Statistikat e zeza në ‘fermën’ e Albin qumështorit - NACIONALE

Statistikat e zeza në ‘fermën’ e Albin qumështorit

1 orë më parë

nga Col Mehmeti

Edhe kur kishte operuar me OJQ, e pastaj edhe me një lëvizje urbane, Kurti kishte pasur ide ‘kreative’ për nxënësit e studentët, një përzierje kjo mes programeve lleftiste dhe përvojave të disa universiteteve. Një shujtë (kifle) dhe një gotë qumësht ishte vizioni i tij sesi nxënësit barkngopur do të jepnin rezultate më të mira në mësimnxënie. Por, si kryeministër, lëmi i prodhimit vendor të qumështit ka njohur një teposhtëz të frikshme. Larg prej ndonjë politike të favorshme fiskale a protektive për prodhimin vendor, të dhënat statistikore flasin sesi Kosova nga viti-në-vit po përjeton rënie të prodhimit të qumështit, pakësim të fondit të bagëtive, si dhe rritje importesh.

6 korrik 2026 – Pasditën e së hënës ende ndjehej era e athët e qumështit në rrugën ‘Ukshin Hoti’ pranë Kompleksit ‘Ramiz Sadiku’.

Një kamion me cisternë uji dhe disa punëtorë po merreshin me pastrimin e asfaltit dhe trotuareve.

Disa orë më herët, dhjetëra fermerë nga mbarë vendi protestuan përballë Ministrisë së Bujqësisë duke derdhur revoltativisht qindra litra qumësht.

“Pa fermerë nuk ka të ardhme”

Sipas organizatorëve nga Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit, shteti thuajse i ka vënë në zgrip të falimentimit prodhuesit vendorë të qumështit.

Me thirrjet kundër dobësimit të industrisë vendore, ata kërkuan që të rifillojë grumbullimi i qumështit katër ditë pas mbylljes së përkohshme të qumështores ‘Vita’ nga inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Edhe para se Qeveria në detyrë e Albin Kurtit të hapte një front të ri lufte me ‘oligarkët’, prodhuesit e qumështit veçse ishin vënë me shpatulla për muri përballë uljes së çmimit të qumështit.

fundmajin e këtij viti, në shumë nga pikat e grumbullimit çmimi i qumështit pësoi ulje nga 48 centë në 27-30 cent për litër.

“Shitja e litrës së qumështit nën 30 cent është padrejtësi dhe shfrytëzim”

Tri javë përpara se Vetëvendosja në shkurt të 2021-s të fitonte 50.28 për qind të votave, Kurti në fushatë e kishte zënë në gojë për herë të fundit çështjen e çmimit të ulët të shitjes së litrit të qumështit.

Shitja e litrës së qumështit nën 30 cent është padrejtësi dhe shfrytëzim”, pati thënë Kurti me rastin e një vizite të bërë në një fermë në fshatin Tërdec të Drenasit.

Asohere, Vetëvendosja i kishte bërë një mbulim të pazakontë kësaj vizite duke e trumpetuar edhe vizionin partiak për prodhuesit e qumështit.

Sipas afishimit të asaj kohe, Ministria e Bujqësisë do të ishte “në shërbim të atyre që njëmend punojnë e me djersë prodhojnë e hapin vende të reja pune, dhe jo më për mbështetësit e një partie apo tjetër siç jemi mësuar të shohim. Tregu do të sigurohet, kurse shitja e prodhimeve bujqësore nën çmimin e tregut do t’i takojë të kaluarës”.

Kifle dhe një gotë qumësht

Me kundërthënie e nota komike kishte kaluar edhe njëri nga ‘vizionet’ e Kurtit për ushqyerjen e nxënësve nëpër shkolla fillore.

Duke qenë se Vetëvendosja më 2013 për herë të parë e fitoi një komunë si Prishtina, kryeqytetit i ra për hise të provonte për së afërmi idenë që Kurti e kishte skicuar qysh në vitin 2006.

Shujta ditore dhe një gotë qumësht ishte programi që nisi ta vinte në zbatim ish-kryetari, Shpend Ahmeti, për shkollat fillore të Prishtinës.

Pas përfundimit të mandatit të tij, edhe programi i kifleve dhe qumështit u braktis dhe mbeti kujtim i largët.

‘Qeverisja’ e importeve gjatë viteve 2020-26

Tani kur pritet konsolidimi i institucioneve të reja dhe mandati i tretë për Albin Kurtin, të dhënat më të përditësuara japin një pamje të tjetërsojtë për bereqetin blegtoral të vendit.

Me një prodhim vendor të qumështit që vlerësohet prej 270 milionë litrash në vit, vendi prapëseprapë importon rreth 30-40 për qind për t’i plotësuar nevojat e përgjithshme për qumësht.

Nga 2020-a e vitet e mëpasme, importet kanë qenë papërjashtimisht të larta.

Sidoqoftë, ato kanë përjetuar një rrokaqiellëzim në sasi e vlera importi sidomos në dy vitet e fundit.

Të dhënat më të reja, me të cilat shërbehen edhe vetë institucionet shtetërore, nxjerrin në pah prirje interesante për sa i përket prodhimit të qumështit.

Sipas Raportit të Gjelbër 2025 – që është dokument themelor mbi sektorin e bujqësisë që nxirret nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – fondi i përgjithshëm i gjedheve ka pësuar rënie të ndjeshme nga viti i pandemisë e këndej.

Pakësimi i fondit të lopëve qumështore

Më 2024, fondi i përgjithshëm i gjedheve ishte 240,848 krerë duke shënuar një rënie prej 2.7 për qind në krahasim me vitin paraprak.

Kështu, më 2023, vendi kishte pasur 247,493 gjedhe, kurse më 2022 250,899; më 2021 260,528 dhe më 2020 261,391.

Nga ky fond, lopët qumështore në vitin 2024, njësoj si edhe më 2023, përbënin 52.5 për qind të numrit të përgjithshëm të gjedheve.

Sipas këtyre të dhënave, më 2024 vendi kishte 126,549 lopë qumështore; më 2023 kishte 129,897; më 2022 130,493; më 2021 132,076, dhe më 2020 133,916.

Të varur, gjithnjë më të varur nga jashtë

Dorëpërdore me zvogëlimin e fondit të gjedheve dhe lopëve qumështore, edhe dy procese komplementare janë përbiruar gjatë këtyre viteve.

Më 2024, Kosova prodhoi 268,980 milionë litra qumësht, shifër kjo që ishte me rënie të shënueshme nga 2023-a kur ishin prodhuar 275,447 milionë litra qumësht.

Pak më shumë qe prodhuar më 2022 me 276,058 milionë litra; më 2021 u shënuan 278,746 milionë litra, kurse më 2020 ishin prodhuar 281,960 milionë litra.

Në anën tjetër, importi i qumështit ka kërcyer nga viti në vit, gjithnjë me prirje rritëse.

Më 2020, vendi importoi 109,976 milionë litra qumësht; më 2021 121,863 milionë litra; më 2022 128,714 milionë litra; më 2023 133,579 milionë litra, dhe më 2024 139,864 milionë litra.

Me një kërkesë të brendshme prej 406,690 milionë litra qumësht në vit, Kosova çaloi me prodhim vendor ngase shkalla e vetëmjaftueshmërisë qe vetëm 66,1 për qind.

Dikur dhe tash

Shifrat e viteve të fundit kontrastojnë thekshëm me ato të para më shumë se një dekade.

Fjala vjen, nga 2010 deri më 2013 prodhimi i qumështit ishte larg më i madh sesa që është gjatë këtyre viteve.

Në këtë hark kohor, Kosova prodhoi qumësht 340 deri në 370 milionë litra qumësht në vit.

Ky trend pozitiv vazhdoi edhe më 2014 më 279 milionë litra në vit; 2015 me 283 milionë litra në vit.

Më së keqi në kojshillëk

Se Kosova i ka keq punët për nga prodhimi vendor i qumështit, mjafton edhe një përqasje me rrethepërqarkun.

Shteti amë, Shqipëria, paraqitet mjaft mirë në rajon kur vjen puna për prodhim të qumështit.

Nëse do të veçohej 2024-a si vit krahasues, Shqipëria me një fond prej 260 mijë krerë lopë qumështore prodhoi 877 milionë litra qumësht me një shkallë vetëmjaftueshmërie prej 80-85 për qind të plotësimit të kërkesave vendore.

Më mirë se Kosova del edhe Maqedonia e Veriut e cila, me një fond prej 90 mijë lopësh qumështore, prodhoi më 2024 323 milionë litra qumësht me një shkallë vetëmjaftueshmërie prej 70-80 për qind të plotësimit të kërkesave vendore.

Në një pamje më të zgjeruar, kampione në prodhim të qumështit mbetet Serbia e deri-diku edhe Bosnja.

Më 2024, fqinji verior prodhoi 1.6 deri në 1.7 miliardë litra me një fond lopësh qumështore të vlerësuar mes 250-300 mijë krerë.

Shifra të tilla përkthehen me një përmbushje thuajse të plotë të kërkesave të brendshme dhe eksporte të larta.

Në anën tjetër, Bosnja, po për vitin e njejtë, me një fond prej 160 mijë lopësh qumështore prodhoi 400-450 milionë litra qumësht me një shkallë vetëmjafueshmërie të nevojave të brendshme për 70-80 për qind.

Lufta na shkatërroi

Për shkak të sfondit historik me luftën e vitit 1998-99, më shumë se gjysma e bagëtive në Kosovë u asgjësuan ose u vodhën nga ushtria, milicia dhe forcat e parregullta serbe teksa rreth 40 për qind e infrastrukturës blegtorale u shkatërrua

Sidoqoftë, fill pas luftës, fusha e blegtorisë, më saktë prodhimi qumështor, arriti të ngjallej e të përjetonte edhe rritje.

Së paku deri më 2014, ai kontribuonte rreth 10 për qind në GDP. /Nacionale/

Lajme të ngjashme