Kërkoni falje + paguani dëmet: Kurti e Osmani provuan me letra të bindnin Europa Nostran, Liburn Aliu shpërtheu
Një delegacion i lartë i organizatës prestigjioze për trashëgimi kulturore, Europa Nostra, ka qëndruar në Kosovë gjatë këtyre ditëve. Çështja më e nxehtë, siç pritej, ishte manastiri i Deçanit. Por, kësaj here në çështje u përfshi edhe Liburn Aliu – dhe i cili, pati një ashpërsi të papritur e paparashikuar duke e eskaluar përplasjen mes Kosovës dhe organizatës.
Delegacioni nga Europa Nostra kryesohej nga Zëvendës-Presidenti i organizatës, z. Guy Clausse. Përveç tij, në Kosovë kishte mbërritur edhe z. Laurent Levi-Strauss, anëtar i bordit të Panelit për Programin e 7 vendeve më të rrezikuara në Evropë të trashëgimisë kulturore – ku vitin e kaluar u fut edhe Manastiri i Deçanit. Dhe, përkrah tyre ishte edhe një profesoreshë nga Shqipëria me emrin Lida Miraj.
Delegacioni nga Europa Nostra ka vizituar përfaqësues të KFOR-it, përfaqësues të Manastirit të Deçanit dhe përfaqësues organizatash joqeveritare në vendin tonë.
Në skenë futet Liburn Aliu
Por, krahas të lartpërmendurve delegacioni është takuar edhe me ministrin e Kulturës, z. Hajrulla Çeku që me vete e kishte edhe ministrin e Infrastrukturës, z. Liburn Aliu.
Ishte ky i fundit që njoftoi për takimin, dhe i cili del se nuk është përmbajtur brenda kornizave të komunikimit miqësor e diplomatik.
Duke qortuar Europa Nostran, Aliu është shprehur se “insistimi për “rrezikun” ndaj Manastirit të Deçanit, është edhe një dëshmi për qasjen jo-profesionale, politikisht të ndikuar të organizatës Europa Nostra,” ndërsa ka ritheksuar se kjo organizatë “i detyrohet kërkim-falje e madje edhe kompensim për dëmin që i ka shkaktuar reputacionit të Kosovës”.
Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Lida Miraj – anëtare e delegacionit – është shprehur se takimi megjithatë nuk ishte i tensionuar përkundër që fjalët e z. Aliu, e madje edhe fotografia e mëposhtme nga takimi, e japin një përshtypje të tillë.

Gjatë vitit të kaluar, Europa Nostra kishte marrë dy letra nga institucionet e Kosovës në shenjë pakënaqësie për vendimin. E para ishte letra e përbashkët e kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani, ndërsa e dyta ishte letra e përbashkët e ministrit Çeku dhe zv. Kryeministres Donika Gërvalla.
Asnjëra nuk arriti që ta bindte organizatën që ta hiqte nga lista Manastirin e Deçanit.
Por, as ashpërsia dhe kërcënime e z. Liburn Aliu nuk duket se do të jenë çelësi për të kthyer situatën e palakmueshme ku është Kosova në favorin e saj.
Këshilltari i Shefit të BE-së në Kosvovë për çështje religjioze, Rick Spruyt, i është drejtuar kryeministrit të Kosovës me tri pyetje pas ashpërsisë në takim të Liburn Aliut.
“Qeveria e Kosovës refuzon përcaktimin e Manastirit të Deçanit si trashëgimi kulturore në rrezik. Atëherë, a do të sigurojë Albin Kurti 1) zbatimin e shpejtë të vendimit të Këshillit të Monitorimit të Zbatimit të vitit 2020; 2) zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, dhe 3) mos-sfidimin e identitetit serb të trashëgimisë kulturore serbe?”

Kryeministri Kurti nuk ka pasur përgjigje për këto pyetje të z. Spruyt deri tash.
Po ashtu, reagim ka bërë edhe Manastiri i Deçanit duke përmendur të njëjtat çështje si z. Spruyt:
“Institucionet e Kosovës pretendojnë se Manastiri i Deçanit gëzon mbrojtje të plotë ligjore dhe kërkojnë një kërkim falje nga Europa Nostra. Ata harrojnë se për 6 vite me radhë injorohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për tokën e manastirit dhe marrëveshja për Këshillin e Monitorimit të Zbatimit për një rrugë anësore rreth zonës së mbrojtur të manastirit,” - shkruhej në një reagim të djeshëm në Twitter.
Kjo çështje pritet të ketë një rëndësi të madhe edhe në dialogun që Kosova po e zhvillon me Serbinë në Bruksel.
Kujtojmë se deri në këtë moment, Europa Nostra ka publikuar të gjitha aktivitetet që ka pasur në Kosovë në llogarinë e saj në Twitter përveç takimit me ministrin Liburn Aliu.