Amerika më afër Serbisë, më larg Kosovës: Zyrtari amerikan i shprehu zhgënjimin me Qeverinë tonë presidentit të Serbisë - NACIONALE

Amerika më afër Serbisë, më larg Kosovës: Zyrtari amerikan i shprehu zhgënjimin me Qeverinë tonë presidentit të Serbisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Postimi mbi një telefonatë ka ngritur me të drejtë shqetësim në opinionin publik. Një zyrtar amerikan ka ndarë zhgënjimin ndaj Kosovës me hiç më pak se presidentin e Serbisë në një akt që lë nënkuptime të mëdha e shumë të rënda për Kosovën. Qysh erdhëm deri këtu në këto dy javë vendimtare?

ShBA-të nuk po hezitojnë të tregojnë haptas qëndrimin e tyre, sidomos këto dy javët e fundit kur ka pasur shumë zhvillime mes Kosovës dhe Serbisë.

Fillimisht, le të shkojmë dy javë para, kur Qeveria njoftoi se po e shkallëzon zbatimin e vendimit për targat në tri masa, derisa kërkesa e Amerikës, ishte që kjo të shtyhej për 10 muaj.

Blinken i zhgënjyer e i shqetësuar

“Është kërkesë PERSONALE e Sekretarit Blinken”, kishte thënë emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, derisa fliste për shtyrjen e vendimit për targa.

Vendimi s’u shty, por u shkallëzua. Reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk vonoi shumë për këtë çështje, ku shprehej zhgënjimi me Qeverinë e Kosovës për mosdëgjimin e kërkesës së tyre.

DASh doli fillimisht me një komunikatë për këtë çështje, ndërsa sekretari amerikan, Antony Blinken përsëriti atë që u tha.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë”, citohej të ketë thënë Blinken për mediumin “The Pavlovic Today”.

Ndërkaq, në komunikatën e DASh-it, Kosovës dhe Serbisë u kërkohej që të punojnë sa më shpejt për të arritur një marrëveshje finale.

“Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, përfundonte komunikata.

Kërkesat specifike të Hovenierit

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier në një takim me gazetarët, foli rreth tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, të cilën ata e arsyetuan me vendimin e fundit për targat.

“Janë disa gjëra shumë specifike që ia kemi kërkuar qeverisë që t’i bënte”, kishte thënë ai.

Hovenier, e kishte përmendur edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e konsideruar këtë si nevojë urgjente.

“Nisja e negociatave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicës serbe... E përsëris se kjo tashmë është një nevojë urgjente. Siç e kemi thënë po e them edhe tani ne nuk do të mbështesnim një ‘Republika Srpska’, por këtu kemi një urgjencë që është identifikuar nga komuniteti dhe është e rëndësishme për ta që ata të ndjehen se janë pjesëmarrës në një mënyrë që atyre ju duket e pranueshme dhe inkurajuese.”, ka thënë ai.

Se Asociacioni duhet të themelohet, e tha edhe zëdhënësi i DASh-it, Ned Price. Para gazetarëve, këtë javë ai deklaroi se duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura.

"Kosova dhe Serbia duhet t'i zbatojnë detyrimet e nënshkruara në negociatat e lehtësuara nga Brukseli. Vetëm në këtë mënyrë shmanget përshkallëzimi...Veprimet dhe retorikat që rrisin mundësinë e dhunës, vendosin jetë të pafajshme në rreziqe të panevojshme. Jo veç ata, edhe forcat paqeruajtëse rrezikohen në situata të tilla", ka thënë ai.

Për Ascocionin, u deklarua sonte edhe emisari Escobar, i cili tha se Kosova duhet t’i përfillë këto kërkesa dhe se ShBA do të vazhdojë që të ngul këmbë.

“Ne kemi qenë shumë të qartë dhe të hapur se çfarë presim nga të dyja palët. Nga pala e Kosovës kemi kërkuar një periudhë njëvjeçare të zbatimit për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Kjo është një kërkesë. Nga pikëpamja jonë dhe ajo e partnerëve të Quintit, kjo është një kërkesë dhe ne do të ngulim këmbë. Nga pala serbe, ne mendojmë se çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm. U bëj thirrje palëve që të jenë gati të përmbushin këto çështje menjëherë”, tha ai.

Rasti i fundit: Këshilltari special me Vuçiqin diskutojnë zhgënjimin e Amerikës me Kosovën

Këshilltari special amerikan, Derek Chollet mbrëmjen e së enjtes konfirmoi se ka biseduar në telefon me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Siç bëri të ditur në rrjetin social Twitter, në këtë bisedë telefonike, Chollet shprehu zhgënjimin me Qeverinë e Kosovës sa i përket vendimit për targa.

“Mirë të flasësh me Presidentin Vuçiq. Ndava zhgënjimin tonë për vendimin e Kosovës që të mos shtyjë regjimin për tabelat e regjistrimit. Diskutuam përkushtimin tonë për të ulur tensionet, për dialogun e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe avancimin në rrugën euro-integrimit për Serbinë”, ka deklaru ai.

Lajme të ngjashme