"Unë kërkova që vizita të shtyhet": Ministër Krasniqi flet për shtyrjen e vizitës në Amerikë - NACIONALE

"Unë kërkova që vizita të shtyhet": Ministër Krasniqi flet për shtyrjen e vizitës në Amerikë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka deklaruar se ka qenë ai që e kërkoi shtyrjen e vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas zhvillimeve në veri të vendit dhe dorëheqjes së kryetarëve të komunave atje.

Krasniqi në RTV Dukagjini, ka thënë se ai ka vlerësuar që vizita e tij dhe kryetarëve të komunave, duhet të shtyhet për në pranverë.

“Jo nuk është e vërtetë, aspak. Në fillim të këtij viti, ne kemi pasë një delagacion nga IOËA në Kosovë edhe për fundvit, për tash, ishte planifikuar një vizitë atje me 6-7 kryetarë që kanë binjakëzime me IOWA. Unë kam kërkuar më datën 7 nga kabineti që kjo vizitë të shtyhet për në pranverë, pasi kam vlerësuar që si ministër i komunave, të jem këtu kur janë dorëhequr kryetarët e 4 komunave”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Nacionale më herët raportoi se ministres Albulena Haxhiu i është shtyrë vizita, kurse ajo doli me një reagim, duke pretenduar se vendimin e ka marrë bashkarisht me Ambasadës Amerikane.

Veç kësaj, Nacionale raportoi ekskluzivisht se vizita për në SHBA, i është shtyrë edhe kryetarit të komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Kjo u konfirmua për Nacionalen edhe nga zëdhënësi i kësaj komune, z.Fatri Shatri.

“Takimin e ka shty ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pasi që me sa kam informacione kanë pasë me marrë pjesë edhe disa komuna të tjera. Kryetari ka apliku për vizë amerikane, i është lëshu viza për pesë vjet, ka qenë i planifikum takimi për javën e ardhshme. Por sipas informacioneve që i kam unë, ministri Elbert Krasniqi ka kërku që vizita me u shty”, na tha ai.

Lajme të ngjashme