Administrata e Joe Biden ra në kurthin që ia bëri Administratës Trump - NACIONALE

Administrata e Joe Biden ra në kurthin që ia bëri Administratës Trump

2 muaj më parë

nga Berat Buzhala

Shkruan: Berat Buzhala

Para katër vitesh Kosova dhe Serbia ishin shumë afër që të nënshkruanin një marrëveshje historike. Sot, jemi më afër luftës se sa marrëveshjes.

Administrata e Presidentit Joe Biden dhe shtetet më të fuqishme të Evropës, si Gjermania dhe Britania e Madhe, janë futur zyrtarisht në luftë me ‘frankenshtajnin’ që e krijuan vetë.

Para katër vitesh, kur Kosova kishte ecur përpara drejt arritjes së një marrëveshje historike me Serbinë, të ndërmjetësuar nga emisari i Presidentit Trump, Richard Grenell, propaganda që po bëhej kundër kësaj marrëveshje, nga qeveritë Perëndimore, por edhe elemente të Partisë Demokratike, ka qënë brutale dhe bizare.

E gjitha bota po luftonte kundër COVID’it, në Kosova po bëheshim gati që të luftonim kundër njëri tjetrit.

Në njërën anë ishte Presidenti i Kosovës, në atë kohë, Hashim Thaci, i cili besonte në një marrëveshje me Serbinë të ndërmjetësuar nga Trump dhe Grenell, kurse në anën tjetër ishte Albin Kurti, që i kishte fituar zgjedhjet në nëntor të vitit 2019, i cili ishte shndërruar në proxy të Joseph Borrellit, Miroslav Lajcakut, Qeverisë së Gjermanisë, Qevërisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe segmenteve të caktuara të Partisë Demokratike të SHBA’vë.

Nga frika se një marrëveshje ndërmejt Kosovës dhe Serbisë do t’i ndihmonte Donald Trumpit që t’i fitonte zgjedhjet, këta të fundit ishin rreshtuar prapa kryeministrit Kurti, që ky të sabotonte cfarëdo mundësie për marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë. Deri në gjysëm të rrugës, njëra prej viktimave të kësaj propagande dhe lobimi kam qënë edhe unë.

Si pasojë e kësaj, fatbardhësisht nuk kishte viktima në rrugë, por pati mjaft viktima politike. Njëri prej tyre ishte Presidenti Hashim Thaci. Mu në mes të procesit politik, prokurori amerikan Jack Smith, e ngriti nje aktakuzë kundër Presidentit Thaci, në kohën kur ky ishte duke udhëtuar për në Shtëpi të Bardhë. Ndërhyrja ishte e frikshme dhe e pashembullt. Hashim Thaçi ishte 10 mijë metra mbi tokë, kur kundër tij u ngrit aktakuza.

Jack Smith aktualisht është prokuror i caktuar nga administrata Biden për ta hetuar Donald Trumpin.

Hashim Thaci nuk ishte viktima e vetme politike.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në atë kohë e udhëhequr nga Isa Mustafa, mori goditje mbi brez dhe nën brez, nga ndërkombëtarët, pse vendosi të votojë për rrëzimin e Albin Kurtit nga pushteti, në mënyrë që, mëgjithatë, në Shtëpinë e Bardhë të nënshkruhej një marrëveshje, e cila i solli Kosovës njohjën e pavarësisë nga Izraeli, por edhe raporte të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Isa Mustafa si një politikan i përgjegjshëm vendosi që të votonte rrëzimin e Kurtit, atëherë kur emisari i Trump, Richard Grenell, kishte deklaruar “që administrata Trump nuk do të punonte më me Kurtin, për shkak te veprimeve destabilizuese dhe të njëanshme të tij”.

Për ta shpëtuar vendin, Mustafa e shkatërroi vetën dhe partinë e tij.

Rrëzimi i Kurtit i kishte frustruar shtetet që i numërova më sipër. Ato, përmes ambasadorëve të tyre, dhe ato entitete politike (ju liberaleve të Amerikës po ju shikoj) vazhduan që t’ia mprehin brirët kryeministrit të rrëzuar Kurti, vazhduan t’i godasin të gjitha partitë tjera politike në Kosovë.

Me këtë klimë politike Kosova po shkonte drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kurti doli publikisht në media, duke e akuzuar Trumpin dhe Grenellin që e rrëzuan nga pushteti. Përvec kësaj, ai vendosi që të dilte publikisht me anë të një video dhe t’i ftonte shqiptarët në Amerikë që të votonin në zgjedhje për Joe Bidenin. Kjo ishte hera e parë në historinë e Kosovës, që një figurë kaq e rëndësishme politike e Kosovës, të pozicionohej në zgjedhjet e brendshme të aleatit më të rëndësishëm të Kosovës.

Shumica e diplomatëve të asaj kohe, me të cilët jam takuar, kanë qënë të bindur që tashmë në Kosovë e kanë gjetur partnerin e tyre për dekadën e ardhshme.

Me Presidentin Thaçi te arrestuar, me Lidhjen Demokratike të coptuar, Albin Kurti me levizjen e tij, tashmë të kthyer në një levizje gjithëpopullore, e detyroi vendin që të shkonte në zgjedhje saktësisht para tri viteve.

Pak muaj më herët, i kishte funksionuar edhe basti i tij për zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kundërshtarët e tij humbën dhe fitoi Joe Biden. Kosova u përmbys politikisht si kurrë më parë. Një parti politike i fitoi për herë të parë 51 përqind të votave.

Të gjithë u gëzuan. U gëzua populli i Kosovës, u gëzua administrata e re amerikane, u gëzua edhe qeveria gjermane dhe ajo britanike. Për mëndimin tim u gëzua edhe qeveria serbe. Të gjithë për arsye të ndryshme.

Ku jemi tash?

Saktësisht atje ku ishim para katër vitesh. Përvecse Kurti tash është shumë më i fortë politikisht. Steroidet e injektuara nga Perëndimi, e rritën Kurtin nga 25 përqind në 51 përqind. Atij para disa ditësh ju ngrit edhe një statujë e bronzit në një fshat të Kosovës.

Administrata e Joe Biden dështoi tmerrësisht në Kosovë. Në vend që ta vazhdonin atë që kishte nisur në kohën e Trump, përmes caktimit të një emisari special për Kosovën dhe Serbinë, që ta rrehnin hekurin sa ishte iu nxehtë, ata këtë proces e dorëzuan tërësisht në dorën e Bashkimit Evropian.

Më tregoni, cila është kriza e fundit në botë që është ndërmjetësuar dhe zgjidhur nga Bashkimi Evropian, që është një mamuth ekonomik, që në rastin më të mirë, në politikën e jashtme është një backvocal i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kosova dhe Serbia para katër vitesh dukeshin shumë afër arritjes së një marrëveshje historike. Sot Kosova dhe Serbia duken shumë më afër një lufte, se sa një marrëveshje. Tentativat e fundit të Departamentit të Shtetit për ta bindur kryeministrin Kurti që të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm dhe të pakoordinuar pësuan fiasko. Sic e tha edhe nënsekretari i shtetit, Jim O’Brian, biseda e fundit e tij telefonike me Kurtin zgjati shumë shkurt. Duket si një Deja Vu. Shumë shkurt kishte zgjatur edhe një bisedë e Kurtit edhe me një O’Brian tjetër, me ish këshilltarin për Siguri Kombëtare të Trump, Robert O’Brian.

Ndoshta nuk ka nevojë që të elaborohet në detaje se cka do të thotë në këso rastësh një bisedë telefonike që “zgjatë shumë shkurt”.

Në këto tri katër vite Kosova e humbi cdo mundësi për ta përfunduar në mënyrë paqësore përfundimin e shkurorëzimit me Serbinë. Përvec kësaj Kosova po i humbë edhe aleatët Perëndimor. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Kurti mori goditje nga të gjithë aleatët e Kosovës, ata që ndihmuan në lindjen e shtetit tonë.

Kjo cfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe është një humbje e madhe e Perëndimit, është një humbje e madhe e Kosovës. Rusia dhe Serbia janë fituesit e vetëm. Rusia me shpresën që do ta zgjerojë konfliktin edhe në pika të tjera të nxehta në Evropë, kurse Serbia po e realizon ëndërrën e saj, që Kosovën dhe qytetarët e saj t’i kthejë kundër Perëndimit.

Lajme të ngjashme