Shitja e qymyrit: JSC ESM thotë se bëhet fjalë për koncesion, KEK-u e mohon - kush ka të drejtë?
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka reaguar lidhur me kontratën për shitjen e qymyrit me “JSC ESM”.
Përmes një reagimi, KEK ka bërë përpjekje për të demantuar raportin e djeshëm të gazetës Nacionale, i cili iu referohet njoftimit zyrtar të kompanisë “JSC ESM”.
Në njoftimin zyrtar të kompanisë thuhet se bëhet fjalë për një koncesion në minierën në Obiliq për eksploatimin e rreth tre milionë tonëve qymyr gjatë 36 muajve të ardhshëm për shtijën e qymyrit.
Pavarësisht konstatimit të qartë të kompanisë maqedonase se bëhet fjalë për një koncesion, KEK vazhdon të mohoi një gjë të tillë.
“Pas negociatave intensive ndërmjet dy kompanive më të mëdha shtetërore dhe në bazë të një vendimi të Qeverisë, SHA ESM lidhi një marrëveshje strategjike trevjeçare me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), përmes së cilës SHA ESM fitoi koncesion në minierën në Obiliq dhe mundësinë për eksploatimin e rreth tre milionë tonëve qymyr gjatë 36 muajve të ardhshëm”, është thënë në njoftimin e “JSC ESM”, të cilit i është referuar Nacionale në raportimin e djeshëm.
Në reagimin e sotëm të KEK-ut thuhet se kontrata në mes të dy kompanive flet për diçka tjetër.
“KEK-u tashmë ka bërë publike faktet kryesore: 24.4 euro për ton pa TVSH, periudhë 36-mujore, vlerë potenciale deri në 73.2 milionë euro, shitje direkte te përdoruesi përfundimtar dhe pa ndërmjetësues. Po ashtu, KEK-u nuk merr përsipër eskavimin, transportin apo operacionet logjistike për tërheqjen e qymyrit. Kjo e mban realizimin e kontratës të ndarë nga proceset operative të Korporatës dhe garanton se shitja e kësaj sasie të qymyrit nuk cenon operimet minerare, furnizimin e termocentraleve me qymyr apo prodhimin vendor të energjisë elektrike. Nevojat e termocentraleve mbeten prioritet absolut”, është thënë në reagimin e KEK, duke dhënë detaje tjera.
“Prandaj, paraqitja e kësaj kontrate si “koncesion” është e pabazuar dhe në kundërshtim me përmbajtjen e dokumentit zyrtar. KEK-u u bën thirrje të gjithë të interesuarve që t’u referohen dokumenteve zyrtare dhe jo deklarimeve të pakonfirmuara apo interpretimeve të shkëputura. Transparenca është obligim. Faktet janë të verifikueshme. Kontrata është publike. Në kontratë nuk ka koncesion”, është thënë në kontratë.