Kërkesa specifike e urgjente: Fjalët e djeshme të ambasadorit Hovenier që populli duhet t'i dijë - NACIONALE

Kërkesa specifike e urgjente: Fjalët e djeshme të ambasadorit Hovenier që populli duhet t'i dijë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Marrëdhënia e Qeverisë me Vetëvendosjen prodhoi shumë debate përgjatë mbrëmjes së kaluar. Lajmet për shtyrjen e vizitave të eksponentëve të pushtetit në Amerikë e zunë opinionin në befasi. Megjithatë, mbrëmë ka folur edhe ambasadori amerikan Jeff Hovenier. Çka tha saktësisht ambasadori?

Në fakt, z. Hovenier nuk po thoshte diçka të re në fjalën e tij. Ai thjesht po bënte një “përmbledhje” siç edhe e tha, por duke përforcuar mesazhet e tij.

Ambasadori u shpreh se ShBA ishte e brengosur pas tërheqjes së serbëve nga institucionet kosovare dhe se ishin të brengosur që kjo kishte potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.

“Janë disa gjëra shumë specifike që ia kemi kërkuar qeverisë që t’i bënte.” – u shpreh z. Hovenier në një takim me gazetarët.

Kërkesat specifike

Asociacioni u përmend kësaj here i shoqëruar me fjalën urgjencë nga një ambasador amerikan.

“Nisja e negociatave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicës serbe... E përsëris se kjo tashmë është një nevojë urgjente,” – tha ambasadori amerikan.

Partia në pushtet ndërkohë, Vetëvendosje, kishte publikuar një video të re pardje në të cilën tregonte qëndrimet e kryeministrit Kurti për Asociacionin të vitit 2007. Huh!

“Siç e kemi thënë po e them edhe tani ne nuk do të mbështesnim një ‘Republika Srpska’, por këtu kemi një urgjencë që është identifikuar nga komuniteti dhe është e rëndësishme për ta që ata të ndjehen se janë pjesëmarrës në një mënyrë që atyre ju duket e pranueshme dhe inkurajuese.” – argumentoi më tej z. Hovenier.

Nga kjo mund të kuptojmë se argumentet e pushtetit të ofruara para qytetarëve shqiptarë të Kosovës kanë hasur në vesh të shurdhër. Mund të kuptojmë se Qeveria Kurti nuk ka arritur të ndërrojë mendjen e ShBA-ve se Asociacioni në fakt nuk është kërkesë reale e komunitetit serb.

Targat

Shtyrja e vendimit për targat ishte përmendur si “kërkesë personale” e Sekretarit Antony Blinken nga përfaqësuesi Gabriel Escobar.

Dhe, kjo ishte një tjetër kërkesë specifike e përmendur nga ambasadori Hovenier.

“...që nga fillimi kemi shprehur shqetësimin për mënyrën se si do të implementohet. Ne besojmë që kjo është edhe me urgjente në rrethanat e tanishme, ne kemi kërkuar qeverisë të mos vazhdojë me këtë plan në fillim të muajit.” – u shpreh Hovenier.

Duhet të kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka denoncuar Serbinë se po përdorte çështjen e targave për të nxitur tensione e të cilat po i shërbenin që të maskonte refuzimin e planit franko-gjerman.

E gjithë fjala e z. Hovenier:

Janë disa gjëra që dua t’i them paraprakisht pasi mendoj që do ishin përgjigje për pyetjet që mund t’i keni, dua që të shtrojë qartë atë sesi ShBA e shohin situatën, dhe çfarë është ajo se çfarë po kërkojmë.

Gjëja e parë që do ta them, nuk do të them diç që është e re, këto i keni dëgjuar nga autoritetet në Washington, dje nga zëdhënësi i DASh, po ashtu edhe nga ndihmësja e sekretarit të shtetit Karen Donfried, dhe i keni dëgjuar disa nga këto edhe nga unë po ashtu. Është mirë ta bëjë një përmbledhje.

Pika e parë, ne besojmë se tërheqja e serbëve nga institucionet kosovare nuk është zgjidhja për mosmarrëveshjet e tanishme, dhe ne jemi të brengosur se kjo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Kosova është në gjendje e saj më të mirë, kur të gjithë popullata e saj përfaqësohet në institucionet e saj. ShBA-të së bashku me partnerët e saj kemi punuar shumë për ta arritur këtë. Mendojmë se kjo është me të vërtetë prioritet. Dhe jemi të shqetësuar për gjendjen e tanishme dhe mundësinë për eskalim dhunë të mundshme, dhe gjithësesi edhe impaktin që kjo situatë ka në funksionimin e shtetit të Kosovës.

Diçka që mendojë që për të gjithë ne është prioritet, kështu janë disa gjëra shumë specifike që ia kemi kërkuar qeverisë që t’i bënte.

Pika e parë që dua që të them se kemi kërkuar nga të gjitha palët që të ndërmarrin hapa për të siguruar qetësinë e tensioneve, paqen dhe sigurinë. Dhe besojmë që si Prishtina edhe Beogradi kanë rolin e tyre për të ndikuar në uljen e tensionit dhe për të inkurajuar paqen dhe stabilitetin. Sa i përket kërkesës për qeverinë e Kosovës ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që gjithmonë, janë nënshkruar përmes procesit të dialogut. Dhe kjo do të përfshinte dhe ne besojmë që më urgjent se asnjëherë më parë. Nisja e negociatave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicës serbe. Me duhet të jem i qartë poashtu as kjo nuk është e re.

Ne nuk po i kërkojmë qeverisë së Kosovës të bëj diçka në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, apo diçka që nuk është në përputhje me vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese. Këto janë parametra të arsyeshme, dhe konsiderojmë që janë të duhura. Siç e kemi thënë po e them edhe tani ne nuk do të mbështesnim një ‘Republika Srpska’, por këtu kemi një urgjencë që është identifikuar nga komuniteti dhe është e rëndësishme për ta që ata të ndjehen se janë pjesëmarrës në një mënyrë që atyre ju duket e pranueshme dhe inkurajuese. Inkurajuese që të dëgjohet zëri i tyre dëgjohet t’iu mbrohen të drejtat po ashtu. Kjo është diçka që iu kemi kërkuar disa qeverive të Kosovës që të zbatohet tashmë. E përsëris se kjo tashmë është një nevojë urgjente.

Edhe gjëja tjetër që po kërkojmë nuk është e re, ne jemi të shqetësuar për afatin kohor të procesit të implementimin e vendimit të qeverisë për tabelat e regjistrimit. Ne besojmë që duhet të shtyhet në tërësi. Ne nuk po kërkojmë implementim të shkallëzuar apo shtyerje të pjesshme, posaçërisht jemi të shqetësuar për mundësitë e gjobës apo veprimet e tjera që mund të merren e që hynë në fuqi me 21 nëntor, dhe ja kemi shprehur këto shqetësime qartë qeverisë.

Po e përsëris edhe njëherë nga këndvështrimi i qeverisë së ShBA-së, nuk është e paarsyesme për qeverinë e Kosovës të synojë të lëshojë targa për qytetarët e shtetit vet, e kemi theksuar në disa raste se vendimi i qeverisë është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Por që nga fillimi kemi shprehur shqetësimin për mënyrën se si do të implementohet. Ne besojmë që kjo është edhe me urgjente në rrethanat e tanishme, ne kemi kërkuar qeverisë të mos vazhdojë me këtë plan në fillim të muajit. Këto janë gjërat që doja t’i them fillimisht se si e shohim situatën.”

Lajme të ngjashme