Zajednica, Manastiri, rryma e Veriut, vizita në Hagë: Krejt çka tha sot Albin Kurti me çehre të ngrysur - NACIONALE

Zajednica, Manastiri, rryma e Veriut, vizita në Hagë: Krejt çka tha sot Albin Kurti me çehre të ngrysur

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pas një mbledhjeje me plot 22 pika të rendit të ditës, njëjtë e gjatë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i doli edhe konferenca pas mbledhjes së ekzekutivit kosovar. Ai u pyet për të gjitha temat, duke nisur nga Asociacioni, Manastiri i Deçanit, takimet në Amerikë, rryma në veri e deri te vizita në Hagë tek ish-krerët e UÇK-së. Po si u përgjigj kryeministri i vendit?

Me një fytyrë jo fort të kënaqur, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u doli përpara gazetarëve në konferencë pas një kohe të gjatë. Në sallën e konferencave të qeverisë, gazetarëve iu dha kohë të pyesin për të gjitha temat që së fundmi ishin temë diskutimi në opinionin publik.

Fillimisht, kryeministri Kurti u pyet në lidhje me deklaratat e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon. Shefi i ekzekutivit tha se nuk ka asnjë plan për Asociacionin, ndryshe nga deklarata e Cramon. Madje, u shpreh se po i del mjaft Asociacioni i Komunave të Kosovës.

“Së pari Kosova e ka Asociacionin e Komunave dhe besoni që mua si kryeministër mjaft po më del ky Asociacion ekzistues i Komunave të Kosovës. Në anën tjetër, unë nuk jam në dijeni si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndonjëfarë plani për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kjo çështje është trajtuar shumë herë dhe nuk besoj se mund të shtoj diçka të re”, tha Kurti.

Kurti tha se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon asociacione mbi baza etnike.

“Kushtetutshmëria në Kosovë nuk toleron asociacione mbi baza etnike. Mund të ketë asociacione mbi baza zhvillimore, por jo mbi baza etnike. Dhe le të mos harrojmë se po i pyete të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie, nacionaliteti, religjioni, askush s’e ka prioritet një asociacion të tillë”, u shpreh ai.

A ishte Kurti në Shtëpinë e Bardhë?

Postimi i djeshëm i ambasadorit amerikan, kishte trazuar sërish ujërat nëse kryeministri Kurti kishte qëndruar në Shtëpinë e Bardhë. Kryeministri Kurti në konferencë u pyet “nëse i kishte mbetur zhig që nuk i takoi krerët e shtetit amerikan”.

“Unë e kam takuar këshilltarin për siguri kombëtare, një takim tepër i rëndësishëm për sigurinë në Kosovë. Se a kam qenë në Shtpëinë e Bardhë apo jo, besoj që edhe ambasadori e dha sqarimin”, u shpreh Kurti.

Ai foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, e marrëveshjen përfundimtare.

“Unë ju kisha lutur të mos e sillni në qendër të marrëveshjes së ardhshme Asociacionin, pasi nuk është. Njohja e ndërsjellë është. E ka thënë presidenti Biden e sekretari Blinken. S’besoj se duhet të ketë një qytetar në Kosovë që kërkesën për Kosovën e ka më të ulët sesa presidenti Biden e sekretari Blinken. Ju lutem duajeni Kosovën së paku sa e do Amerika. Besoj se duhet ta duam më tepër pasi është vendi ynë. Në qendër të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, është njohja reciproke e jo Asociacioni”, deklaroi Kurti në konferencën për media.

Vizita në Hagë

Ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e vizitoi ish-presidentin Thaçi në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Kryeministri i Kosovës tha se “mbase” mund t’i vizitojë, por që sipas tij, më e rëndësishme është të ketë komunikim me avokatët e tyre.

“Unë kam konsideruar që më e rëndësishmja për fazën nëpër të cilën kalojmë, për Gjykatën Speciale, që nuk është e lëvdueshme për nga transparenca, të kontaktoj, të komunikoj e të diskutoj me avokatët e luftëtarëve të UÇK-së që janë në Hagë e po mbahen në paraburgim të stërzgjatur. Mbase edhe mund t’i vizitoj, por po tregoj çka është më e rëndësishme të bëj unë si kryeministër. E kjo është komunikimi dhe diskutimi me avokatët e mbrojtjes të cilët i kanë klientët e tyre ndaras të cilët paguhen shumë nga Republika e Kosovës, e në anën tjetër që të gjithë të pandehurit konsiderohen së bashku, nga Prokuroria për të keq, edhe nga ana e Republikës së Kosovës që ata i njeh si luftëtarë të dalluar të UÇK-së”, tha i pari i Qeverisë.

Manastiri i Deçanit

Tri pyetje iu drejtuan Kurtit, në lidhje me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Ai tha se pushtetet në Kosovë janë të ndara, dhe që ai ka dilemat e veta për vendimin e asaj kohe.

“Aktgjykimi i i kushtetueses? A nuk janë të ndara pushtetet, pse kaq shumë kërkesa në drejtim të Qeverisë kur pushtetet janë të ndara... ka shkelje procedurale në aktgjykim… nuk është manastiri i Deçanit palë, është Kisha ortodokse… AKM nuk mund të na përfaqësojë neve, pas shpalljes së pavarësisë e kemi AKP. Qeveria i mbahet drejtësisë, nuk angazhohemi në logjikë pazaresh as brenda e as jashtë vendit. Nëse ka nevojë për më shumë komunikim e kemi shprehur gatishmërinë tonë, kam kërkuar nga priftërinjtë e kishës ortodokse të nisim dialog, ata nuk po e pranojnë këtë, priftërinjtë kishës ortodokse nuk po e kanë gatishmërinë të takohen me mua… janë takuar me të gjithë kryeministrat e mëhershëm, përveç meje”, u shpreh kryeministri Kurti.

Rryma në veri

Kryeministri i vendit tha se shumë shpejt do t’i vijë fundi pagesës së rrymës për serbët në veri. Këtë e tha, duke e komentuar situatën energjetike në vend.

“Por jemi duke e shpëtuar situatën ku në njërën anë është aspekti humanitar që ne nuk dëshirojmë që një rajon të tërë ta shkëpusim nga rrejti energjetik dhe së dyti nuk dëshirojmë të krijojmë pretekste që rrejti energjetik i fqinjit tonë verior që s’na njeh, e s’i pranon krimet në Kosovë, të zgjerohet në Kosovë në emër të humanitetit të tyre”, është shprehur Kurti në konferencë për media.

Ndryshe, në mbledhjen e qeverisë, Kurti kritikoi opozitën për çështjen e Trustit, duke thënë se po bashkëpunojnë me Listën Serbe.

Lajme të ngjashme