Viti historik i Albin Kurtit - NACIONALE

Viti historik i Albin Kurtit

1 vit më parë

nga Berat Buzhala

Every dog has its day. I vjen dita secilit qen. Kuptimi i kësaj shprehjeje është që secili prej nesh, në një fazë jetësore, do të jetë i suksesshëm ose do të ketë fat.

Berat Buzhala

I lindur si personalitet në tetorin e vitit 1997, kur studentët në Prishtinë u ngritën në këmbë kundër regjimit të Milosheviqit, Albin Kurti rrugën e tij politike e siguroi, kur u arrestua nga po i njëjti regjim e që, ironikisht, këtu mungon shpjegimi racional: i njëjti regjim, derisa Kurti ishte në burg, ia organizoi edhe një konferencë për shtyp, po në burg.

Para tërë botës, disa metra larg ministrit të Drejtësisë të Millosheviqit, Kurti u shndërrua në hero të popullit të vet. Ndoshta ishte edhe vetëm rastësi.

Të mos humbim shumë kohë aq thellë në histori, sepse ka rrezik që nuk do të mund të dalim prej saj. Ose ka rrezik që të ngatërrohemi me konspiracione vështirë të shpjegueshme me fakte ose me arsye.

Kurti, edhe kur nuk votohej, ishte i popullarizuar. Qytetarët e donin atë, edhe kur ai i sulmonte institucionet, edhe kur organizonte protesta të dhunshme, edhe kur hidhte gaz lotsjellës. Shihej si një rebel simpatik dhe antiestablishment. Qytetarët, edhe ata që janë me pushtetin, janë të prirur që t’i respektojnë ata që pushtetin e mbajnë përgjegjës. Përveç militantëve. Prandaj Kurti, duke qënë kokëfortë, duke mos u bërë pjesë e pazareve të dyshimta financiare, konsiderohej si opsioni i dytë më i mirë politik, qoftë për PDK’në, qoftë për LDK’në. Ishte njëfarë autoriteti interesant.

Kjo ishte edhe arsyeja që ai, pastaj, me rezultatin e arritur më 14 shkurt të vitit 2021, i tronditi të gjithë. Edhe pse Albini ka qenë poshtë radarit, ardhja e tij mund të vërehej. Vetëm miopët nuk kanë mundur ta shihnin. Madje, marrë parasysh rrethanat, ardhja e Albinit, aq e fuqishme që ishte, as nuk mund të parandalohej. Pak a shumë, sikur një lojë e shahut. Nëse kanë kaluar mbi dy të tretat e lojës, nëse njëra palë është përgatitur shumë gjatë për një përfundim të caktuar, epilogu as nuk mund të parandalohet. Mundesh, madje, edhe ta njoftosh për lëvizjet e ardhshme. Është e kotë. Gjërat janë futur në rrjedhën e vet.

Unë nuk jam prej atyre që tash thonë se Albini do të qëndrojë në pushtet edhe 10 vjet, e as prej atyre që thonë se Albini mori fund dhe se do të rrëzohet këtë vit. Jo, unë besoj që kryeministri Kurti ka më shumë hapësirë manovruese sesa kaq. Ka më shumë opsione para vetes. Mund të ndodhë edhe skenari i parë e edhe skenari i dytë. Varësisht se si rrjedhin gjërat. Varësisht se si rrjedhin gjërat këtë vit.

Ajo për të cilën unë jam tashmë i bindur, është që 25 vite karrierë politike të Kurtit do të kulmojnë në pjesën e parë të këtij viti.

Edhe më tutje, ai nuk ka bërë ndonjë gabim që do t’i kushtonte aq shtrenjtë sa t’ia merrte jetën politike, por, gjithashtu, ai edhe më tutje nuk ka arritur që të imponohet si njeri i besueshëm te partnerët ndërkombëtarë.

Sa i përket qeverisjes së brendshme, ky është muhabet tjetër, mirëpo keqqeverisja, për një politikan që ka fituar mbi 50 përqind të votave, nuk është vdekjeprurëse. E posaçërisht kur keqqeverisja nuk është e lidhur me korrupsionin, por me paaftësinë.

Kurti edhe më tutje nuk po konsiderohet i korruptuar nga qytetarët, sado që dorën e ngrohtë të qeverisë nuk po e ndiejnë qytetarët. Këta të fundit nuk e kanë kualifikimin e duhur për ta analizuar faktin që Kosova, për fajin e kësaj qeverisjeje, për mungesën e vizionit të kësaj qeverie, vetëm në dy vitet e fundit ka humbur dhjetëra miliona euro, që të mos themi qindra, si pasojë e inflacionit dhe si pasojë e rreth 1 miliard eurove që po qëndrojnë në banka. Votuesi i Kurtit ose një pjesë e votuesve të Kurtit nuk e kanë shumë problem që të avullohen nga inflacioni, le të themi, 100 milionë euro, sa e kanë problem një aferë korruptive prej 100 mijë eurosh. Kjo është e çuditshme, por ja që kështu është.

Prandaj nuk mund të pritet që Kurti të gjykohet tepër rëndë prej qytetarëve, kurdo që mbahen zgjedhjet. Sigurisht që ai nuk do t’i avitet numrit historik të 14 shkurtit, por as nuk do të rikthehet atje ku ka qenë në zgjedhjet e vitit 2019, në 25 përqind. Por gjërat mund të përmbysen dramatikisht, nëse Kurti dështon që t’i bindë partnerët ndërkombëtarë që ai është një figurë stabile politike. Pa mbështetjen e ndërkombëtarëve, dështimi në qeverisjen e brendshme do të kishte jehonë shumë më të madhe. Me mbështetjen e ndërkombëtarëve, ky dështim duket më i vogël dhe më i përmirësueshëm. Më benin.

Të gjitha këto që po i shkruaj, do të mbyteshin në ujë, nëse shteti për të cilin po flasim, pra Kosova, do të kishte dhjetëra miliona banorë dhe do të kishte një pozitë tjetër strategjike. Në politikë, nuk është sikur në fizikë. Rregullat dhe ligjet nuk janë të njëjta. Ajo që vlen për Kosovën, nuk vlen për Turqinë e ajo që vlen për Turqinë, nuk vlen për Kinën. Janë dinamika të ndryshme. Ukrainës i janë hequr vizat me Bashkimin Evropian, edhe pse e ka të pushtuar nga një shtet tjetër rreth ¼ e territorit. Turqia ka aplikuar për të hyrë në BE para më shumë se 30 vjetëve. E përjashtime të tjera.

Albin Kurti dhe kabineti i tij kanë dëshmuar që këto specifika nuk dinë t’i lexojnë si duhet. Kanë pasur sukses edhe në vitin 2020, kur i mbijetuan një konfrontimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mirëpo ishin rrethana të tjera. Me atë që e kemi parë deri më tani, Kurti as nuk e ka lexuar drejt atë që ka ndodhur në qeverinë e parë të tij, e as nuk ka marrë mësim. Ai po vazhdon duke eksperimentuar, duke ia testuar durimin ShBA’së e, këtë herë, edhe Bashkimit Evropian. Po e përseris, edhe më tutje gjërat nuk kanë shkuar në pakthim, mirëpo, sipas gjykimit tim, jemi në fazën finale.

Lufta në Ukrainë nuk është drejtpërdrejt e lidhur me zhvillimet në vendin tonë, posaçërisht në raport me Serbinë, mirëpo nuk mund të shikohet krejtësisht e shkëputur. Ajo që shihet nga distanca, është se roli i Rusisë në Ballkan kurrë nuk ka qenë më i vogël, prandaj rrethanat për ta bindur Serbinë që të nënshkruajë disa marrëveshje kurrë nuk kanë qenë më të mira. Nuk bëhet fjalë këtu për ta detyruar Serbinë që të kapitullojë, sepse kjo gjë është e pamundur, por për ta bindur Serbinë që të bëhet lojtare racionale në rajonin tonë, duke i pamundësuar Rusisë që të luajë shah me dorën e Serbisë. Për të ndodhur kjo gjë, çfarëdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të duhej të shihej edhe në Serbi si një lloj shpërblimi.

Ne mund të vajtojmë çdo ditë për këtë gjë dhe mund ta akuzojmë Perëndimin çdo ditë pse po e trajton butë Serbinë, por ja që ky është mësimi i parë në gjeopolitikë. Kushdo që e ka një plan serioz për t’i ndryshuar këto ligje, do të ishte i mirëseardhur për të ligjëruar në Harvard. Kurti nuk ka.

Ajo që e ka bërë deri më tash kryeministri i Kosovës, quhet blerje e kohës. Ka tërhequr, por nuk ka këputur. E ka tensionuar situatën, por jo përtej nivelit ku nuk mund të kthehet prapa. Nëse mund ta themi figurativisht, por edhe në kuptimin e fjalëpërfjalshëm, ka shkuar deri tek ura mbi Lumin Ibër, por ka qëndruar në pjesën jugore. Sjelljet e deritashme të Kurtit nuk kanë qënë sjellje që partnerëve ndërkombëtarë u kanë pëlqyer. Ai u ka shkaktuar atyre pasiguri dhe paqartësi deri në atë shkallë, sa Ambasada amerikane ua ka anuluar vizitën në ShBA disa ministrave të kësaj qeverie. Kjo nuk është një masë që merret me shumë lehtësi nga amerikanët. Është masa e fundit, ose sinjali i fundit, përpara se edhe vetë Kurti të sanksionohet.

Episod i ngjashëm ishte edhe me barrikadat dhe serbin e arrestuar. Partnerët ndërkombëtarë janë të zemëruar me irracionalitetin e Kurtit, i cili e ka me rëndësi të duket triumfues dhe dominues. Është e vërtetë që Kurti, me propagandën e tij të gjatë, ka krijuar një masë qytetarësh që pritjet për të i kanë më të mëdha sesa pritjet që i ka nëna ime për fuqinë e Zotit. Mirëpo partnerët ndërkombëtarë kanë pritur dhe vazhdojnë të presin që Albin Kurti, nga pozita e kryeministrit, të reflektojë. Nuk mund të sillesh si fëmijë edhe atëherë kur para vetes i ke informacionet e duhura.

Pra, me fjalë të tjera, kryeministri Kurti ua ka ngacmuar nervat edhe amerikanëve, edhe evropianëve. Zhvillimet në planin global janë aq të fuqishme, sa këto dy superfuqi nuk kanë as kohë, as vullnet që ta shpenzojnë energjinë e tyre në Ballkan, posaçërisht në Kosovë. Kush ka kohë për ta negociuar mbajtjen ose jo në arrest të një serbi, kur duket që edhe faktet kundër tij ishin minimale. Normalisht, në këso rastesh, do të duhej të vlente ajo rregulla që Kurti ia kishte përcaktuar vetes në raport me ShBA’në: kur na thonë amerikanët “kërceni”, ne nuk pyesim “pse”, por “sa”. Të njëjtën rregull Kurti nuk duket i interesuar që ta zbatojë, përveç nëse bëhet fjalë për kërkesa amerikane jashtë Kosovës. Kurse amerikanët janë të interesuar që Kosova këtë rregull ta zbatojë, posaçërisht nëse bëhet fjalë për vendin tonë.

Është e pamundur të thuhet që Kurti dhe qeveria e tij ishin krejtësisht të papërgjegjshëm në raport me partnerët. Megjithatë, gjatë kësaj vjeshte, ata bënë koncesione. Janë zmbrapsur nga veriu në të gjitha rastet, e gjithashtu kanë nënshkruar një marrëveshje në Bruksel, atë për targat, por edhe më tutje po i sillen vërdallë marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili është çelsi për çfarëdo përparimi të madh në raport me Serbinë. Pa dyshim që është edhe gogoli që e ka krijuar vetë Lëvizja Vetëvendosje. Si është e mundur që të flitet, në parim, kundër krijimit të një entiteti, siç është asociacioni, kur ende statuti i kësaj organizate nuk është shkruar?

Ajo që e kemi parë vitin që e kemi lënë prapa, ka qenë vetëm një paralojë. Palët dhe vullneti i tyre janë testuar. Kohë pas kohe, kushdo që ka pasur dhëmbë, ia ka treguar kundërshtarit. Dikush ka vënë barrikada, dikush ka arrestuar njerëz, pastaj dikush i ka detyruar edhe të parët, edhe të dytët që t’i heqin barrikadat dhe t’i lirojnë njerëzit në mënyrë që t’u hapet rruga dialogut dhe marrëveshjes.

Viti 2023 ka filluar pa ndonjë pengesë serioze, nëse në ndërkohë dikush nuk kujtohet për të krijuar. Në çdo front, qoftë në këtë të Kosovës, qoftë në atë të Serbisë, por edhe në atë të Bashkimit Evropian dhe të ShBA’së, viti 2023 duket si viti ideal për të përmbyllur një proces të dialogut Kosovë – Serbi, që kishte filluar para më shumë se një dekade. Një hap i madh përpara drejt paqes.

Albin Kurti i ishte lutur Zotit për një kohë të gjatë, që t’ia jepte një mundësi për ta drejtuar Kosovën. Lutjet e tij ishin dëgjuar. Mundësi i ishte dhënë. Krejt çfarë ai duhet të kuptojë, është që nuk është i vetmi lojtar në këtë garë. As Kosova nuk është i vetmi shtet. Palët kanë interesa, kurse e rëndësishme është që Kosova të dalë nga ky proces më mirë sesa në kohën kur ishte futur. Përshkallëzimi dhe lufta në emër të paqes janë arsyetime të kota. Ato, kryesisht, janë mjete në duar të liderëve frikacakë, të atyre që nuk guxojnë të marrin vendime të mëdha.

Kjo është mundësia e Kurtit. Ky është viti i tij historik. Për të dalë fitues prej tij, Kurtit i duhet t’i zhbëjë veten dhe kultin e tij.

Lajme të ngjashme