Urgjente, partnerë alternativë, një individ s’mund të ikë: Fjalët më të ashpra të Amerikës për Asociacionin - NACIONALE

Urgjente, partnerë alternativë, një individ s’mund të ikë: Fjalët më të ashpra të Amerikës për Asociacionin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Nënsekretari amerikan i Shtetit, Derek Chollet ishte dje në Kosovë bashkë me përfaqësuesin e lartë të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobarin dhe me të tjerë anëtarë të delegacionin. Edhe këtu u thanë fjalë mjaft të qarta për Asociacionin. Por, cilat ishin më të ashprat deri tash?

Presioni ndaj Kosovës për të krijuar një draft mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është shtuar.

Zyrtarët amerikanë kohët e fundit nuk po kanë shumë kujdes që fjalët e tyre të thëna në publik të tingëllonin sa më diplomatike.

Më poshtë keni disa raste kur gjuha e tyre për çështjen e Asociacionit ishte e rëndë... shumë e rëndë.

1# Escobari

Përfaqësuesi Escobar fatkeqësisht ishte i hapur edhe në deklarimet e bëra gjatë ditës së djeshme.

“Asociacioni është një obligim i detyrueshëm ndërkombëtar. Ai e obligon Kosovën, obligon Serbinë dhe e obligon BE-në që e ka udhëhequr, dhe pse ne e kemi përkrahur është përkushtimi ynë. Andaj, një parti dhe një individ nuk mund të ikë nga ai njëanshëm.” – u shpreh ai për gazetën Koha.

2# Cholleti

Nënsekretari Derek Chollet po ashtu foli për Asociacionin. Ai ishte më i kujdesshëm në deklarime, por megjithatë shumë i qartë.

“Ne vazhdojmë të theksojmë rëndësinë e një Asociacioni konsistent me Kushtetutën e Kosovës,”u shpreh ai gjatë takimit me përfaqësues të Listës Serbe.

Kjo ishte njëkohshëm deklaratë e qartë edhe për Serbinë, që vazhdimisht ka kërkuar të minojë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

3# Escobari

Një muaj më parë, Escobar kishte bërë një prej deklaratave më të ashpra deri tash.

“Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin. Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë...” – kishte thënë fillimisht në një deklaratë për REL.

Por, ashpërsia më e madhe ende nuk kishte ardhur.

“Më duhet të jem i qartë, ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund të zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit,”vazhdoi ai.

Kurti nuk e ka komentuar ende në mënyrë direkte një deklaratë të tillë.

4# Hovenieri

Ambasadori amerikan në Kosovë megjithatë ka qenë më i përmbajtur në deklarata. Fundja, atij i duhet të punojë me kryeministrin Albin Kurti gati përditë. Por, në një takim me gazetarë nuk e kishte ‘përmbajtur’ veten.

Ai e kishte cilësuar si “urgjente” kërkesën e ShBA-ve për themelimin e Asociacionit të komunave me Shumicë Serbe.

“Siç e kemi thënë po e them edhe tani ne nuk do të mbështesnim një ‘Republika Srpska’, por këtu kemi një urgjencë që është identifikuar nga komuniteti dhe është e rëndësishme për ta që ata të ndjehen se janë pjesëmarrës në një mënyrë që atyre ju duket e pranueshme dhe inkurajuese.” – kishte thënë ai.

Kujtojmë që kryeministri i Kosovës vazhdon të insistojë se nuk do të lejojë formimin e asnjë Asociacioni me karakter një-etnik.

Lajme të ngjashme