Ekskluzive: Parashihej të udhëtonte javën tjetër, edhe Bulliqit të VV-së i shtyhet vizita në SHBA - NACIONALE

Ekskluzive: Parashihej të udhëtonte javën tjetër, edhe Bulliqit të VV-së i shtyhet vizita në SHBA

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Kryetari i komunës së Podujevës, njëherit anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi parashihej që javën e ardhshme të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por njëjtë si bashkëpartiakja e tij, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk do ta ketë të mundur që ta realizojë një gjë të tillë.

Nacionale nga burime të saj ka mësuar se kryetari Bulliqi, nuk do të udhëtojë drejt Amerikës.

Në lidhje me këtë çështje, Nacionale ka kontaktuar me zëdhënësin e komunës së Podujevës, z.Fatri Zhitia, i cili konfirmoi se vizita është shtyrë.

Pyetur nga Nacionale nëse e njëjta është vendosur për një kohë tjetër nga SHBA-të, z.Zhitia tha se sipas informacioneve që ai posedon, kërkesa i ka shkuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Takimin e ka shty ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pasi që me sa kam informacione kanë pasë me marrë pjesë edhe disa komuna të tjera. Kryetari ka apliku për vizë amerikane, i është lëshu viza për pesë vjet, ka qenë i planifikum takimi për javën e ardhshme. Por sipas informacioneve që i kam unë, ministri Elbert Krasniqi ka kërku që vizita me u shty”, na tha ai.

E PËRDITËSUAR: Pas raportimit të Nacionales, në një lidhje për RTV Dukagjini, kryetari Shpejtim Bulliqi ka dhënë arsye të tjera për shtyrjen e vizitës, duke thënë se kjo ka qenë vetë kërkesë e tij.

“Unë aktualisht jam në një vizitë zyrtare në Austri. Jemi bashkarisht me delegacion nga komuna e Podujevës. Jemi duke marrë pjesë në një forum të bizneseve të Austrisë. Unë tek ditën e premte kthehem në Kosovë. Duke marrë parasysh se mua menjëherë, mu dashke me lëvizë për në Amerikë, duke e pasur agjendën shumë të ndeshur, kam kërkuar që takimin ta shtyj. Është më kërkesën time. Mund t’ua jap edhe komunikimin me zyrtarë të IOËA, me sa po kuptoj nga komunikimet zyrtare, më duket që pamë plot delegacione, që për shkak të situatës e ka shtyrë takimin”, ka thënë ai.

Bulliqi ka sulmuar edhe Nacionalen për raportimin në lidhje me vizitën e tij, ndonëse në tekstin tonë citohej qartë deklarata e zëdhënësit të komunës që ai e udhëheqë.

“Nuk qëndron ajo, këto janë dezinformata të një portali dezinformues që dezinformon në format më të pista të mundshme, sepse nuk qëndron, kjo është kërkesë e imja”, ka thënë Bulliqi.

Edhe Haxhiut iu shty vizita, shefi i stafit e demantoi, ajo e konfirmoi me një reagim banal

Nacionale para pak minutash raportoi se edhe ministres Albulena Haxhiu i është shtyrë vizita, gjë të cilën fillimisht e kishte demantuar shefi i stafit të saj, Genc Nimoni.

Haxhiu përmes një reagimi qesharak dhe banal, deklaroi se bashkarisht me Ambasadën Amerikane kanë marrë një vendim të tillë.

“Sot pasdite jam takuar me zyrtarë të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë. Ndër të tjera, diskutuam edhe rreth ftesës së tyre për vizitë në SHBA. Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyejmë për një datë më të përshtatshme vizitën”, ka thënë ajo.

Veç kësaj, ministrja e Qeverisë Kurti II, pretendoi që “lajmi se i është refuzuar viza”, nuk është i vërtetë.

“Lajmet se më është refuzuar viza dhe lajmet tjera lidhur me viziten, ndryshe nga ky shpjegim, nuk qëndrojnë pra janë të pavërteta.Vizita do të realizohet dhe për shkak të interesimit, datat do t'ua kumtojmë me kohë”, thuhet tutje në reagimin e Haxhiut.

Ndërkaq, mediumi Reporteri.net, gjatë ditës raportoi fillimisht për këtë çështje.

Sipas mediumit gjegjës, ambasadori Hovenier në një takim me gazetarë ka folur rreth kërkesës së Haxhiut për vizë, duke shtuar se një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

“Kjo këtu është enigmatike. Janë dy çështje. Nuk shoh asnjë rrethanë në të cilën do të ishte e vështirë për qeverinë e ShBA’së të lëshonte vizë për një ministër të Qeverisë së Kosovës. S’mund të flas për rastet specifike ose individuale të vizave, por nuk jam në dijeni për ndonjë rrethanë ku një ministër i qeverisë nuk do të kualifikohej për marrjen e vizës për punë zyrtare”, ka thënë ambasadori Hovernier në një bisedë me disa gazetarë të pritur në Ambasadën Amerikane në Prishtinë", ka thënë ai.

Zhgënjimi i SHBA-së me Qeverinë Kurti II

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ditë më parë u shprehën të zhgënjyera që Qeveria e Kosovës nuk dëgjoi kërkesat e tyre, dhe të Bashkimit Evropian, që vendimi për targat të shtyhet për 10 muaj.

Veç kësaj, SHBA-ja shprehej edhe e shqetësuar me një vendim të tillë, pasi Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti vendosi që ta përshkallzojë zbatimin e vendimit për targa.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, thuhej në këtë komunikatë.

Ndërkaq, pas zhvillimeve në veri të vendit dhe dorëheqjes së zyrtarëve serbë nga të gjitha istitucionet e Kosovës, kërkesë kryesore drejtuar kryeministrit Albin Kurti, ka qenë themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Në një përgjigje dhënë "thepavlovictoday", zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, të martën theksoi faktin se Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken kërkon ta shohë implementimin e Asociacionit, gjithmonë konform marrëveshjeve të arritura.

"Kosova dhe Serbia duhet t'i zbatojnë detyrimet e nënshkruara në negociatat e lehtësuara nga Brukseli. Vetëm në këtë mënyrë shmanget përshkallëzimi. Veprimet dhe retorikat që rrisin mundësinë e dhunës, vendosin jetë të pafajshme në rreziqe të panevojshme. Jo veç ata, edhe forcat paqeruajtëse rrezikohen në situata të tilla", ka thënë ai.

Lajme të ngjashme