithë – të frikësuar prej ligjërimit dominues nacionalist – shprehin thjesht dhe vetëm reagime gjysmake e shterpe. Për qëndrime as që bëhet fjalë. Ta zëmë, thonë që duan të ruhet partneriteti me ShBA-në dhe BE-në por s’e kërkojnë formimin e Asociacionit (së fundi, LDK-ja po i bën disa belbëzime por që s’duken më shumë se përllogaritje elektorale). Ose, në rastin e PSD-së, e thonë që janë kundër Asociacionit por nuk tregojnë qysh t’i ikim izolimit ndërkombëtar. “Abdixhiku po ia shtron rrugën Kurtit për Asociacion,” – tha së fundi Dardan Molliqaj, sikur e gjithë çështja të ishte se si t’i shtrohej a pengohej rruga e Albin Kurtit. Pra, gjithçka fillon e mbaron me politikën tonë banale ditore.

Pse na duhen politikanët nëse nuk ia dalin të artikulojnë qëndrime të plota për rrethana kaq vendimtare? Kjo është pyetja që duhet të preokupojë secilin qytetar të Kosovës. E di që na konvenon të besojmë që ka diçka më të sofistikur që fshihet prapa budallallëkut që shihet, por fatkeqësisht është dëshmuar e dëshmuar vazhdimisht që nuk ka.

Lajme të ngjashme