Norvegjia i bën thirrje Kinës që ta bindë Rusinë për të hyrë në bisedime të paqes
Norvegjia dëshiron që Kina t’i shfrytëzojë lidhjet e saj me udhëheqjen ruse që të ndihmojë në një zgjidhje të negociuar të luftës në Ukrainë, edhe për hir të marrëdhënieve të mira me Evropën, tha të hënën kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stoere.
“Kina është ndoshta vendi me qasjen më të mirë dhe më të drejtpërdrejtë tek udhëheqja ruse. Ne presim, shpresojmë dhe i bëjmë thirrje fuqishëm Kinës që ta shfrytëzojë atë kanal” – tha ai para gazetarëve pas takimit në Oslo me ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi.
Kryeministri norvegjez tha se pjesa më e madhe e diskutimit me kryediplomatin kinez iu kushtua Ukrainës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ka potencial për bashkëpunim më të thellë mes Evropës dhe Kinës, por për aq gjatë sa vazhdon kjo luftë dhe Kina është partnere e ngushtë e Rusisë, ky është kufizim ndaj asaj mundësie” – shtoi Stoere.
Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, duke folur më herët të hënën, tha se dialogu me Kinën për përfundimin e luftës ka qenë “konstruktiv dhe premtues”.
Zyrtarët norvegjezë thanë se bisedimet duhet të fillojnë pa kushte, duke nisur me një armëpushim të mbështetur në vijën aktuale të frontit në Ukrainë.