Manastiri: Organizata me të cilën u përplasën Kurti e Osmani erdhi fizikisht në Kosovë - NACIONALE

Manastiri: Organizata me të cilën u përplasën Kurti e Osmani erdhi fizikisht në Kosovë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Europa Nostra, organizata me të cilën u përplasën Kurti e Osmani për Manastirin e Deçanit, ka një delegacion të lartë në Kosovë. Çka duhet të dini?

Manastiri i Deçanit nuk është thjesht një prej vendeve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë por njëkohshëm edhe një prej shtatë vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore në mbarë Evropën.

Një cilësim të tillë e ka bërë organizata prestigjioze ndërkombëtare Europa Nostra vitin e kaluar duke i dhënë një goditje të rëndë Kosovës në tavolinën negociuese në dialogun që vazhdon të zhvillohet tash e njëmbëdhjetë vjet në Bruksel.

Serbia ka provuar të argumentojë vazhdimisht se Kosova nuk respekton të drejtat dhe liritë fetare të banorëve serbë, dhe listimi i Manastirit e përforcoi ndjeshëm këtë pretendim.

Kosova kundërshton

Në anën tjetër, ka një sagë të gjatë juridike që vazhdon brenda vendit në lidhje me Manastirin. Gjykata Kushtetuese në vitin 2016 kishte marrë një aktvendim në lidhje me të drejtat pronësore të Manastirit, por i cili ka ‘unifikuar’ gjithë spektrin politik të vendit – partitë e shqiptarëve etnikë – për të kundërshtuar zbatimin e tij.

Bëhet fjalë për 24 hektarë tokë, të cilat komuna e Deçanit vazhdon të mos ia njohë si pronë Manastirit përkundër akt-vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Por, kjo komunë nuk është e vetme. Ajo ka pasur si mbështetje edhe vullnetin politik të shprehur përmes kryeministrave të Kosovës prej asaj kohe: Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Albin Kurti, Avdullah Hoti dhe tash sërish Albin Kurti.

Pas listimit, pushteti i Albin Kurtit u përfshi në një panik të paparë deri tash. Kryeministri Kurti e presidentja Osmani i kishin dërguar një letër të përbashkët kësaj organizate e në të cilin konsideronin se janë përdorur “argumente të paqëndrueshme” dhe i bëhej thirrje që të dëgjoheshin edhe qëndrimet e Kosovës.

“Në sulmet e pretenduara ndaj manastirit, gjuha e përdorur nga nominuesi është e pasaktë, duke qenë edhe tendencioze dhe e papranueshme.” – shkruanin mes tjerash Kurti dhe Osmani bashkërisht.

Pas kësaj letre, Europa Nostras i kishte shkuar edhe të paktën një letër tjetër nga ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve por argumentet e shtruara nga pushteti në Kosovë nuk ishin marrë parasysh.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese i kishte dërguar një letër Kryeprokurorit të Shtetit, që në atë kohë ishte Aleksandër Lumezi, e përmes të cilit e informonte për “nxjerrjen e Aktvendimit për Mospërmbarim” në lidhje me aktgjykimin.

Me pak fjalë, Kushtetuesja i kërkonte Prokurorisë të vepronte. Përgjegjësia politike duket të jetë më e lartë se përgjegjësitë potenciale penale që mund t’i bartin krerët e institucioneve.

Komuniteti ndërkombëtar në vend ka qenë po ashtu i prerë dhe i ashpër në reagimet ndaj politikës dhe gjyqësisë kosovare. Ambasada e ShBA-ve në Kosovë përgjatë gjashtë viteve të kaluara ka bërë dhjetëra reagime në të cilat i bënte thirrje qeverisë që të respektonte sundimin e ligjit.

Europa Nostra

Një delegacion i organizatës prestigjioze Europa Nostra tashmë ka arritur në Kosovë.

Delegacioni përbëhet nga shtatë anëtarë, prej të cilëve duhet veçuar z. Laurent Levi-Strauss nga Franca që është anëtar i bordit të Panelit për Programin e 7 vendeve më të rrezikuara në Evropë të trashëgimisë kulturore.

Si pjesë e delegacionit është edhe z. Guy Clausse, i cili mban pozitën e Zëvendës-Presidentit të kësaj organizate. Po ashtu, pjesë e delegacionit është edhe profesoresha Lida Miraj nga Shqipëria, që është anëtare e Këshillit.

Në një postim të bërë në Twitter, Europa Nostra njofton publikun se ka vizituar Gjeneral-Majorin e KFOR-it, Ferenc Kajarin, dhe të cilit i kanë shpjeguar “nevojën për ta mbajtur në mbrojtje të lartë Manastirin e Dçeanit”, e për të cilin e potencojnë sërish se është në mesin e 7 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore.

Për vizitën e tyre ka shprehur falenderim edhe Manastiri i Deçanit.

“Trashëgimia kulturore duhet të ruhet si ujë mrs komuniteteve në Kosovë.”

Nuk dihet nëse delegacioni do të ndalet edhe në Prishtinë për të vizituar kryeministrin Albin Kurti apo presidenten Vjosa Osmani, letrat e të cilëve i kishin lexuar.

Vendimin e saj për Manastirin e Deçanit, Europa Nostra e arsyetonte si vijon:

“I ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit 14, Manastiri serb i Kishës Ortodokse është një prej monumenteve religjioze më të rëndësishme mesjetare në Evropë... që prej vitit 1999, Manastiri i Deçanit është ruajtur vazhdimisht nga trupat paqeruajtëse të KFOR-it. Përveç shqetësimeve për sigurinë, manastiri me zonën e saj të veçantë po përballen me rreziqe të vazhdueshme të zhvillimit lokal të përshtatshëm – në shkelje të sundimit të ligjit – dhe të cilat minojnë vlerat e UNESCO-s.”

Lajme të ngjashme