Zëdhënësi i DASh-it: Sekretari Blinken kërkon hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit - NACIONALE

Zëdhënësi i DASh-it: Sekretari Blinken kërkon hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Zëdhënësi i DASh-it, Ned Price ka folur sërish rreth çështjes së Asociacionit.

Në një përgjigje dhënë "thepavlovictoday", Price ka ripotencuar faktin se Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken kërkon ta shohë implementimin e Asociacionit, gjithmonë konform marrëveshjeve të arritura.

"Kosova dhe Serbia duhet t'i zbatojnë detyrimet e nënshkruara në negociatat e lehtësuara nga Brukseli. Vetëm në këtë mënyrë shmanget përshkallëzimi", tha fillimisht Price për mediumin respektiv.

"Veprimet dhe retorikat që rrisin mundësinë e dhunës, vendosin jetë të pafajshme në rreziqe të panevojshme. Jo veç ata, edhe forcat paqeruajtëse rrezikohen në situata të tilla", paralajmëroi tutje Price.

Ndërkaq, zëdhënësi i Departamentit Amerikan kur u pyet për largimin nga institucionet të serbëve, ai u shpreh:

"Serbët duhet t'u rikthehen institucioneve", duke pohuar më pas se mbështeten plotësisht te thirrjet e BE-së.

Ripërsëritje

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet më të larta amerikane kërkojnë implementimin e Asociacionit.

Një zbatim nga ana e Kosovës, prej faktorëve ndërkombëtarë po shihet si forma e vetme për të parandaluar çfarëdo përshkallëzim situate. Kujtojmë, thirrje nuk ka vetëm ndaj zyrtarëve të lartë kosovarë, por edhe homologëve serbë.

Gjithsesi, duhet përmendur faktin se këto kërkesa të vazhdueshme kanë qenë që i njëjti (lexo: Asociacioni) të themelohet konform Kushtetutës së Kosovës.

Këtë e pat pranuar edhe Gabriel Escobar, Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit gjatë vizitës së fundit zyrtare në Kosovë.

"Por, gjëja më e rëndësishme është që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet t’u përmbahet ligjeve të Kosovës dhe nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës. Por, duke thënë këtë ka shumë, shumë opsione dhe modele evropiane që mund t’i shohim bashkë,që do ta bënin këtë një mundësi reale. Por, po – do të donim ta shihnim duke u zbatuar", vazhdoi tutje.

Në një intervistë dhënë Kanal10, ai deklaronte se Bashkësia e Komunave Serbe duhet të themelohet në bazë të ligjeve të Kosovës, ndërsa thoshte që veçse e kishte diskutuar edhe personalisht këtë çështje me presidenten Osmani, për të gjetur një situatë ku të dyja palët do të dilnin fituese.

"Mendoj se do të jetë një element i rëndësishëm. Është një zotim që tashmë ekziston, mendoj se është zotim i rëndësishëm dhe që duhet të përmbushet. Në mëngjes fola me Presidenten për mënyrat e ndryshme se si Kosova mund ta krijojë Asociacionin që të jetë situatë “fitues-fitues”, sikurse për komunitetet në veri ashtu edhe për vetë Kosovën".

Veç dialogu

Pas zhvillimeve që i parapriu protesta e serbëve në veri, si kundërshtim ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës për përjashtimin e Nenad Gjuriq, drejtor i Drejtorisë së Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, pati reagime të shumta.

Një prej tyre ishte edhe i Shefit të Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Spanjolli kërkoi nga palët që t'i zbatojnë marrëveshjet e dakorduara në Bruksel, kurse serbëve u bëri thirrje që t'u kthehen pozitave që i ushtronin deri më tani.

“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale. Ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”.

“Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut. BE-ja gjithashtu i bën thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, thuhej ndër të tjerash.

Lajme të ngjashme