10 ditë jashtë kalendarit kushtetues, Vetëvendosja nuk e vazhdon seancën konstitutive
Kosova është dhjetë ditë jashtë kalendarit kushtetues për të pasur Kuvendin e themeluar dhe legjislaturën e re, të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Partia Vetëvendosje e Albin Kurtit ka përjashtuar zbatimin e Nenit 66 të Kushtetutës së Kosovës dhe afatit kushtetues të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Sipas Aktgjykimit të vitit 2025, seanca konstitutive duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore.
Ndërkohë, Rregullorja e Kuvendit përcakton se, në rast ndërprerjeje, seanca konstitutive duhet të vijojë jo më larg se 48 orë.
Vetëvendosje pretendon tash se ka edhe 30 ditë shtesë, duke e lidhur afatin me thirrjen e seancës në ditën e fundit të periudhës kushtetuese.
VV-ja dhe partnerët e saj kanë deklaruar se i kanë 62 deputetë, ndërsa për konstituimin e Kuvendit nevojiten 61.
Megjithatë, edhe me numrat e nevojshëm, Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa seanca nuk është thirrur brenda intervalit të përcaktuar nga Rregullorja.
Deputetët e PDK-së dhe Aleancës po vazhdojnë të paraqiten në Kuvend, sipas parashikimit për vazhdimin e seancës çdo 48 orë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka akuzuar Vetëvendosjen për bllokimin e institucioneve.
“Nuk mund të jesh njëkohësisht pjesë qendrore e bllokadës dhe të paraqitesh si viktimë e saj”, deklaroi Tahiri.
Sipas tij, përgjegjësia politike nuk mund të fshihet pas procedurave ose kalkulimeve partiake.
Në këtë anulim procedural të Vetëvendosjes është bashkuar edhe Administrata e Kuvendit, duke “sqa”uar" statusin e Sallës së Seancave Plenare.
Administrata tha se për 16 gusht 2026 nuk kishte pranuar njoftim zyrtar për mbajtjen e ndonjë seance.
“Për datën 16 gusht 2026, Administratës së Kuvendit nuk i është komunikuar njoftim zyrtar për organizimin dhe mbajtjen e një seance”, thuhet në njoftim.
Sipas saj, për këtë arsye nuk ishin ndërmarrë veprimet administrative, teknike dhe logjistike për organizimin e seancës.
Administrata, në mbrojtje implicite të Vetëvendosjes, tha se mungesa e njoftimit nuk duhet interpretuar si vendim politik apo qëndrim ndaj deputetëve.
Në paralel me krizën parlamentare, dështuan edhe përpjekjet e pretenduara e Kurtit për marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Prej dy vitesh, Kurti pretendon se dëshiron koalicion vetëm me LDK-në, duke e arsyetuar këtë me preferencat e elektorateve të ndërsjella.
Por negociatat përfunduan pa marrëveshje, ndërsa pengesa kryesore mbeti posti i presidentit dhe ndarja e përgjegjësive institucionale.
Lumir Abdixhiku tha se LDK-ja ishte e gatshme t’ia linte VV-së kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit.
“Ne ua kemi njohur të drejtën VV-së, që ta kenë edhe Kryeministrin edhe Kryetarin e Kuvendit”, tha Abdixhiku.
Në këmbim, LDK-ja kërkoi Presidencën dhe një rol në ekzekutiv.
“Kemi propozuar përgjegjësinë e institucionit të presidentit së bashku me një rol në ekzekutiv”, tha ai.
Sipas Abdixhikut, VV-ja ofroi vetëm tri ministri.
“Fatkeqësisht përgjigja e VV-së ishte për prani dekorative, që do të kontrollohej tërësisht nga vetëm një subjekt”, tha ai.
Deputetja Vjosa Osmani tha se oferta e Kurtit synonte “të poshtërojë” LDK-në.
“Oferta jo vetëm që nuk është serioze, nuk është parimore as e drejtë”, tha Osmani.
Sipas saj, LDK-ja u vlerësua “edhe më pak se sa partitë minoritare”, ndonëse ka 18 deputetë.
Kurti e kundërshtoi këtë interpretim, duke thënë se LDK-së i kishte ofruar edhe postin e kryetarit të Kuvendit.
“Kur e pamë që nuk janë të interesuar për kryetarin e Kuvendit, oferta jonë qysh në pranverë është ripërsëritur tani”, tha Kurti.
Sipas tij, alternativa tjetër ishte një zëvendëskryeministër dhe tri ministri, nëse presidenti do të ishte kandidat konsensual.
Pas dështimit, Abdixhiku njoftoi tërheqjen e LDK-së nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në Qeveri dhe Presidencë.
“LDK heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri”, deklaroi Abdixhiku.
Në këtë situatë, zgjedhja e presidentit mbetet e lidhur drejtpërdrejt me zgjidhjen e krizës institucionale.
Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, ka kërkuar ndërkohë bashkëpunim nga opozita.
“Këtë refuzim e konsideroj veprim të gabuar, të pamatur”, shkroi Haxhiu për refuzimin e PDK-së dhe Aleancës.
Ajo kërkoi që vullneti i qytetarëve të zbatohet përmes institucioneve.
“Zgjedhjet do të duhej të ishin opsioni i fundit nëse jo fare opsion”, deklaroi Haxhiu.